“E kishte rrahur deri në gjakosje një person brenda stacionit policor”| Konfirmohet aktakuza ndaj ish-policit Haris Kelmendi

Aktuale

“E kishte rrahur deri në gjakosje një person brenda stacionit policor”| Konfirmohet aktakuza ndaj ish-policit Haris Kelmendi

Më: 14 nëntor 2022 Në ora: 13:53
Haris Kelmendi

Gjykata e Apelit ka marrë vendim, me të cilin ka konfirmuar aktakuzën ndaj ish-policit Haris Kelmendi dhe policit Agon Hyseni, të akuzuar se në qershor të 2018-ës, kishin keqtrajtuar të dëmtuarin derisa e kishin ndaluar në stacionin policor.

Ata po akuzohen se kanë kryer veprën penale “Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike”. Kurse, Kelmendi po akuzohet edhe për veprën penale “Pengimi i të provuarit apo procedurës zyrtare”.

Në vendimin e siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, thuhet se Gjykata e Apelit ka refuzuar si të pabazuar ankesën e mbrojtësit të të akuzuarit Kelmendi, avokatit Naim Rudari.

Këtë ankesë, avokati Rudari e kishte ushtruar pasi që Gjykata Themelore në Prishtinë, pas kthimit të rastit në rivendosje nga Apeli, kishte marrë vendim me të cilin e kishte konfirmuar aktakuzën ndaj Kelmendit e Hysenit.

Mirëpo, sipas vendimit të Apelit thuhet se pretendimet ankimore të mbrojtësit të të akuzuarit Kelmendi nuk janë të bazuara, pasi që sipas Apelit, aktvendimi i gjykatës së shkallës së parë me të cilin është refuzuar kërkesa për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave është i bazuar, i drejtë dhe i ligjshëm.

“I njëjti nuk përmban shkelje për të cilat pretendohet në ankesë, e as që ka shkelje tjera të cilat kjo gjykatë çdo herë i vëren detyrimisht sipas detyrës zyrtare dhe sipas vlerësimit të kolegjit penal të Gjykatës së Apelit aktvendimi i ankimuar është i qartë dhe korrekt, arsyetimi i tij është në përputhje të plotë me dispozitivin”, thuhet në vendimin e Apelit.

Ajo çka është relevante sipas Gjykatës së Apelit, është fakti se aktakuza si e tillë është përpiluar në pajtim me nenin 241, paragrafi 1 të Kodit të Procedurës Penale dhe e njëjta nuk përmban të meta të atilla që e pamundësojnë vazhdimin e procedurës penale.

Tutje, thuhet se aktakuza mbështetet në prova thelbësisht të mbështetshme dhe të marra konform dispozitave ligjore.

Mes tjerash, në vendimin e Apelit thuhet se pretendimet ankimore të mbrojtësit Rudari lidhur me deklaratën e të dëmtuarit si dhe deklaratat e dëshmitareve janë të pabazuara, sepse sipas Apelit ngjarja e paraqitur nga mbrojtësi i të akuzuarit nuk mund të shqyrtohet në këtë fazë të procedurës penale, për faktin se gjykata nuk është e autorizuar të bëjë vlerësimin e provave në këtë fazë të procedurës.

Ndryshe, më 27 shtator 2021 Gjykata Themelore në Prishtinë kishte marrë aktvendim me të cilin i kishte refuzuar si të pabazuara kërkesat e mbrojtësve për hudhjen e aktakuzës dhe kundërshtim të provave.

Kundër këtij aktvendimi, ankesë kishte ushtruar mbrojtësi i të akuzuarit Kelmendi, avokati Naim Rudari, për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale, për shkak të shkeljes së ligjit penal dhe për shkak të vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike.

Gjykata e Apelit pas vlerësimit të të gjitha shkresave të kësaj çështje juridike penale, kishte gjetur se ankesa është e bazuar, ashtu që vendimin e gjykatës së shkallës së parë e kishte kthyer në rivendosje.

Ndryshe, për këtë rast, i akuzuari Kelmendi ishte arrestuar nga Policia e Kosovës, nën dyshimin se gjatë vitit 2018 ka keqtrajtuar fizikisht një 18-vjeçar, në stacionin policor të Prishtinës.

Sipas aktakuzës së ngritur më 2 prill 2021, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Haris Kelmendi po akuzohet së më 26 qershor 2018 në Stacionin Policor Qendra, në Prishtinë, në cilësinë e personit zyrtar (zyrtar policor), derisa ishte duke e trajtuar të dëmtuarin L.R lidhur me një rast si i dyshuar, gjatë procedimit të rastit i akuzuari me dashje e ka keqpërdorur detyrën apo autorizimet e tij.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari Kelmendi ka keqtrajtuar të dëmtuarin L.R, në atë mënyrë që i ka shkaktuar dhimbje fizike dhe psikike me formë veprimi në trupin-subjektin pasiv duke e goditur fuqishëm me shuplakë në fytyrë nga e cila goditje i dëmtuari rrëzohet.

Kurse, i akuzuari Agon Hyseni në vendin dhe datën e lartcekur po ashtu në cilësinë e personit zyrtar (zyrtar policor) gjatë procedimit të rastit, me dashje ka keqpërdorur detyrën apo autorizimet zyrtare, duke keqtrajtuar të dëmtuarin Rama në atë mënyrë që duke e goditur me duar në trup (duke ia drejtuar armën zyrtare dhe duke ia futur në gojë) me fjalët se “a po të duket mirë kur po jua shtini armën personave gjatë grabitjes” si dhe gjatë kohës sa ka qenë në Stacion Policor ka lejuar të incizohet keqtrajtimi i të dëmtuarit, me çka e ka cenuar rëndë dinjitetin e të dëmtuarit.

Me këto veprime, ata po akuzohen se kanë  kryer veprën penale “Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike” nga neni 195, paragrafi 1 të Kodit Penal.

Tutje, në dispozitivin e dytë të kësaj aktakuze thuhet se më 29 janar 2021, në Prishtinë, i akuzuari Kelmendi fillimisht e thërret përmes telefonit të dëmtuarin L.R, duke kërkuar nga i njëjti që ta tërheq deklaratën e dhënë në Inspektoratin Policor, të cilën kërkesë i dëmtuari e ka refuzuar.

Gjithnjë sipas aktakuzës, menjëherë pas kësaj i dëmtuari ka pranuar edhe një thirrje tjetër ku i është kërkuar t’ia lehtësojë deklaratën kundër të akuzuarit, pastaj i akuzuari e ka thirrë me telefon hetuesin e IPK-së, Fitim Zeneli, duke u munduar që të parandalojë apo vonojë nga komunikimi i informatës hetuesit e tjerë të autorizuar, prokurorit apo gjyqtarit lidhur me kryerjen e veprës penale.

Për këtë, Kelmendi po akuzohet se ka kryer veprën penale “Pengimi i të provuarit apo procedurës zyrtare” nga neni 386, paragrafi 1, pika 1.3 të Kodit Penal.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat