Bashkimi kombëtar / Unifikimi dhe vjedhja e librave

Aktuale

Bashkimi kombëtar / Unifikimi dhe vjedhja e librave

Nga: Idriz Morina Më: 15 nëntor 2022 Në ora: 20:02

Gjermania sapo është tronditur nga një skenar i mundshëm lufte. Sipas mediave gjermane Rusia është duke u përgatitur për pushtimin e Europës. Ushtria gjermane është urdhëruar për pozicione lufte.

Ndërsa, kemi probleme me gjendjen në veri, të trazuar nga Serbia, ne nuk po arrijmë të unifikojmë as disa libra, lëre më një ushtri.

Refuzimi i gjendjes së shqiptarëve

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ende provon të shitet si një patriot, një udhëheqës i shqiptarëve, gjë që e thotë vetë në deklarime të ndryshme, përfshirë në shënimet në rrjetet sociale, por nuk bën thuaja asgjë për bashkimin e shqiptarëve.

Përveç se nuk flet asgjë për shkeljen e të drejtave elementare të shqiptarëve në Greqi, për mohimin e identitetit të miliona arvanitasve, shumë prej të cilëve tashmë kanë filluar ta mësojnë edhe gjuhën letrare shqipe, nuk i intereson çështja e shqiptarëve në Maqedoninë Veriore, s’ka se si t’i interesojë veriu i Kosovës.

Ai edhe hapur, madje edhe pas shkuarjes së Thaçit në paraburgim në Hagë, vazhdonte të proklamonte ndarjen e Kosovës – shkëmbimin e territoreve si zgjidhje të duhur.

Shqipëria që pengon dhe refuzon unifikimin e teksteve shkollore, të cilat përveç tjerash do t’i ulnin edhe shpenzimet për tekstet, por edhe manipulimet, dhe mbi të gjitha do të rritnin nivelin apo cilësinë e librave shkollor, jep shpresa të rrejshme nëpërmjet kryeministrit të saj, Edi Rama.

Edhe Kosova duket se nuk është e gatshme ta zgjidhë çështjen e librave shkollor, që të bëjë një hap më shumë, për të krijuar kushte, që të gjithë librat të jenë unik, një botim.

Këtë shqetësim e ka ngritur sot në Komisionin Kuvendar për Arsim dhe Shkencë, prof.Dr.Jahja Kokaj, i cili përveç se ka kërkuar unifikim të teksteve ka shkuar edhe më tej, duke e quajtur tradhti kombëtare, refuzimin për unifikim.

Të unifikohen tekstet mes Kosovës dhe Shqipërisë, jo vetëm abetaret... është tradhti kombëtare nëse dikush nuk e pranon këtë unifikim të teksteve”, ka thënë prof.Dr. Kokaj në takim.

Nëse nuk është tradhti kombëtare, së paku është një mashtrim i madh dhe madje i shumëfishtë, dhe më tej kjo ndodhë për shkak të përfituesve të ndryshëm ekonomik. Përfitojnë autor librash, përfiton zinxhiri MASHT-Shtëpi botuese etj.

Vjedhje librash?

Një shqetësim të tillë vazhdimisht e ka ngritur profesori i fizikës në pension Dr.Rasim Bejtullahu, që vazhdon të ligjërojë në UP.

Ai e ka përshkruar situatën me librat shkollor shumë dramatike, duke iu referuar si vjedhje në grup, por që askush nuk ndërmerrë asgjë, dhe pavarësisht se akuzat bëhen nga një pedagog, si Bejtullahu.

“Unë tërë jetën jam marrë me matematikën e natyrës, ashtu që parasysh mu kujtua Ministria e Arsimit e cila mi vjedhi plotësisht 4 libra të Njeriu dhe Natyra, që unë përpiluesi i programeve të të gjitha niveleve nuk arrita as të rangohem në nivel alternativ”, ka shkruar Bejtullahu në faqen e tij në Fb, teksa ishte ulur të relaksohej pas ligjëratës së mbajtur studentëve në UP.

Teksa shprehë pakënaqësinë e vet, për atë që i ka ndodhur në mënyrë të përsëritur, profesori Bejtullahu, është i habitur se si i kontestohet kompetenca e tij, nga jo kompetentët.

“Unë nuk fitova asgjë nga gjithë ajo punë që bëra disa vite, edhe pse ndjehem ekspert i rrallë i integrimit të shumë programeve në një program sikurse është lënda Njeriu dhe Natyra. Arsyeja qëndron se në Ministri të Arsimit domenet e hajnisë nuk janë nën kontroll të kryeministrit aktual, njashtu si domenet magnetike, pa intervenu njeriu, ngase dikush duhet ti rreshtojë”, shkruan Bejtullahu duke shpresuar se kritikat e tij do të bien në vesh edhe të Kryeministrit.

Por, më habitëse është akuza e drejtpërdrejtë, që sipas profesorit, për të vazhduar kjo gjendje: “Aty bëhet luftë se kush mund të vjedhë më shumë”.

Sipas Bejtullahut, për të fituar garën përkatësisht, që libri i juaj të zgjidhet për mësimdhënie, duhet dhënë para, duhet ushtruar korrupsion.

“Dhe ne, që nuk kemi lek me dhënë nuk fitojmë asgjë.... Mos mendoni se kur shkruaj se blofoj dhe shprehi ambiciet e mija. Jo, unë jam shkencëtarë dhe akoma mbaj leksione të zgjedhura dhe reagoj vetëm për keqpërdorimet e një grupi të hajnave në ministri që, akoma nuk doli dikush që ti rreshtojë si domenet magnetike që bën njeriu për natyrën”, ka shkruar ndër të tjera profesori i nderuar, por si duket i injoruar edhe nga mediat edhe nga institucionet.

Kush do të na bashkojë ne?!

Derisa nuk jemi të gatshëm t’i unifikojmë librat, pyetja themelore është: Kur do të ndodhë bashkimi kombëtar?!

Teksa edhe Gjermania është nën ankthin e një pushtimi apo lufte të mundshme me Rusinë, dhe ne nuk jemi t’i unifikojmë librat, kush do t’i unifikojë ushtritë tona? Kush do të na mbrojë ne, nëse forcat ndërkombëtare detyrohen të largohen, për të bërë më shumë për atdheun e tyre?!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat