Prokurori Smith si një hetues dhe arrestues i atyre që krijuan raporte me Putinin / Frikë për familjarët e viktimave

Aktuale

Prokurori Smith si një hetues dhe arrestues i atyre që krijuan raporte me Putinin / Frikë për familjarët e viktimave

Nga: Idriz Morina Më: 20 nëntor 2022 Në ora: 17:46
Viktimat e vrasjeve politike

Xhek Smith, për familjet e viktimave të vrasjeve politike do të mbahet mend si një hero. Për ata që luftonin me mish e me shpirt kundër ndarjes së Kosovës, po ashtu një hero.

Por, edhe për Albin Kurtin e Vjosa Osmanin, ai do të jetë një hero, pavarësisht se mund ta shtypin këtë të vërtetë, pa e theksuar deri më tash. Të gjithë e dimë, se pa rënien, arrestimin e Hashim Thaçit, këta dy nuk mund të vinin në asnjë mënyrë në pushtet, pas përmbysjes së Qeverisë pa zgjedhje. Pra, ai u kthye në një aleat i tyre.

Vetëm arrestimi i Thaçit, në njërën anë dhe humbja e Trampit, i dhanë shans mbajtjes së zgjedhjeve, nga të më të lirat që qenë mbajtur në Kosovë, pasi u gjet shkelja e Kushtetutës në procesin e zgjedhjes së Qeverisë Hoti.

Por, kryengjarja në këtë model ishte arrestimi i Thaçit, i cili jo vetëm çoi në zgjedhjen e presidentit të ri, por e përmbysi klimën dhe shanset e klaneve që i udhëhiqte ai dhe Kadri Veseli.

Natyrisht që prokurori Smith nuk mund të lavdërohet apo vlerësohet pozitivisht nga mbështetësit e Hashim Thaçit dhe të tjerëve që ndodhen në Hagë. Por, as ata që e fyen nuk kishin aspak të drejtë të ndiheshin aq të revoltuar, sepse në fund të fundit, që nga themelimi i gjykatës speciale ka qenë e ditur se në kërkim për arrestim ndër të parët do të jenë Thaçi, Veseli etj.

Image
Ish-kryeprokurori i Hagës Smith, gjatë një seance

Hetimin e Trampit

Kryeprokurori Smith, i emëruar për këshilltar special në hetimin e dokumenteve të marra në shtëpi nga ish-presidenti Tramp, dhe po ashtu udhëheqës në hetimin e ngjarjeve të dhunshme në Capitoll Hill, në trazirat e 6 janarit 2021 në Kongresin Amerikan, të cilat çuan në vrasjen e katër civilëve dhe një polici, është një shenjë e vlerësimit dhe besimit të lartë nga shteti amerikan për të, dhe për punën e deritashme që e ka kryer.

Ndërkohë, Gjykata speciale e ka emëruar pasuesin e përkohshëm të prokurorit Smith, ushtrues detyre të kryeprokurorit për të vazhduar hetime për vrasjet politike, Alex Whiting, i cili deri më tani ka shërbyer në ekipin e Smith. Por, nuk dihet nëse ky ushtrues detyre do të mbetet në krye të Prokurorisë së specializuar apo do të mund të emërohet një prokuror tjetër.

Prokurori Whiting është me kombësi franko-amerikane dhe vlerësohet se ka shumë përvojë, ndërsa zyrës së Smith i qe bashkua gati një vit më pas, në qershorin e vitit 2019, fillimisht si Udhëheqës i Hetimeve, dhe duke filluar nga muaji gusht 2020 si Zëvendësprokuror i Specializuar, sipas njoftimit të bërë nga Dhomat e specializuara.

Po ashtu Whiting kishte hetuar Fatmir Limajn, dhe të tjerët. “Në periudhën midis viteve 2002 dhe 2007, kishte punuar në Gjykatën Ndërkombëtare për krime lufte në hapësirat e ish Jugosllavisë. Gjatë asaj kohe kishte qenë kryeprokurori i çështjes në procesin kundër ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Fatmir Limajt, Isak Musliut dhe Haradin Balajt, si dhe kryeprokuror në hetimin e krimeve të kryera nga Milan Martiçi dhe një serbi nga Bosnja, Dragomir Milosheviç.

Image
Ushtrues detyre i kryeprokurorit në Hagë, Alex Whiting

Ndërsa, prokurori z. Smith nga shkurti 2015 deri në gusht 2017, ishte ndihmësprokuror i parë federal dhe ushtrues i detyrës së prokurorit federal për rajonin e mesëm në Tenësi (Tennessee).

Gjatë periudhës 2010-2015, z. Smith ishte kreu i seksionit për integritet publik në Departamentin e Drejtësisë së SHBA-së, ku ishte i ngarkuar me mbikëqyrjen e procedimit të çështjeve të ndërlikuara për korrupsion publik anembanë Shteteve të Bashkuara.

Nga viti 2008 deri më 2010, z. Smith ishte koordinator për hetime në Zyrën e Prokurorit në Gjykatën Penale Ndërkombëtare (GJPN). Në atë post, ai mbikëqyri hetime delikate të zyrtarëve të qeverive të ndryshme dhe të milicisë, për krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid.

Para detyrës në GJPN, z. Smith ishte në Zyrën e Prokurorit Federal për Rajonin Lindor të Nju Jorkut (New York), ku gjatë nëntë vjetëve pati poste të ndryshme, ndër të cilat kreu i zyrës për paditë penale dhe zëvendësshef i Seksionit Penal. Si kreu i zyrës për paditë penale, z. Smith kishte në vartësi afërsisht 100 prokurorë penalë në një sërë fushash, si korrupsioni publik, terrorizmi, bandat dhe krimi i dhunshëm, si dhe mashtrimet financiare dhe krime të natyrës ekonomike, sipas të dhënave të Dhomave të specializuara me seli në Hagë.

Prokurori Smith qe emëruar Prokuror i Specializuar në maj të vitit 2018 dhe po atë vit në shtator mori funksionin për të hetuar krimet e luftës në Kosovë.

Viktima të vrasjeve politike, familjet lëkunden

Po, a ka ndonjë shpresë për lirimin e të dyshuarve kryesor të arrestuar nga gjykata speciale?

Sigurisht se me largimin e Smith, konspiracionistët do ta shohin këtë si një lëvizje të madhe që e kanë arritur, kundërshtarët e Gjykatës speciale, përfshirë vetë themeluesit e saj. Në momentin aktual, çfarëdo që të thuhet mund të jetë spekulim.

Por, ka në mesin e familjeve, më të dashurit e të cilëve janë viktima të vrasjeve politike, që këtë lëvizje e shohin me dyshim.

Smith ishte kthyer si në një mbrojtës të viktimave, në një shpresë për të gjallët, dhe në një ndëshkues pa hezitim, të atyre që porositën ose i kryen vrasjet politike.

Frika e tyre buron nga dyshimi, se të arrestuarit nga gjykata speciale, dhe të tjerë të dyshuar që janë përmendur se mund të arrestohen kanë krijuar pasuri marramendëse, dhe dyshojnë se mund t’ia arrijnë qëllimit të tyre, na tha të paktën një familjar, që nuk don të identifikohet tani.

Të tjerë mendojnë dhe i japin atribute prokurorit Smith si një hetues dhe arrestues i atyre që krijuan raporte speciale me Putinin apo të raporteve të dyshimta me Rusinë!

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat