​Përplasen Haxhiu dhe Tahiri, kërkojnë dorëheqjen e njëri-tjetrit

Aktuale

​Përplasen Haxhiu dhe Tahiri, kërkojnë dorëheqjen e njëri-tjetrit

Më: 10 nëntor 2022 Në ora: 12:25
Albulena Haxhiu dhe Abelard Tahiri

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu iu është kundërpërgjigjur opozitës për akuzat e tyre se në veri të Kosovës nuk ka prokurorë dhe gjyqtarë. Derisa shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri iu drejtua Haxhiu duke i thënë se ajo është ministre e sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ministrja Haxhiu u shpreh se për herë të parë Republika e Kosovës ka pozicion të dinjitetshëm në raport me Serbinë.

Sipas saj, në të kaluarën vazhdimisht ka pasur lëshim përballë Serbisë sa herë që ka pasur një kërkesë nga presidenti serb.

Haxhiu: Vuçiqit asnjëherë jo nuk i keni thënë

“Konsideroj se për herë të parë Republika e Kosovës ka pozicion dinjitar në raport me negociatat me Serbinë diçka që nuk e kemi parë më herët dhe përveç kësaj tre krerët e institucioneve në Kosovës janë të unifikuar dhe qëndrimet e tyre përballë Serbisë dhe sigurisht që unë do të doja që këtij unifikimi t’i bashkohet edhe opozita. Sepse ne mund të kemi dallime të ndryshme për çështje të ndryshme programore e ideologjike por assesi për qëndrimet tona përballë Serbisë. Çka ka ndodhur në të kaluarën është se kemi parë në vazhdimësi lëshim pe përballë Serbisë sa herë që ka pasur një kërkesë nga Beogradi, nga Vuçiqi asnjëherë jo nuk i keni thënë, gjithmonë i keni thënë ‘po’ dhe pasojat e qeverisjeve tuaja po i ndjejmë ne sot edhe me marrëveshjen e vitit 2013, por të mos kishte vullnet qytetar për ta penguar atë marrëveshje sot do ta kishim bosnjëzimin e Kosovës edhe me marrëveshjen për drejtësi ku Serbia ua ka servuar emrat e gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe ju vetëm keni thënë po, i keni detyruar institucionet e drejtësisë të shkojnë në negociata politike me Serbinë ky ka qenë cenimi më i rëndë që ia keni bërë Kushtetutës së Kosovës dhe sistemit të drejtësisë“, tha ajo.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu u shpreh se nuk është e vërtetë që nuk ka prokurorë dhe gjyqtarë në veri të vendit, dhe kërkoi nga opozita të mos i keqinformojë qytetarët.

Ajo madje u shpreh e gatshme që bashkë me shefat e grupeve parlamentare të PDK-së dhe LDK-së të shkojë në veri për të parë se në Prokurori dhe Gjykatë po vazhdon puna.

Haxhiu: Po i keqinformoni qytetarët, ka gjyqtarë dhe prokurorë në veri

“Me dal shefi i GP të PDK-Së dhe LDK-së me thënë nuk ka prokurorë e gjyqtarë në veriun e Kosovës shumë pak është me thënë keqinformim sepse ju në fakt edhe po i keqinformoni qytetarët por edhe i inkurajoni dhunuesit, sepse kur një dhunues kur të sheh duke thënë se nuk ka prokurorë dhe gjyqtarë natyrisht që e bënë një vepër penale... I nderuar zotëri Tahiri a je në gjendje me dhënë dorëheqje nëse ajo çka ka thënë ti është e pavërtetë, tash jam e gatshme bashkë me ty dhe Arbenin të shkoj Prokurori në Mitrovicë dhe në Gjykatë në Mitrovicë aty janë prokurorët dhe gjyqtarët, prandaj mos shpifni dhe mos manipuloni dhe tjetra sot në vend që të flisni për kërcënimet që Serbia po ua bënë qytetarëve serbë në veriun tonë, ju akuzoni pozitën për vendimet e drejta, qeverinë për vendimet e drejta dhe vendimet e ligjshme nuk po bëjmë asgjë më shumë vetëm po e mbrojmë vendin tonë dhe po ky është pozicion i dinjitetshëm”, theksoi ajo.

E pas këtij deklarimi të ministres së Drejtësisë, reagoi shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Ableard Tahiri duke iu drejtuar Albulena Haxhiut si ‘ministre e sanksionuar nga ShBA-ja’.

Tahiri: Ministre e sanksionuar e ShBA-ja nuk e di a ka gjë më të padinjitetshme sesa sanksionimi nga ShBA-ja

“E nderuar ministre e sanksionuar e ShBA-së nuk e di a ka gjë më të padinjiteshme në këtë vend më sesa me u sanksionuar nga SHBA-ja. Prandaj ne po të shohim se njëmend e ke njëfarë sikleti të madh, e ki një telashe të madhe nuk po të zë vendi vend, flet kur flasim ne reagon, del akuzon ne po kërkojmë angazhim të Qeverisë të Kosovës në fuqizimin e sovranitetit dhe shtetit të Kosovës në një pjesë ku tashmë janë larguar rreth 570 policë, ne po kërkojmë angazhimin e Prokurorisë në luftimin e Veselinoviqit dhe Radoçiqit që i kemi përzënë nga Kosova. Fatkeqësisht ju të sanksionuarit të ShBA-së keni filluar të krijoni një ambient shumë të pafavorshëm për Kosovën dhe ambient i cili është për krim, korrupsion dhe kontrabandë”, theksoi ai.

E derisa fliste, Tahiri sallën plenare e lëshoi e para e drejtësisë kosovare, Albulena Haxhiu karshi të cilës, shefi i grupit parlamentar të PDK-së kërkoi dorëheqjen.

Tahiri: Unë me qenë në situatën tënde vërtet kisha dhënë dorëheqje

“Unë me qenë në situatën tënde vërtet kisha dhënë dorëheqje, kisha dhënë dorëheqje sepse është e turpshme me ushtrua pozitën e ministres së Drejtësisë një ministreje që sanksionohet prej ShBA-së”, theksoi ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat