Ish-ministri i Mbrojtjes: Buxheti për FSK-në sa për mbijetesë, s’ka rritje pagash e as rekrutime

Aktuale

Ish-ministri i Mbrojtjes: Buxheti për FSK-në sa për mbijetesë, s’ka rritje pagash e as rekrutime

Më: 17 nëntor 2022 Në ora: 18:47
Rrustem Berisha

Qeveria e Kosovës ka miratuar Projektligjin për buxhetin e vitit 2023, i cili pritet të jetë 3 miliardë e 212 milionë euro.

Nga ky buxhet, 123 milionë janë ndarë për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe Ministrinë e Mbrojtjes.

Kjo shumë e ndarë për FSK-në nga Qeveria do të mjafton vetëm për mbijetesën e ushtarëve.

Kështu po thotë ish-ministri i mbrojtjes, Rrustem Berisha.

Berisha tha se buxheti i planifikuar për FSK-në për vitin 2023, nuk parasheh mundësimin e rekrutimit të ushtarëve të rinj.

“Është një buxhet vetëm për mbijetesë nuk ka rritje të pagës. Ky buxhet është vetëm sa me i mbajtë ata pjesëtarë që janë në forcë pa e mundësuar rekrutimin e të rinjve që janë të planifikuar”, thotë Berisha.

Ish-ministri i Mbrojtjes ka thënë se ani pse buxheti për vitin tjetër është më i lartë, përsëri nuk është i mjaftueshëm.

“Nëse ju referohemi kërkesave që ka parashtruar Ministria e Mbrojtjes për buxhetin e vitit 2023, atëherë ky buxhet nuk i përmbush ato pritje. Ky buxhet është mbi buxhetin e vetit të kaluar por nuk është i mjaftueshëm për përmbushjet e objektivave”, u shpreh Berisha.

Ish-komandanti i FSK-së: 123 milionë euro të ndara nga Qeveria për FSK-në, nuk janë të mjaftueshme

Ish-komandanti i FSK-së, Kadri Kastrati shumën e ndarë për buxhetin 2023 nga Qeveria për FSK-në po e vlerëson si të pamjaftueshme.

Kastrati thotë se FSK-ja ka nevoja të shumta për t’i ngritur kapacitetet.

“Është një rritje e buxhetit por mendoj që për me i ngritë kapacitetet është një shumë e vogël dhe Qeveria është dashtë të ndajë më shumë mjete se FSK-ja ka ende nevoja të shumta për me i ngritë kapacitetet”, theksoi Kastrati.

Sipas ish-komandantit, buxheti i ndarë i këtij viti ende nuk është shpenzuar nga Ministria e Mbrojtjes.

 “Uroj që Ministria e Mbrojtjes që i ka shpenzuar të gjitha mjetet që janë paraparë për këtë vit se sa unë kam informacione ende nuk janë shpenzuar. Nëse është një menaxhim i mirë i ndarjes së këtyre mjeteve për FSK-në është një rritje e konsiderueshme dhe deri diku mund t’i përmbush nevojat që i kanë”, u shpreh Kastrati.

Me qëllim që t’i ndihmohet FSK-së, në mars të këtij viti Qeveria formoi Fondin e Sigurisë, në të cilin qytetarët mund të kontribuojnë me të holla.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat