Prokuroria nis hetimet për pretendimet se Besnik Bislimi u kërcënua nga Abelard Tahiri

Aktuale

Prokuroria nis hetimet për pretendimet se Besnik Bislimi u kërcënua nga Abelard Tahiri

Më: 10 nëntor 2022 Në ora: 14:39
Abelard Tahiri dhe Besnik Bislimi

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi pretendon se është kërcënuar sot në seancën plenare nga shefi i GP-së së PDK-së, Abelard Tahiri. Për këtë rast prokuroria ka nisur hetimet.

Lajmin e ka konfirmuar Laureta Ulaj, zëdhënëse në Prokurorinë Themelore të Prishtinës.

“Referuar pyetjes suaj, iu njoftojmë se Prokurori i Shtetit ka autorizuar policinë për ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme lidhur me këtë çështje”, tha Ulaj.

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka dalë në foltoren e Kuvendit dhe tha se shefi i GP të PDK-së, Abelard Tahiri, e ka sharë dhe fyer pasi iu ndal mikrofoni.

“Deputeti Abelard Tahiri nxori një sërë akuzash për ministren Haxhiu, ndërkaq pasi u mbyll mikrofoni në stilin e një banditi që i vendos shurdhuesin armës së tij u kthye kah unë dhe shprehu një sërë kërcënimesh, të cilat pastaj i shoqëroi me sharje dhe fyerje nga ulësja e tij. Do të doja që Prokuroria të merret me këtë rast”, tha Bislimi në foltore.

Për këtë, ‘dëshmitar’ doli ministri i Financave, Hekuran Murati. Ai tha se “mundet ta konfirmojë atë që e tha Besnik Bislimi”.

“Pak minuta më parë isha edhe unë dëshmitar dhe mund ta konfirmoj atë që e tha zvkryeministri Bislimi, se pas mbylljes së mikrofonit duke u kthyer nga foltorja në ulësen e tij, deputeti Abelard Tahiri kërcënoi dhe shajti zv/kryeministrin e parë Besnik bislimi. Ftoj prokurorinë se ishte kërcënim, nuk ishte vetëm gjuhë joparlamentare. Ftoj prokurorinë ta marrë shumë seriozisht kërcënimin e një personi që ka mbajt armë me shurdhues për kaq vite. Tash kush është në këtë siklet po shihet qartë, dikush që detyrohet me shajt e kërcënu, e realisht me i përdor argumentet që po i përdor Vuçiqi kundër Qeverisë së Republikës së Kosovës, me të vërtet po shihet që jeni në siklet të madh”, tha Murati.

Tahiri më pas u kundërpërgjigj duke thënë se Bislimi është në “gjendje të rëndë” dhe se në foltore po flet akuza të pabaza.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat