Zgjedhjet në veri, KQZ-ja shtyn afatin për certifikim të partive

Aktuale

Zgjedhjet në veri, KQZ-ja shtyn afatin për certifikim të partive

Më: 21 nëntor 2022 Në ora: 16:29
Foto ilustrim

Afati për aplikim për certifikim të subjekteve politike që ishte paraparë të përfundonte sot, është shtyrë deri më 25 nëntor.

“Në këtë mbledhje, KQZ-ja mori vendim për plotësimin dhe ndryshimin e vendimit për caktimin e afateve të aktiviteteve zgjedhore për zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar në komunat: Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan”, thuhet në njoftimin e KQZ-së.

“Sipas vendimit të KQZ-së, afati për aplikim për certifikim të subjekteve politike dhe kandidatëve i paraparë të përfundojë më 21 nëntor është shtyrë deri më 25 nëntor 2022. Rrjedhimisht, është shtyrë edhe afati për vendimmarrjen e KQZ-së për certifikimin ose jo të subjekteve politike dhe kandidatëve nga 26 nëntori në 28 nëntor 2022”.

KQZ-ja gjithashtu e ka ndryshuar afatin për emërimin e Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve në katër komunat ku do të mbahen zgjedhjet.

“Po ashtu, KQZ-ja ka ndryshuar edhe afatin për emërimin e Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve në katër komunat ku do të mbahen zgjedhjet. Sipas vendimit të KQZ-së ky afat do të shtyhet deri më 28 nëntor 2022. Sa i përket afatit për aplikim për certifikim të subjekteve politike i ka fillur më 15 nëntor, ju njoftoj se deri tani, më 21 nëntor, KQZ-ja ka pranuar dy aplikime për certifikim”.

“Subjekti politik Partia Demokratike e Kosovës ka aplikuar për pjesëmarrje në zgjedhjet e jashtëzakonshme si dhe ka dorëzuar emrat e katër kandidatëve për kryetar në komunat: Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan, ndërsa subjekti tjetër politik Iniciativa Qytetare Mitrovica ka dorëzuar kërkesën për pjesëmarrje në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të komunës së Mitrovicës së Veriut”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat