Nëntë muaj torturim: “E gjallë nuk kthehem te ju”, fjalët e fundit që Hamidja ia tha familjes së vrasësit

Aktuale

Nëntë muaj torturim: “E gjallë nuk kthehem te ju”, fjalët e fundit që Hamidja ia tha familjes së vrasësit

Më: 1 dhjetor 2022 Në ora: 16:37
Hamide Magashi

Për nëntë muaj ishte keqtrajtuar psikikisht e fizikisht. Hamide Magashi nuk u la e qetë gjatë gjithë periudhës së shtatzënisë së saj nga ish-burri.

Dhunë pati edhe në momenetin kur ajo u shtri në spital për ta sjellë në jetë foshnjën që po e mbante në bark nga martesa me Sokol Halilin.

E ishte pikërisht ish-burri ai që në mënyrë të pamëshirshme e vrau 35-vjeçaren një ditë para se ta lindte fëmijën e gjinisë mashkullore që po e mbante në bark. Gazeta ka qëndruar sot te familjet e viktimës e të dorasit të dyshuar. Prej atje jua sjell rrëfimet.

Më 17 shkurt të këtij viti, 35-vjeçarja Hamide Magashi nga fshati Llugaxhi i komunës së Lipjanit vendosi të martohej me Sokol Halilin nga fshati Godanc i komunës së Shtimes.

Por martesa e Hamides e bashkëjetesa e saj me Sokolin pas pak muajve u kthye në makth. Ajo në vazhdimësi pësonte dhunë psikike e fizike nga burri i saj. Rastin e dhunës ajo madje e kishte lajmëruar edhe në policinë e shtetit.

E, si pasojë e dhunës, Hamidja vendosi që gjatë muajit maj të këtij vitit përfundimisht të ndahej nga Sokol Halili.

Por ajo e vetme nuk doli nga shtëpia e dhunuesit. Në bark mbante një fryt të njomë, të cilin kishte vendosur që ta mbante deri në ditën që do të lindte. Bashkë me frytin në bark, Hamidja vendosi që ditët e muajt në vazhdim t’i kalonte në shtëpinë ku ajo ishte lindur e rritur, në fshatin Llugaxhi të Lipjanit.

Edhe pse e ndarë e në proces gjyqësor nga ish-burri Sokol Halili, ai për gjithë këta muaj, në vazhdimësi, po e përndriqte në forma të ndryshme. E përndjekja e tij vazhdoi, edhe kur ajo u shtri në spital për ta lindur foshnjën që e kishte me të.

Por këtë herë, Hamidja 35-vjeçare nuk arriti t’ia dilte e vetme. Ajo u vra me disa plumba pikërisht nga dhunuesi i saj.

Komunikimi i Hamides me familjen e ish-burrit: “E gjallë nuk kthena te ju, e vdekur kthena”

Gjinia e foshnjës, që Hamidja tashmë e ndjerë e mbante në barkun e saj, ishte mashkullore. Ajo ishte në javën e fundit të shtatzënisë. Ishte planifikuar që me operim ta lindte djalin të enjten e 1 dhjetorit.

Por dy ditë para se të futej në operacion, Hamidja u vizitua në spital - në Klinikën Obstetrike Gjinekologjike - nga familja e ish-burrit. Ishin saktësisht nëna e Sokolit, i dyshuar për vrasjen, si dhe motra e tij.

Sipas motrës së viktimës, Burbuqe Brahimi, atë ditë në spital familja e ish-burrit i kishte kërkuar Hamides që të ribashkohej me djalin e tyre.

“Një ditë përpara (të martën), ata (familja e ish-burrit) ishin në spital, ia sollën minelat edhe teshat e fmive aty e ia lanë. Me këmbëngulje i thoshin që të kthehej. Kjo i tha “unë për e gjallë nuk kthehna, e vdekur kthehna. I thoshin për hatër të djalit (foshnjës që e mbante në bark), kjo u ka thanë: "Nuk kthehna, foshnjën jua dha, por unë nuk kthena”- thotë motra e Hamides tashmë të ndjerë.

Ajo thotë se motra e saj kishte thënë se foshnjën do t’ia dorëzonte ish-burrit të saj.

“Djali ka pasë mu dorëzua te familja. Shtatëzëninë e ka mbajtë te baba, k’tu”- thotë ajo.

Pse mjekët e QKUK-së ia shtynë lindjen Hamide Magashit?

Me rekomandimin e mjekut të saj, ku Hamidja e kishte përcjellë shtatzëninë, ajo qe udhëzuar për në QKUK për ta kryer procesin e lindjes. Por lindja e saj nuk u krye sipas rekomandimit të mjekut të saj personal.

Kështu të paktën po thotë motra e Hamides së ndjerë, Burbuqja.

”E kemi çu të shtunën me lindë. I ka thanë doktor Hajrizi: "E ki rastin urgjent me shku me lindë." Kur e kemi çu në spital, kanë thanë "Jo, edhe nja 3 - 4 ditë nuk mundet me lindë”- thotë Burbuqja, motra e Hamides tashmë të ndjerë.

E nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës nuk kanë pranuar që të flasin për këtë çështje.

Familja tregon si e mori vesh lajmin

Motra e Hamides tregon tutje se cili ka qenë komunikimi i fundit me motrën e saj tashmë të ndjerë.

“Dje në mëngjes, unë e kam thirrë. E kam pytë: motër, a je mirë, më tha: mirë jam, motër. I thashë: çka thanë mjekët? Më tregoi qe në orën nëntë nesër (të enjten) në mëngjes ka me lindë me operacion. I tregova qe s’po mundemi me shku atë ditë. Në orën 16:00 ka folë motra e vogël, i ka thanë që mirë është. Në lajme e pashë për vrasjen e një gruaje 36-vjeçare. Unë ja nisa me piskatë, që kjo është motra jeme. I kam thirrë motrat rend edhe ju kam thanë që Hamiden e kanë vrarë”- sqaron ajo.

Çka tha babai i dorasit të dyshuar?

Halil Halili, babai i të dyshuarit për vrasjen e gruas shtatzënë në QKUK, foli duke treguar për gjendjen në të cilën është familja e tij pas kësaj ngjarjeje.

Ai tha se është i mërzitur me rastin, duke shprsuar që ky të jetë rasti i fundit.

“Jam i mërzitur, jam i nervozuar shumë. Shumë keq, shumë keq, shumë keq. E kam një mesazh: ishalla kurrë nuk ndodhin këso rastesh të rënda, të këqia, të liga, se jam shumë i mërzitur. Hiç nuk di sen për ta, ma mirë ai me pasë dekë me gjithë ta, masi e ka vendosë me bo ata, edhe ai me pasë metë qaty. Hiç s’du me pa, as me m'marrë kohë, shumë keq ka bo, shumë keq, tash me gru s’po dijmë çka me bo" - theksoi ai.

Ai tregoi se është përpjekur të komunikojë me djalin e tij, që po vazhdon të jetë në kërkim, por i njëjti, sipas babait të tij, nuk e ka hapur telefonin dhe as nuk ka kthyer përgjigje ndaj mesazheve të dërguara.

“E kam thirrë çdo orë, çdo minutë, kam shkru mesazhe. Ai s’u kanë problematik kështu kurrë, as s’u dalë nëpër kafe kurrë, as s’ka ardhë mas vakti kurrë. As nji send s’ma ka kthy” – theksoi Halili për Nacionalen.

Ai ka treguar se e ka takuar dje gruan shtatzënë, e cila dyshohet se u vra nga djali i tij, Sokoli.

“Na jemi kanë pardje, me ja çu teshat, unë, plaka jeme, çika jeme, edhe ja kanë çu teshat. Edhe i kanë thanë: "A të vyjnë pare për naj nevojë, najsen?", “Jo”,- ka thanë,- “Nuk më vynë kurgjo”. Edhe ma s’di çka foli për këtë punë ma, sen” – theksoi Halili.

Halili ka thënë se ka pasur raporte të mira me të renë, por ka treguar se çifti kishte pasur probleme.

“Valla me neve fort mirë, sikur me çikën tonë. Kanë pasë problem, qysh ka kallxu Sokoli, si ka metë shtatzanë, i kishin pasë do fjalë, do sene, ma thellë nuk di çka me thanë” – përfundoi Halili.

Sokol Halili, i dyshuar për këtë vrasje, ende është në arrati, teksa vetura e tij tashmë është gjetur e parkuar në një shesh të Shtimes.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat