Cili është dënimi më i madh që SHBA-ja mund t’i bëjë Kosovës, sipas Pecit

Aktuale

Cili është dënimi më i madh që SHBA-ja mund t’i bëjë Kosovës, sipas Pecit

Më: 13 nëntor 2022 Në ora: 08:40
Lulzim Peci

Drejtori i KIPRED-it, Lulzim Peci ka komentuar kundërshtimin e Qeverisë së Kosovës lidhur me kërkesën e SHBA-ve për zgjatjen e afatit për targat ilegale.

Eksperti i çështjeve të sigurisë, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se dënimi më i madh që mundet t’i bëjnë SHBA-ja shtetit tonë është të na thonë “bëni si të doni vet, dhe unë po tërhiqem”.

”Shikojeni se çfarë i kemi bë vetes që nga kundërshtimi i demarkacionit me Malin e Zi deri me tani. Në vend se të ecim përpara, ne e zgjodhëm të bëjmë si të dojmë vetëm ne, dhe ja ku jemi, si vendi më i izoluar në Evropë. Mos të harrojmë se vet Presidenti Biden asokohe si nën-President i SHBA-ve personalisht është angazhuar që të mbledhim mend, por ne me një krenari të injorantit vazhduam me tonën,” ka shkruar ai.

Siç thotë ai, në marrëdhëniet ndërkombëtare mos kompromisi është armiku më i madh i më të mirës së mundshme. Ndërkaq, përmend dy nga ngjarjet më historike për Kosovën marrëveshjen e Rambujesë dhe planin e Ahtisaarit.

”Plus ky argumenti se është kundërshtuar Rambujeja dhe plani i Ahtisarit qe e solli pavarësinë e Kosovës, pasi është kërkuar më e mira, më se paku që mund të thuhet është infantil. Cilat kanë qenë alterativat e kundërshtimit si të Rambujesë dhe Ahtisarit? Padyshim se ato do ishin mos- intervenimi i NATO-s dhe mospavarësimi i Kosovës”.

“Dëshira për të kërkuar më të mirën e dëshiruar por të pamundshme, që nënkupton mos- kompromisin, në marrëdhëniet ndërkombëtare bëhet armiku më i madh i më të mirës se mundshme,” përfundoi ai. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat