Nesër do të udhëtonte me kolegët për në Shqipëri: Detaje të reja nga vrasja e mësueses në Prishtinë

Aktuale

Nesër do të udhëtonte me kolegët për në Shqipëri: Detaje të reja nga vrasja e mësueses në Prishtinë

Më: 25 nëntor 2022 Në ora: 14:19
Sadije Godeni

Të shtunën e 26 nëntorit, Sadije Godeni kishte planifikuar që të nisej për një shëtitje për në Pogradec me kolegët e saj të shkollës "Dardania" të Prishtinës, aty ku ajo punonte qe 28 vjet si mësuese e gjeografisë. Por shëtitjen me kolegët nuk e bëri 63-vjeçarja.

Fatin, zonja Sadije e pati të tmerrshëm. Ajo u gjet e vrarë me sëpatë mëngjesin e së premtes në shtëpinë ku ajo jetonte vetëm me bashkëshortin, në rrugën "Mark Isaku" të kryeqytetit. I dyshuari për këtë rast është burri i saj 70-vjeçar, Izet Godeni.

Kishte 28 vjet që jepte mësim në shkollën fillore "Dardania" të Prishtinës. Arsimtarja e gjeografisë, Sadije Godeni, asnjëherë nuk kishte munguar në procesin mësimor.

Mungesa e saj e vetme qe të premten. Por kjo mungesë nuk u bë me dëshirën e saj.

Mësuesja e gjeografisë, 63-vjecarja Sadije Godeni, u gjet e vrarë mizorisht në shtëpinë ku jetonte me burrin e saj 70-vjeçar. E i dyshuari për vrasjen e mësueses, është pikërisht burri i saj, Izeti. Ky u vetëdorëzua sot në polici).

Si e kuptuan në shkollë për vrasjen e koleges?

Në orën tetë të mëngjesit, mësuesja e gjeografisë, Sadije Godeni, do të duhej ta kishte nisur mësimin me nxënësit e shkollës fillore "Dardania" të kryeqytetit.

Mungesa e saj në dy orët e para të procesit mësimor e shtyri drejtorin Isak Bregaj që të interesohej për vendndodhjen e mësueses, pa ditur se asaj i ka ndodhur një ngjarje fatale.

"Kam kontaktuar në telefon. Nuk më është lajmëruar. Sikur edhe ju, e kemi pa në media. Kemi thirrë në spital, më kanë dhanë pak detaje, por jo shumë. Ajo ka qenë arsimtare në shkollën tonë, e gjeografisë, e klasave të gjashta dhe të shtata. Ka punuar maksimalisht me nxënës, nuk kemi pasur asnjë vërejtje me të e për të. Ajo dje ishte në zyrë te ne. Kërkonte informacione për vendosjen e notave. Dje nuk më ka dhënë asnjë shenjë që ka qenë e shqetësuar"- tha drejtori i shkollës "Dardania”, ku jepte mësim e ndjera.

E si mësuese të përkushtuar ndaj profesionit e kujtojnë edhe ish-nxënësit e saj.

"Arsimtare më të mirë nuk ka pasur shkolla e Dardanisë. Ka qenë një arsimtare e mrekulllueshme. Ka qenë arsimtare e djalit tim. Ka qenë shumë e urtë, e mirë, e sjellshme. Për atë erdha deri këtu, për me shprehë ngushëllime"- ka thënë Besim Muqiqi, ish-nxënës i mësueses tashmë të ndjerë, Sadije Godeni.

Çka dihet deri më tani për rastin?

Të premten në mëngjes, të gjithë u tronditën nga një ngjarje e rëndë që ndodhi në Prishtinë. Bëhet fjalë për vrasjen e mësueses së gjeografisë, Sadije Godeni, 63 vjeçe, nga burri i saj.

Sipas Prokurorisë, ngjarja makabre ndodhi dikur në orët e para të mëngjesit të së premtes.

“Sot, rreth orës 04:40, në Stacionin Policor Qendra, është paraqitur personi i lartcekur, i cili dyshohet se ka privuar nga jeta bashkëshorten e tij, tani të ndjerën S.G. (1959), me një mjet të mprehtë (sëpatë), në shtëpinë e tyre, në Rr. “Mark Isaku” në Prishtinë”- ka thënë Prokuroria në njoftimin e saj.

Megjithatë, ende nuk dihet motivi i kësaj vrasjeje, sipas prokurorisë.

“Aktualisht, nga hetimet fillestare nuk dihet motivi i kryerjes së këtij akti, derisa Prokurori i Shtetit, brenda afatit ligjor do të ushtrojë kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit, si dhe në koordinim me policinë do të vazhdojë ndërmarrja e veprimeve hetimore për t’i sqaruar në plotëni rrethanat e këtij rasti”- thonë tutje nga prokuroria.

Trupi i viktimës është dërguar për obduksion, ndërsa burri i saj është arrestuar.

"Personi i dyshuar me urdhër të prokurorit të shtetit, është intervistuar dhe i njëjti është dërguar në qendrën e ndalimit, ndërkohë që trupi i pajetë i viktimës, femër 63 vjeçe, është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion"- tha Flora Ahmeti nga Policia e Kosovës.

E fqinjët e tashmë të ndjerës thanë se nuk kanë dëgjuar se çifti ka pasur probleme.

Njëri prej fqinjëve tha Nacionales se çifti ka dy fëmijë, një djalë dhe një vajzë. Sipas tij, djali i tyre gjendet në Zvicër, ndonëse shton se akoma nuk ka ardhur.

“Nuk kemi dëgjuar asnjëherë që të kenë probleme. I kanë dy fëmijë. Djalë e çikë. Djalin e ka në Zvicër. Ai në Zvicër është. Ende nuk ka ardhë”- ka thënë ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat