Vrau gruan me 14 plumba, Supremja vendos për zbutjen së dënimit për Bajram Veliajn

Aktuale

Vrau gruan me 14 plumba, Supremja vendos për zbutjen së dënimit për Bajram Veliajn

Më: 14 nëntor 2022 Në ora: 20:23
Bajram Veliaj

Bajram Veliaj i shpallur fajtor për vrasjen e gruas së tij, do të mbajë burg vetëm 25 vjet. Edhe Gjykata Supreme ashtu sikurse ajo e Apelit, ka vendosur që Veliajt, të i zbutet dënimi, nga burgimi i përjetshëm të cilën e kishte shqiptuar Gjykata Themelore në Prizren

Pasi e qëlloi me 14 plumba, Bajram Veliaj kishte mbuluar trupin e bashkëshortes së tij të vrarë me një fustan të saj. Ky veprim i Veliajt, është konsideruar si rrethanë lehtësuese, nga Gjykata e Apelit e ajo Supreme, të cilat kanë vendosur për zbutjen e dënimit të tij.

Gjykata Themelore në Prizren, në tetor të vitit të kaluar, e dënoi me burgim të përjetshëm, Bajram Veliajn, për vrasjen e bashkëshortes, teksa ky dënim u ul në 25 vjet nga Gjykata e Apelit.

Në arsyetimin 4 faqësh të Supremes, ndër të tjera zbutja e dënimit është arsyetuar se shkalla e parë edhe rrethanat lehtësuese i ka konsideruar rënduese.

“Gjykata e shkallës së dytë me të drejtë ka konstatuar se pretendimet ankimore të mbrojtësit janë të bazuara, ngase rrethanat rënduese të konstatuara nga gjykata e shkallës së parë, kanë të bëjnë me elemente përbërëse të veprës penale për të cilën i akuzuari është shpallur fajtor, ndërsa disa nga rrethanat rënduese, në fakt, janë rrethana lehtësuese dhe atë sidomos sjellja e të dënuarit pas kryerjes së veprës penale, kur i njëjti me shami e mbulon kufomën, pastaj mënyra tinëzare – dinake e kryerjes së veprës penale ngase në bazë të mënyrës së vërtetuar të kryerjes së veprës penale të vrasjes, nuk ka rezultuar se është kryer në mënyrë dinake-tinëzare, ashtu siç ka konstatuar edhe vet gjykata e shkallës së parë, fakti se i akuzuari pas kryerjes së veprës penale ka informuar familjarët e tij po edhe të ndjerës si dhe duke mos i marrë parasysh rrethanat lehtësuese të cilat kanë ekzistuar në anën e të dënuarit, e të cilat gjykata e shkallës së dytë i ka vlerësuar dhe të cilat rrethana kanë ndikuar në uljen e dënimit dhe shqiptimin e dënimit të cekur më lartë”, ka thënë Gjykata Supreme.

Ky aktgjykim, ndonëse është vendosur nga kolegjiumi, në korrik të këtij viti, ai ende nuk u ka shkuar palëve të përfshira në këtë rast. Kjo është konfirmuar nga Arianit Koci, avokat mbrojtës i familjes së të ndjerës.

Të njëjtën, e ka thënë edhe avokati i Bajram Veliajt, Orhan Rekathati. Nga Gjykata Supreme, kanë thënë se vendimi i është dërguar Gjykatës Themelore, në Prizren e cila është e obliguar ta shpërndajë tek palët.

Tutje në vendimin e Supremes, thuhet se burgimi i përjetshëm, aplikohet vetëm në rastet kur vepra e rëndë penale është kthyer në rrethana veçanërisht rënduese, ose ka shkaktuar pasoja të rënda, çka në rastin konkret nuk është vërtetuar.

“Po ashtu, kjo gjykatë gjen se gjykata e shkallës së dytë, ka arsyetuar dhe ka dhënë arsye të mjaftueshme ligjore me të cilat pajtohet edhe kjo gjykatë se pse i ka shqiptuar të dënuarit, dënimin me burgim në kohëzgjatje prej 25 (njëzetepesë) vite, për veprat për të cilat është shpallur e edhe duke u nisur nga fakti se me dispozitën e nenit 41 par.1 nënpar.1 të KPRK-së, parashihen në mënyrë specifike kushtet për shqiptimin e dënimit me burgim të përjetshëm. Pra, atëherë kur vepra e rëndë penale është kryer në rrethana veçanërisht rënduese ose kur ka shkaktuar pasoja të rënda e që në rastin konkret nuk është vërtetuar se kemi të bëjmë me rrethana veçanërisht rënduese të kryerjes së veprës penale, çka e bënë pretendimin të pabazuar”, ka thënë Gjykata Supreme.

Në aktgjykimin e shkallës së parë të Gjykatës në Prizren, trupi gjykues e ka arsyetuar dënimin e përjetshëm me faktin se nuk kishte arritur të gjej asnjë rrethanë lehtësuese për të akuzuarin.

Bajram Veliaj akuzohej për vrasje të rëndë, pasi sipas Prokurorisë pas një mosmarrëveshje, në gusht të 2019-s, kur gruaja e tij Armanda Aliu kishte tentuar të ikte, Veliaj e kishte qëlluar 42 vjeçaren me 14 plumba në pjesë të ndryshme të trupit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat