Bislimi thotë se presioni i opozitës për Asociacionin është rezultat i një urrejtje të madhe të vendit

Aktuale

Bislimi thotë se presioni i opozitës për Asociacionin është rezultat i një urrejtje të madhe të vendit

Më: 17 nëntor 2022 Në ora: 19:33
Besnik Bislimi

Zëvendëskryeministri i vendit, Besnik Bislimi thotë se nuk e kupton presionin që opozita po i bën Qeverisë për themelimin e Asociacionit.

Bislimi theksoi se marrëveshja është nënshkruar në vitin 2013, dhe që atëherë Kosova ka pasur katër kryeministra të cilët nuk e kanë zbatuar këtë marrëveshje.

Ai thotë se ky presion është “rezultat i një urrejtje të madhe të vendit”.

“Unë e kuptoj kur Borrelli e bën këtë kërkesë për arsye se marrëveshjet janë nënshkruar në Bruksel, por se kuptoj kur presioni bëhet nga ata të cilët e kanë shkruar dhe se kanë zbatuar marrëveshjen. Marrëveshja është nënshkruar në 2013. Që nga viti 2013 kanë pasur katër kryeministra të gjithë të cilët e kanë mbështetur aktivisht Asociacionin. Thaçi, Mustafa, Haradinaj dhe Hoti. Asnjëri nuk e ka zbatuar. Tash të njëjtit jo vetëm që bëjnë presion te ne, por edhe dalin ndërkombëtarisht e thojnë që nëse na ktheni neve në pushtet ne e bëjmë Acociacionin”, tha ai.

Bislimi theksoi se “nëse dikush për hir të uljes në një karrige është në gjendje me i shit interesat e shtetit, është me të vërtet e tmerrshme”.

Sipas tij, për Qeverinë është me rëndësi që të drejtat e minoriteteve të jenë të mbrojtura, si në Kosovë, ashtu edhe në Serbi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat