Presidenca çeke bashkon deputeten e LDK-së dhe LVV-së – flitet për vizat

Aktuale

Presidenca çeke bashkon deputeten e LDK-së dhe LVV-së – flitet për vizat

Më: 15 nëntor 2022 Në ora: 20:44
Deputetet

Deputetja e LDK-së, Rrezarta Krasniqi, njoftoi se në cilësinë e kryetares së Komisionit për Integrim Evropian, se mori pjesë në takimin Plenar LXVIII të Konferencës së Komisioneve Parlamentare për Çështjet e Bashkimit Evropian të Parlamenteve të BE-së e cila është organizuar në kuadër të dimensionit parlamentar nga Presidenca Çeke e Këshillit të Bashkimit Evropian në Pragë.

Ajo tregoi se temat kryesore që janë zhvilluar ndërlidhen kryesisht me çështjet e rëndësishme të Presidencës Çeke të Këshillit të Bashkimit Evropian, perspektiva e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe vendeve të Partneritetit Lindor, e ardhmja evropiane, autonomia strategjike e BE-së, gjendja në Ukrainë – migrimi dhe rindërtimi i saj.

“Gjatë fjalimit tim kam përmendur disa çështje kryesore të cilat janë me interes të përbashkët, ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian, si: interesi i përbashkët në aspektin e sigurisë, promovimi dhe mbrojtja e vlerave demokratike dhe mbështetja e tyre, çështjet ekonomike dhe gjeostrategjike etj”, shkroi ajo në Facebook, teksa ndau disa fotografi, ku shihet bashkë me deputeten e LVV-së, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni.

“Në veçanti, kam potencuar procesin e vonuar të vendimmarrjes nga institucionet e BE-së për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Në kuadër të kësaj konference kam takuar përfaqësues të ndryshëm të parlamenteve të shteteve anëtare të BE-së, por edhe të institucioneve të BE-së”, përfundoi ajo.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat