Gjukanoviç drejt shkarkimit? Si po e humb Milo betejën me Dritan Abazoviç!

Aktuale

Gjukanoviç drejt shkarkimit? Si po e humb Milo betejën me Dritan Abazoviç!

Më: 21 nëntor 2022 Në ora: 13:22
Dritan Abazoviq dhe Milo Gjukanoviq

Milo Gjukanoviç po e përjeton pa lavdi fundin e vet politik. Shumica parlamentare ka nisur sot procedurën për shkarkimin e Presidentit të Malit të Zi, shkarkim që kërkon edhe vulën nga Gjykata Kushtetuese e këtij vendi.

Komisioni Kushtetues i Kuvendit të Malit të Zi do të shqyrtojë sot propozimin për fillimin e procedurës për të vendosur nëse presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, ka shkelur Kushtetutën.

Më 30 gusht, deputetët e shumicës parlamentare i kanë dorëzuar Kuvendit një Propozim, ku thuhet se pas votimit të mosbesimit të qeverisë së Dritan Abazoviç, Gjukanoviç nuk i propozoi Kuvendit një përfaqësues për përbërjen e qeverisë së re.

Sipas Kushtetutës, Presidenti i Malit të Zi është i detyruar të emërojë një përfaqësues të partive që kanë shumicën e deputetëve në Parlament.

Shkarkimi apo shpallja se Gjukanoviç ka shkelur Kushtetutën, nuk është një proces i lehtë, pasi Mali i Zi po përjeton situatën e Shqipërisë në vitin 2019, ku Gjykata Kushtetuese nuk e ka numrin e anëtarëve për të marrë një vendin. Ndërkohë që në Parlament palët janë ndarë si me thikë ku 41 deputetë janë kundër Milos e 29 pro tij.

Gjikanoviç, pësoi një humbje të rëndë në zgjedhjet lokale ku pas 20 vjetësh partia e tij humbi edhe bastionin politik, kryeqytetin Podgoricë. Për të mos u shkërmoqur më tej, Gjukanoviç kërkon që ta çojë vendin në zgjedhje të parakohshme, por nuk mund ta marrë vetë këtë dekret, pasi duhet që Parlamenti të miratojë një ligj për mbylljen e mandatit.

E kështu, edhe pse Gjukanoviç arriti të sigurojë një shumicë parlamentare për të rrëzuar qeverinë e Dritan Abazoviçit, ai as nuk po e emëron një qeveri të re, e as nuk po e çon vendin në zgjedhje të reja parlamentare.

Dritan Abazoviç, edhe pse qeveria e tij është shkarkuar nga Kuvendi, ai është në detyrë deri sat ë emërohet një qeveri e re. Kështu që e gjithë lufta e Milos ndaj Dritanit, po i sjell njeriut të fortë të Podgoricës një kosto të madhe politike.

Gjukanoviç, përveç erozionit politik brenda vendit, ka humbur edhe monopolin e shikimit si njeriu interlekutor i Perëndimit. Mali i Zi, si pasojë e ekzistencës së një korpusi politik mjaft të gjerë pro-rus dhe pro-serb, ka pasur deri vonë vetëm te Gjukanoviç, të vetmen referencë politike. Por me ngritjen e yllit të Dritan Abazoviçit, tashmë ky realitet ka ndryshuar totalisht. Në rastin e qeverisë së parë kur Abazoviç ishte Zv.kryeministër i Zdravko Krivokapiç, politikani nga Ulqini arriti që ta kushtëzojë mazhorancën qeveritare me 4 votat e tij, duke mbajtur për vete të gjithë dikasteret që garantojnë linjën properëndimore të Malit të Zi.

E kështu, ai e kaloi provën duke treguar se është partner i besueshëm, ndaj dhe ka mbështetje nga SHBA dhe Bashkimi Europian. Abazoviç tashmë është një kingmaker pa të cilin nuk mund të ngrihet asnjë qeveri në vend. Kjo u pa edhe në zgjedhjet lokale, ku votat e URA-s, i dhanë koalicionit të ri të lindur nga grupimi pro-serb që të ketë shumicën e këshilltarëve në bashkinë e Podgoricës. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat