​Peleshi: Inkurajojmë dialogun për zgjidhjen e problemeve në veri të Kosovës

Aktuale

​Peleshi: Inkurajojmë dialogun për zgjidhjen e problemeve në veri të Kosovës

Më: 15 nëntor 2022 Në ora: 21:09
Niko Peleshi

“Shqipëria inkurajon dialogun për zgjidhjen e problemit në veri të Kosovës”, deklaroi sot ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi gjatë vizitës në Korçë, i pyetur nga gazetarët për tensionet në veri të Kosovës. Peleshi tha se Kosova është në të drejtën e vet kur kërkon reciprocitet me Serbinë.

“Komenti im është ai i qeverisë shqiptare, e ka bërë të njohur publikisht Kryeministri. Ne jemi për zgjidhjen me dialog, pra inkurajojmë dialogun. Natyrisht që Kosova është në të drejtën e vet të kërkojë reciprocitetin, të kërkojë zbatimin e ligjshmërisë në të gjithë territorin e vet. Kosova është një shtet i pavarur, ka sovranitetin e vet të pacenueshëm padyshim, por vetëm rruga e dialogut, dialogu është ai që do të zgjidhë të gjitha çështjet ndërmjet shteteve tona drejt destinacionit të vetëm të Ballkanit Perëndimor që është integrimi në strukturat euroatlantike”, tha Peleshi.

Po ashtu, Peleshi shtoi se integrimi në BE është aspiratë e 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor.

“Ne jemi 3 nga 6 vendet të Ballkanit Perëndimor që gjysmën e rrugës e kemi kryer, pra jemi anëtarë të NATO-s, por jemi ende në rrugëtimin tonë drejt BE-së. Serbia ka axhendë të ndryshme nga ne për sa i përket integrimit në NATO, por të gjithë vendet e tjera rrugën drejt NATO-s e kanë destinacionin e tyre dhe tre prej tyre kanë mbërritur. Pra inkurajojmë dialogun, uljen në tavolinë. Ka disa vite që dialogu po ndodh. Është mirë që të gjitha arritjet të mbahen dhe të ndërtohet mbi to”, u shpreh ministri Peleshi.

Duke folur për situatën në Ukrainë dhe zhvillimet e G20-ës, Peleshi theksoi se nesër mblidhet Grupi i Kontaktit nën drejtimin e Sekretarit të Mbrojtjes së SHBA ku marrin pjesë 55 shtete që janë pro paqes dhe kundër luftës së Rusisë.

Peleshi tha se kjo luftë duhet të përfundojë, pasi ka tronditur ekonominë botërore.

“Kjo luftë duhet të mos kishte filluar por tani duhet të mbarojë sa më shpejt pasi është një luftë që ka cenuar dhe ka prishur ekuilibrat gjeopolitikë. E ka futur botën në një gjeopolitikë të re. Ekonominë botërore e ka tronditur. Edhe në vendin tonë ka inflacion, edhe pse i përmbajtur në krahasim me vende të tjera”, tha ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat