Drejtësia në veri: Mungesa e 145 punonjësve nuk e ndali punën e Gjykatës Themelore në Mitrovicë

Aktuale

Drejtësia në veri: Mungesa e 145 punonjësve nuk e ndali punën e Gjykatës Themelore në Mitrovicë

Më: 18 nëntor 2022 Në ora: 18:09
Albert Zogaj, kryesues i Këshillit Gjyqësor të Kosovës.

Pas zyrtarëve policorë, të radhës që iu bashkuan thirrjes politike, të Listës Serbe, për tërheqje të menjëhershme nga institucionet e Republikës në komunat veriore, ishin punonjësit e drejtësisë.

Brenda këtyre dy javëve punë, prej 7 nëntorit, Gjykatën Themelore në Mitrovicë e braktisën plot 25 gjyqtarë të Themelores e Apelit bashkë e krahas tyre edhe 120 zyrtarë të administratës – që megjithatë nuk kanë ndikuar për asnjë moment që puna brenda institucionit të ndalet.

“Ne realisht e kemi trajtuar këtë çështje me urgjencë në një prej takimeve të Këshillit Gjyqësor dhe patëm edhe një komunikatë për diskutimin që ka ndodhë. Ne kemi pasur qëndrim dhe realisht besoj që javën e ardhshme do të kemi më shumë informata për komplet procesin, por fillimisht kemi qenë të përqendruar që ta mbajmë Gjykatën Themelore në Mitrovicë funksionale”, ka thënë për Klan Kosova, Albert Zogaj, kryesues i Këshillit Gjyqësor të Kosovës.

“Realisht krejt kapaciteti i Këshillit dhe Gjyqësorit është i fokusuar në këtë komponentë që Gjykata Themelore në Mitrovicë të vazhdojë të funksionojë dhe të vazhdojë të japë shërbime për qytetarët. Dhe që realisht dorëheqjet e gjyqtarëve dhe stafit, është numër relativisht i lartë, të diktohen në shërbime minimalisht”.

Zogaj ka njoftuar se për ta mbajtur funksional sistemin kanë transferuar në Mitrovicë gjyqtarë nga degët e rajonit.

“Për këtë qëllim ne kemi koordinuar dhe kemi bërë një plan veprimi bashkë me kryetarin e Gjykatës dhe në mbledhjen e fundit kemi bërë disa lëvizje të disa gjyqtarëve nga degët e Gjykatës së njëjtë në Vushtrri, kemi caktuar edhe disa gjyqtarë që mbulojnë degët e Gjykatës në Zubin Potok dhe Leposaviq, dhe rrjedhimisht edhe stafi është lëvizë për të mbuluar çdo shërbim”.

“Është dhënë asistencë edhe prej Këshillit për disa shërbime që momentalisht nuk mund të mbuloheshin nga stafi i brendshëm për shërbime të caktuara financiare etj, pra sot mund të konfirmoj se Gjykata po funksionon dhe ky është lajm i mirë për gjyqësorin dhe rrjedhimisht edhe për qytetarët që kemi arritur ta mbajmë gjykatën funksionale.”

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat