Flasin shqiptarët e Kosovës në Poloni, tregojnë a kanë frikë

Aktuale

Flasin shqiptarët e Kosovës në Poloni, tregojnë a kanë frikë

Më: 16 nëntor 2022 Në ora: 10:59
Foto ilustrim

“Në bazë të informacioneve tona si shoqatë në mesin e qytetarëve shqiptarë-kosovar që jetojnë në Poloni nuk ka frikë, ata janë duke respektuar rregullat dhe apelin qeverisë lokale që është aty“, kanë thënë nga shoqata Poloni-Kosovë.

Shteti polak ende nuk ka dal me qëndrim zyrtar rreth sulmit me raketa në territorin polak ku mbetën të vdekur dy persona në një fshat polak, i cili ndodhet pranë kufirit me Ukrainën.

Ndonëse, sulmi është bërë me raketa të prodhimit rus dhe dyshimet u orientuan të jenë bërë nga Rusia, qeveria polake në bashkëpunim me NATO-n po vazhdon hetimet para se të jap versionin përfundimtar rreth këtij incidenti.

Derisa sot të dërguarit e NATO-s mbajnë një takim urgjent, me kërkesë të Polonisë , vend anëtar i NATO-s për të diskutuar rreth sulmit, edhe qeveria polake ka thirrur në takim Këshillin e Sigurisë Kombëtare.

Kryetari i Shoqatës Poloni- Kosovë, Haxhi Dulla ka thënë se Këshilli i Sigurisë Kombëtare pritet që sot të dal me deklarim zyrtar pas këtij takimi të thirrur.

Ai ka konfirmuar se institucionet e mbrojtjes së qeverisë polake dhe trupat e NATO-s po ashtu janë duke patrulluar në kufirin me Ukrainën.

“Presidenti polak ka ftuar Këshillin e Sigurisë Kombëtare dhe do të shohim më tutje si do të reagojë, por duhet ta themi se Polonia është në NATO dhe kur është fjala për konflikt lufte ose konflikte të tilla rreth kufirit atëherë dhe NATO-ja është përgjegjëse dhe komunikata të mëtutjeshme ndoshta dhe më të sakta do të jepen bashkërisht nga të dyja palët”.

Megjithëkëtë, Dulla tha situata mbetet e tensionuar dhe ka panik në mesin e popullatës, por sipas tij ajo që po qetëson banorët  është sidomos prezenca e këtyre pjesëtarëve të NATO-s përgjatë kufirit polak me atë ukrainas dhe apelet e vazhdueshme të qeverisë polake për ruajtje të qetësisë.

“Është me rëndësi që tani qeveria polake apelon për qetësi që mos të krijohen manipulime të ndryshme nëpërmjet komenteve. Komunikata që dha qeveria polake mbrëmë është se një raket nga ana e ukrainase është eksploduar në Poloni, brenda territorit polak 5-7 km dhe incidenti ishte i tillë, por, qeveria polake nuk dha asnjë informacion më tepër se nëse raketa ishte ruse apo ishte gjermane, polake…, dmth një raket prodhim rus”.

Dulla potencoi se ditëve të fundit, por sidomos dje ka pasur me qindra raketa ruse të drejtuara në territorin ukrainas shumë afër në kufirin me Poloninë.

“Ato raketa kanë determinimin deri në 200 km kështu që mund të jenë të drejtuara nga një largësi shumë më e lartë se kufiri i Polonisë”, tha ai duke bërë të ditur se situata është e brishtë që nga shkurti i këtij viti.

Siç ka deklaruar ai vërehet një mobilizim i institucioneve të Polonisë. “Në mbrojtje të territorit polak është vënë ushtria polake e cila është pjesë e përditshme e NATO-s. Institucionet publike, ato qeveritare lokale janë kudo në terrene në pjesën e kufirit rreth ukrainas, në kontakt të përhershëm me popullatën dhe sa më afër saj”.

Situata, sipas tij që nga mbrëmë është duke u stabilizuar me angazhimin e qeverisë.

Ai tha se shqiptarët në Poloni janë të vendosur në diametër 200-300 km me kufirin ukrainas dhe në juglindje të Polonisë.

“Në bazë të informacioneve tona si shoqatë në mesin e qytetarëve shqiptarë apo kosovar që jetojnë në Poloni nuk ka frikë, ata janë duke respoektuar rregullat dhe apelin qeverisë lokale që është aty“, tha mes tjerash ai.

Ai ka apeluar te mediat shqiptare që të mos botojnë informacione që tensionojnë situatën. “Prandaj apeloj dhe te mediat në Kosovë në emër edhe të Shoqatës së miqësisë Poloni-Kosovë, gjithë shqiptarëve që janë në Poloni, por dhe polakëve që janë në Kosovë, të mos komunikojmë  informacione të gabuara. Të mos shtojmë nga vetja informacione që mund të tensionojë situatën”, tha ai.

Takimi ugjent i NATOS-s që do të mbahet sot sipas Agjencisë së lajmeve Reuters, duke cituar dy diplomatë evropianë, mbahet në bazë të Nenit 4 të Traktatit të NATO-s. Ndërkaq, Rusia ka mohuar deklaratat e mediave dhe zyrtarëve polakë, se raketat ruse kanë rënë në fshatin polak Przewodo pranë kufirit me Ukrainën.

Rusia filloi pushtimin e fundit të Ukrainës në shkurt 2022 dhe në shtator ajo pretendoi të aneksojë katër rajone të vendit në Federatën Ruse, pas pushtimit dhe aneksimit të Krimesë në 2014.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat