Natyra Kuçi: Po bëhet hapi që Kosova ta pranojë Asociacionin

Aktuale

Natyra Kuçi: Po bëhet hapi që Kosova ta pranojë Asociacionin

Më: 25 nëntor 2022 Në ora: 00:50
Natyra Kuçi

Zëdhënësja e Partisë Socialdemokrate, Natyra Kuçi, ka komentuar marrëveshjen e arritur për targa mbrëmë në Bruksel, në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Kuçi ka thënë se në Kosovë po legalizohen strukturat paralele serbe, dhe kështu bëhet hapi i radhës që Kosova ta pranojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

“Marrëveshja e arritur në Bruksel në lidhje me targat mes Kosovës dhe Serbisë, edhe një herë e konfirmon atë që PSD-ja e ka paralajmëruar prej kohësh: Në Kosovë po legalizohen strukturat paralele serbe, dhe kështu bëhet hapi i radhës dhe më i madhi që Kosova ta pranojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Përveç këtij hapi, argumenti tjetër që i heq dilemat që në Kosovë do të instalohet Asociacioni, është dakordimi i Qeverisë që të implementohen të gjitha marrëveshjet e deri tanishme mes Kosovës dhe Serbisë, që nga viti 2011. Sigurisht, dialogu që e ka nisur Kurti në binarë të njëjtë dhe me qasje të njëjtë sikurse qeveritë paraprake, nuk mund të dërgojë askund tjetër, përveç Asociacionit”, ka thënë Kuçi.

Zëdhënësja e PSD-së tutje ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje ka ardhur në pushtet me premtimin e madh se do ta nxjerr Kosovën nga kërcënimi i një Asociacionit, por sipas Kuçit, VV sot po e pranon vetë.

“Marrëveshja e arritur në Bruksel, përveç tjerash është edhe tjetërsim i vullnetit të popullit, madje tjetërsim i dyfishtë. Së pari, të krijohet një Asociacion i tillë i cili e bën komplet jofunksional në mënyrë normale shtetin e Kosovës, është tjetërsim i qëndrimeve të dikurshme. Së dyti, ky hap regresiv dhe i dëmshëm i Qeverisë Kurti, është edhe tjetërsim i besimit të qytetarëve. Lëvizja Vetëvendosje ka ardhur në pushtet pikërisht me premtimin e madh se do ta nxjerrë Kosovën nga kërcënimi i një Asociacioni. Sot po e pranon vetë, sikurse qeveritë tjera. Kjo tjetërsim nuk vjen si pasojë e fibrës antikombëtare të Kurtit, por vjen si pasojë e mosdijes dhe arrogancës së tij”, ka thënë tutje ajo.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat