Serbia po luan me skenarin rus / Armatosja e serbëve në veri mund të jetë fatale

Aktuale

Serbia po luan me skenarin rus / Armatosja e serbëve në veri mund të jetë fatale

Nga: Idriz Morina Më: 16 nëntor 2022 Në ora: 22:26
Njësia speciale në veri

Ne nuk mund të heshtim. As nuk mund ta pranojmë se Serbia është duke respektuar vlerat demokratike universale dhe ato europiane në veçanti.

Ajo thellësisht është e ngjizur në politikën dhe interesat ruse, saqë çdo përpjekje për ta interpretuar më ndryshe është thuajse lajthitje.

Sikur Serbia ta kishte në mendje vërtetë integrimin në BE, dhe distancimin nga Perëndimi, nuk do të kishte licencuar edhe mediume ruse, sikurse ndodhi së fundi me “Rusia today”, e cila ka filluar transmetimin online, ndërsa atë televiziv pritet ta bëjë nga 2024-ta.

Serbia nën tutelën ruse

Ndërsa, Bashkimi Evropian e ka ndaluar transmetimin e disa mediave që mbështeste Rusia, në mesin e tyre edhe “Rusia sot”, nga 1 marsi i këtij viti.

Duke i dhënë hapësirë, mediave si Sputnik-ut, një media që mbështet propagandën dhe është pjesë e luftës hibride ruse në Ballkan, e kudo që është e pranishme, dhe me media të tjera ruse, po e dëshmon përcaktimin e saj, antiperëndimor.

Madje edhe vetë mediat opozitare në Serbi, po i vlerësojnë këto hapa si minim të ecjes drejt perëndimit.

Si rrjedhojë ky përcaktim i Serbisë do të duhej të goditej më shumë e më hapur nga vetë BE-ja dhe vendet anëtare të saj, por edhe nga Shqipëria, veçanërisht nga qeverisa, e saj, por që fatkeqësisht kryeministri Edi Rama, ka bërë të kundërtën dhe nuk bëzan fare madje.

Ndërkohë, hapja e kanaleve ruse të komunikimit në Serbi, madje duke propaganduar hapur, se “Kosova është Serbi”, në nxitje të nazifazhizmit serb, edhe sipas ish-ministrit të Jashtëm të Shqipërisë, Besnik Mustafaj, janë përpjekje për ta krijuar një krizë në Ballkan, me synim luftën.

“Ka dëshpërim nga ana e Rusisë, ajo po investon për të hapur një vatër krize dhe tensione, ndoshta dhe luftë në Ballkan”, ka thënë Mustafaj për emisionin “Radar” të Shqipërisë.

Këto raporte sinjifikative, marrin kuptim të veçantë, pas një ngjarje ende të diskutueshme, rënies së një rakete ruse në Poloni, e cila la të vdekur dy qytetar, ndërsa shkaktoi frikë dhe panik tek polakët, nga dyshimet se vendi tashmë po hynte në luftë me Rusinë.

Kjo situatë e re ka bërë që të shtohen thirrjet për paqe, që ta ulin Rusinë në tavolinë për bisedime me Ukrainën. Por, kjo ende duket mjaft e vështirë të realizohet, Rusia ka pësuar shumë humbje së fundi, përfshirë edhe territore të pushtuara, si kryeqendrën strategjike të Khersonit, por humbjet janë të rënda në armatim, konvencional dhe jokonvencional, në ushtarë, ekonomi, financa etj. Në anën tjetër Ukraina as nuk është e gatshme, dhe as nuk ka pse të pranojë pushtimin e tokave të saja nga një shtet agresor si Rusia, pavarësisht fuqisë së saj bërthamore, por që në aspektet tjera të luftës, po humb rëndë.

Luftë për ndryshimin e karakterit ‘mesjetar’

Po ashtu si kemi vlerësuar në disa shkrime, humbja e Rusisë do të ishte tepër e rëndësishme, që të arrihej fitore e kulturës perëndimore, dhe me shpresë se do të ndryshohej karakteri i kësaj Rusie, dhe që më në fund t’i përqafonte dhe pranonte vlerat perëndimore.

Prandaj, rusët po mundohen që nëse nuk arrijnë t’i përfshijnë drejtpërdrejt disa vende në luftë, duan, që ato të hyjnë vet, si në rastin e Serbisë, nga e cila kërkojnë dhe bazuar në marrëveshjet sekrete, që ajo ta godasë Kosovën. Një goditje direkte duket se është eliminuar aktualisht, por duan që vendin ta çojnë drejt një përshkallëzimi të dhunshëm në veri, ku ajo beson se ka forca dhe armatim të mjaftueshëm, për ta nisur konfliktin.

Ndërkohë, që të gjitha informacionet e institucioneve të sigurisë së Kosovës, thonë se Serbia po vazhdon t’i armatosë serbët në veri, dhe madje sipas ekspertëve dhe ish-udhëheqësve në institucione të sigurisë, veriu besohet se ka armatimin më të madh të mundshëm, po kthehet në një bombë me sahat, dhe po pret shkëndijën.

Në këtë kuptim, Kosova duhet që të ushtrojë diplomaci të zgjuar dhe të besueshme, që të sigurojë aleatët kryesorë se mbështetë një zgjidhje më të favorshmen, pa humbje të sovranitetit e integritetit, dhe njëkohësisht që të jetë e gatshme për çfarëdo ballafaqimi, me mbështetje të NATO-s dhe SHBA-ve.

Një skenar, në të cilin forcat tona të sigurisë do të mbështeteshin nga aleatët s’do mend se do të dilnim fitimtar, ndërsa Serbia, do të duhej të pranonte kushtet e reja.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat