​E zbulon eksperti i sigurisë: Ky është qëllimi i Vuçiq me krizën në veri

Aktuale

​E zbulon eksperti i sigurisë: Ky është qëllimi i Vuçiq me krizën në veri

Më: 10 nëntor 2022 Në ora: 11:43
Gynen Venhari

Dorëheqjet e serbëve nga institucionet e Kosovës po konsiderohet të kenë ndodhur në koordinim të plotë mes presidentit serb, Aleksandër Vuçiq dhe rusëve. Njohësi i sigurisë, Gynen Venhari thotë se krejt kjo erdhi pas refuzimit që Serbia i bëri planit franko-gjerman. Duke thënë se është në interes të shtetit serb përshkallëzimi i situatës në veri të vendit, Venhari thotë se Kosova duhet që vazhdimisht të ketë koordinim me aleatët e saj.

Drejtori i Geopost thotë se Serbia me veprimet e fundit synon të bllokojë Kosovën në proceset e mëtutjeshme, dhe të mbajë peng arritjen e marrëveshjes finale.

Venhari: Destabilizimi i situatës çdo herë është në favor të Serbisë

“Normal që përshkallëzimi dhe destabilizimi i situatës çdo herë është në favor të Serbisë dhe sipas informatave që i kemi dhe analizave të parët ë lajmeve të medieve serbe në ditën e shtunë e kemi vërejtur se koordinimi i gjithë kësaj proteste dhe gjithë kësaj iniciative të politikanëve... Ata çdo herë munden dhe pritet që ta bëjnë destabilzimin e veriut të Kosovës për ta bllokuar Kosovën në procese të mëtutjeshme si dhe largimi dhe sa më shumë i marrëveshjes finale mes Kosovës dhe Serbisë, Serbia do ta shfrytëzoj veriun si AD të vetin për përshkallëzimin e situatës në veri”, thotë Venhari.

Njohësi i sigurisë, rëndësi të veçantë i jep raporteve të Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe faktorin tjetër ndërkombëtar.

Venhari: Kosova duhet çdo moment të ketë koordinim me aleatët

“Kosova duhet çdo moment të ketë koordinim me aleatët e saj dhe nuk kemi alternativë tjetër... Shpresoj se nuk do të ketë destabilizim të mëtutjeshëm. Institucionet tona duhet të jenë vigjilente dhe në koordinim me faktorin ndërkombëtar”, thekson ai.

Sipas tij, vigjilenca e institucioneve të Kosovës duhet rritur marrë parasysh faktin se Vuçiq gjithmonë mundohet të gjejë pretekste për të zhvendosur dialogun me gjëra të tjera.

Venhari: Serbia çdo herë gjen pretekste për ta bllokuar marrëveshjen finale

“Ne si ekip i Gjeopostit i kemi analizuar këto ngjarje dhe refuzimi i planit franko-gjerman tani nga Vuçiq ka sjell si pasojë gjithë këto ngjarje të cilat kanë qenë mjaftë mirë të koordinuara në aspektin e tyre... Serbia çdo herë gjen pretekste dhe barriera që ta bllokojë apo ta zhvendos dialogun apo marrëveshjen finale në mes të Kosovës dhe Serbisë. Situata ka qenë mjaftë serioze dhe për mua është mjaftë shqetësuese takimi i së shtunës me ambasadorin, Aleksandar Botsan-Kharchenko, ambasadorin rus në Beograd dhe pas ditës së shtunë kanë filluar gjithë këto protesta dhe ngjarje në veri të cilat me siguri kanë qenë të koordinuara në mes të presidentit serb, Vuçiq dhe aleatëve të tij rus dhe destabilizimi i Kosovës përmes strukturave ilegale në veri si dhe strukturave të sigurisë të cilat në shumicën e rasteve kanë ndikim shërbimi sekret rus në strukturat e sigurisë për ta destabilizuar dhe sfiduar jo vetëm Kosovën por edhe perëndimin në rastet e veta”, thotë ai.

Venhari thekson se dorëheqja e zyrtarëve serbë është sfiduese për sovranitetin e Kosovës.

Venhari: Policët serbë të dorëhequr janë bërë pjesëtarë të mbrojtjes civile, kjo është sfiduese për sovranitetin e Kosovës

“Ata automatikisht i kanë nënshkruar kontratat dhe janë pjesëtarë të mbrojtjes civile të veriut dhe është mjaftë sfiduese për sovranitetin e Republikës së Kosovës dhe vlen të shihet se cilët do të jenë hapat e mëtejshëm për gjithë këtë situatë e cila është duke ndodhur. Vlen të ceket dhe mos të harrojmë se veriu i Republikës së Kosovës ndikimin më të madh e ka edhe strukturat ilegale dhe kriminale serbe në krye me Milan Radoiqiq dhe Zvenko Veselinoviq, ata u shpallën në listën e zezë nga thesari amerikan dhe është mjaftë shqetësuese sesi shteti serb nuk ndërmerr asgjë e vetëm i fuqizon ata. Vuçiqi çdo herë i ka fuqizuar ata për interesa elektorale dhe tani ata shfrytëzohen prej presidentit serb dhe strukturave të sigurisë për të bërë destabilizimin e Kosovës përmes strukturave të tyre kriminale”, thekson Venhari.

Sa i përket bashkëpunimit serbo-rus, Venhari thotë se u pa edhe ne protestën e fundit në veri të Mitrovicës.

Venhari: Bashkëpunimi serbo-rus gjithmonë synon destabilizimin e Ballkanit

“Rusia është e pranishme jo vetëm në veri të Kosovës por edhe trazirat që ajo mund t’i bëjë përmes shërbimit serb dhe shtetit serb dhe institucioneve serbe në Mal të Zi, në Bosnje, vijmë tek një konkludim mjaftë i qartë se ata çdo herë kanë dëshirë t’i imponojnë temat e tyre dhe destabilizimin e paqes në Ballkan”, thotë ai.

Drejtori i Geopost, Gynen Venhari shprehet se Kosova ka mjaftueshëm kapacitete të sigurisë për ta menaxhuar situatën në veri.

Venhari: Kosova ka kapacitete të sigurisë për të kontrolluar situatën në veri

“Absolutisht që Republika e Kosovës ka kapacitetet e saja si në Polici, si të sigurisë. Është investuar mjaftë por duhet të investohet ende, por unë shpresoj si qytetar i Kosovës që shteti im ka kapacitete që ta kontrolloj dhe ta menaxhoj këtë situatë“, thekson ai.

Nga 5 nëntori kanë nisur dorëheqjet e zyrtarëve serbë nga përgjegjësitë institucionale qendrore dhe lokale në Kosovë. Mandatet e tyre tashmë i kanë dorëzuar edhe 10 deputetët e Listës Serbe.

Këto veprime kanë rezultuar pas vendimit për suspendim të drejtorit të Policisë në Veri të Mitrovicës, Nenad Gjuriq, pasi ky i fundit refuzoi të zbatonte vendimin e Qeverisë së Kosovës për regjistrim të targave

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat