Krasniqi: Integrimi i personave me aftësi të kufizuar, duhet të jetë objektiv shtetëror prioritar

Aktuale

Krasniqi: Integrimi i personave me aftësi të kufizuar, duhet të jetë objektiv shtetëror prioritar

Më: 3 dhjetor 2022 Në ora: 11:27
Memli Krasniqi

Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, në Ditën Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuar, ka thënë se kjo kategori duhet të ketë përkrahjen për dinjitet, të drejta të barabarta dhe përmirësim të mirëqenies.

Ai ka kritikuar Qeverinë Kurti duke thënë se ka lënë anash nevojat e këtyre personave.

Postimi i plotë i tij:

Sot, në Ditën Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuar, avokojmë për mobilizim institucional e shoqëror në përkrahjen për dinjitet, të drejta të barabarta dhe përmirësim të mirëqenies së kësaj kategorie.

Në vend të kësaj, fatkeqësisht në Kosovë, nevojat e këtyre personave janë lënë anash. Qeveria Kurti në projektligjin për rritjen e pagës minimale nuk parasheh lidhjen e saj me pensionin për personat paraplegjikë, tetraplegjikë dhe të verbër, duke larguar nga kompensimi edhe përcjellësit e këtyre personave me arsyetimin se u është përmirësuar gjendja.

Integrimi i personave me aftësi të kufizuar duke u ofruar mundësi punësimi, mbështetje financiare dhe infrastrukturore – duhet të jetë objektiv shtetëror prioritar! Ata kanë nevojë për përkrahje meritore dhe për zbatim të kornizës ligjore që garanton të drejtat e tyre.

Sot, më shumë se kurrë, kemi nevojë të gjejmë zgjidhje transformuese për zhvillim gjithëpërfshirës!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat