Bislimi: Brukselit i kemi dërguar pesë faqe me qëndrime tona për planin franko-gjerman

Aktuale

Bislimi: Brukselit i kemi dërguar pesë faqe me qëndrime tona për planin franko-gjerman

Më: 17 nëntor 2022 Në ora: 19:19
Besnik Bislimi

Zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi ka thënë se Bashkimit Evropian ia kanë dërguar pesë faqe me qëndrime të Kosovës për planin franko-gjerman për dialogun me Serbinë.

Bislimi tha se janë propozime të Kosovës për të ndryshuar planin franko-gjerman, teksa deklaroi se plani është vetëm fillimi pastaj nisin negociatat.

“Ne i kemi dërguar 5 faqe me qëndrime të tona për këtë plan. Janë propozime tona për me ndryshu planin. Plani është fillimi pastaj fillojnë negociatat, ne përpiqemi që t’i fusim të gjitha rekomandimet tona por nuk varet nga ne kjo, ne nuk e dimë as cilat janë kërkesat e Serbisë në këtë proces”, ka deklaruar.

Po ashtu, Bislimi tregoi se plani franko-gjerman nuk i akomodon dy kërkesa të Kosovës.

“Unë kam thënë që plani nuk i adreson dy brenga kryesore që i kemi ne. E para ka qenë që marrëveshja të jetë finale dhe e dyta që të ketë në qendër njohjen reciproke. Nuk kam thënë që është bazë e mirë për të vepruar, kam thënë në kontekst të këtyre dy elementeve, plani më tepër i akomodon kërkesën e palës serbe në këto dy elemente jo në të tjera”, tha tutje ai.

Sipas tij, Brukseli e ka problem që në publik të prezantohet si plan franko-gjerman, pasi e konsiderojnë se është burimor nga Brukseli.

“Në Bruksel e kanë problem që në publik të prezantohet si plan franko-gjerman meqë konsiderojnë se është burimor nga Brukseli. Ata mendojnë që në këtë kontekst të krizës edhe në Evropë është e pamundur që të arrihet akomodimi i plotë i mandatit të Lajçakut që është marrëveshja finale për normalizim të plotë”, theksoi ai. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat