“Milicitë e Kremlinit në zemër të Europës” - në Kosovë / Kush do t’ju dal përpara!?

Aktuale

“Milicitë e Kremlinit në zemër të Europës” - në Kosovë / Kush do t’ju dal përpara!?

Idriz Morina Nga Idriz Morina Më 13 nëntor 2022 Në ora: 18:32
Foto ilustrim, forcat ruse të ushtrisë private Wagner

A është veriu, një nga zonat më të armatosura? Besohet se që nga lufta në Kosovë, Serbia ka ruajtur armatim nëpër deponi të ndryshme ekzistuese armësh, dhe më pas janë hapur edhe të reja.

Numri i armëve që janë aty nuk dihet, madje as lloji. Por, pavarësisht pasjes së një armatimi të madh, Serbia ka vazhduar të financojë dhe të fusë armë, edhe pas situatës së krijuar së fundi.

Kriza e krijuar në veri, duket se po ju jep shans jo vetëm ideve, por edhe shfaqjes së projeksioneve të ndryshme.

Vendet e lëna zbrazët në Policinë e Kosovës në veri nga serbët, kanë krijuar një situatë edhe më të paqëndrueshme. Jo se ata ishin luajal ndaj Kosovës, por për shkak se shumë prej tyre mund të kenë veshur uniforma të tjera, dhe tani ata mund të provokojnë një mosbindje civile, e cila më pas do të jetë më e vështirë të kthehet në normalitet.

Në fakt, ende nuk ka në publik ndonjë skenar të qartë se çfarë po synon Serbia, një shtet i njohur botërisht për programe dhe skenarë dhune, të shtypjes, vrasjes masive dhe gjenocidit ndaj fqinjëve.

Image
Njësia speciale elitare e Kosovës

Pjesëtarë të ushtrisë private ruse Wagner

Frikës për një shpërthim të konfliktit, i është shtuar edhe interesimi që vie nga mediat perëndimore si Italia. Njëra prej mediave të saj, më të dëgjuara në shtypin e shkruar La Repubblica, brenda një jave i kushton dy artikuj ngjarjeve në veri, në të cilët ajo shprehë dyshimin, se mund të jenë futur në Kosovë pjesëtarë të ushtrisë private Wagner, e njohur për luftën e saj në Ukrainë, por edhe në gjithë botën thuaja ku kishte luftëra.

“Në kufirin e Kosovës hija e Wagner: milicitë e Kremlinit në zemër të Europës”, është mesazhi i shkrimit të La Repubblica, e cila ia ka kushtuar Kosovës, përkatësisht brishtësisë së situatës në veri.

Sipas këtij mediumi, i cili e citon ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçlën, rusët kanë hyrë disa herë në Kosovë: “E dimë se rusët e kanë kaluar disa herë kufirin gjatë protestave në veri”.

Kufiri është kaluar disa herë nga agjentët rusë. “Por, prej një viti, një periudhë që përkon – jo çuditërisht – me rindezjen e tensionit mes komunitetit serb dhe shqiptar, shtigjet e gjurmuara nga kontrabandistët janë shkelur rëndë nga spiunët rusë”, shkruan ky medium italian.

Ajo që vë më shumë në shqetësim edhe ky medium është se lëvizjet e rusëve, nuk janë thjesht një aleancë apo një shprehje e interesit për serbët. Dyshimi kryesor është se ata janë "milicitë e Kremlinit”!

Ky interpretim apo informacion, e bën të besueshme tezën, se Serbia dhe Rusia kanë marrëveshje të nënshkruara se si duhet të sillen ndaj Kosovës, pra, që ta sulmojnë së bashku.

Përndryshe si është e mundur në kohën që e gjithë Europa, Perëndimi me NATO-n, janë duke iu kundërvënë Rusisë, me tërë ndihmën për Ukrainën dhe njëkohësisht edhe duke i dërguar armë, që të lejojnë rrezikimin e sigurisë së Kosovës, paqes, pikërisht nga trupat ruse. Përkatësisht nga bashkëveprimi i tyre me serbë e me Serbinë, para së gjithash.

Nëse rusët po hyjnë në Kosovë, ata nuk kanë rrugë tjetër, veçse ta bëjnë këtë nga Serbia, dhe si është thënë sa herë, dhe në këtë artikull. Por, nëse kjo po ngjet, atëherë Perëndimi duhet të reagojë ashpër, dhe të provojë ta sanksionojë Serbinë, para se të jetë vonë dhe të ketë shpërthyer ndonjë konflikt. Veçmas, pasi këto veprime të armatosura po besohet se po ndodhin në zemër të Europës!

Image
KFOR-i i gatshëm për ndërhyrje

Rrezik për provokime dhe vrasje

Sa më shumë rus dhe grupe kriminale në veri, gjasat për incidente, vrasje, janë në rritje.

Kjo e bën situatën edhe më delikate, ndërsa si zgjidhje, më e mira do të ishte, që të ndodhë ajo, që Sonja Biserko, e promovon, si ngjarje e rrejshme, që presidenti i Serbisë Vuçiqi, po e shfrytëzon për të ushtruar trysni ndaj Perëndimit, dhe se në fund do të kthehen në institucione.

Në rastin e dorëheqjes së deputetëve ka nisur procedura e zëvendësimit të tyre. Fillimisht do të provohet me 9 veta nga Lista serbe, dhe një nga një parti që nuk kishte hyrë në Kuvend. Kjo ndodh pasi Lista Serbe, nuk kishte kandiduar me më shumë se 10 kandidatë për deputet, përveç 10 vendeve të garantuara (kishte garuar me dyfishin 20, por që një është fshirë nga lista, për shkak të një vepre penale) edhe pse maksimumi i lejuar është 110 veta.

Me shumë gjasë shumica e kandidatëve të Listës serbe nuk do ta pranojnë këtë, mbase edhe asnjë prej tyre, dhe pastaj mundësia u jepet kandidatëve të dy partive të tjera që ishin në garë, dhe që së bashku nuk i kanë pasur më shumë se tetë kandidat. Por, sidoqoftë, zëvendësimi i deputetëve problematikë serb, përveç se e normalizon Kuvendin, i jep shans një mendimi politik paksa më racional serb, dhe po ashtu mund të ketë efekt, që këto dy parti serbe të merren edhe në Qeveri, dhe që të plotësojnë vendet vakante të mbetura nga Lista, e cila kontrollohet plotësisht nga Beogradi.

Një situatë e ngjashme do të jetë edhe me kryetarët e katër komunave në veri. Në njërën anë janë hapur procedura për një provës zgjedhor, por në situatën aktuale, vështirë se mund të ndodhë diçka e tillë.

Edhe në rast kthimi të përgjithshëm, si në polici, prokurori, gjyqësi, duhet të shfrytëzohet ky rast për filtrim, që disa eksponentë të krimit dhe të Serbisë, të mos lejohen të rifuten në sistem, sepse nga aty askush nuk i detyroi të largohen, vetëm se vet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat