​Caka - Nimani u takua me krerët e institucioneve gjyqësore të Francës

Aktuale

​Caka - Nimani u takua me krerët e institucioneve gjyqësore të Francës

Më: 6 dhjetor 2022 Në ora: 12:53
Foto nga takimi

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Gresa Caka - Nimani, qëndroi për vizitë zyrtare disaditëshe në Paris, më 30 nëntor - 2 dhjetor 2022, që u realizua me mbështetjen e ambasadës së Francës në Kosovë.

Në ditën e parë të vizitës, kryetarja Caka-Nimani u takua me kryetarin e Këshillit Kushtetues të Francës, Laurent Fabius, dhe me kryetarin e Këshillit Shtetëror të Francës, Didier - Roland Tabuteau.

Temë e diskutimeve të përbashkëta, në të dy takimet, ishin të arriturat e Kosovës në fushën e sundimit të ligjit, respektimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe lirive themelore në nivel vendi.

Në takimet e ndara me Fabius dhe Tabuteau, kryetarja Caka-Nimani vuri theksin edhe në nevojën e thellimit të bashkëpunimit ndër-institucional ndërmjet institucioneve përkatëse me qëllim të shkëmbimit të përvojave dhe të njohurive praktike në fushat me interes reciprok.

Në ditën e dytë të vizitës në Paris, kryetarja Caka - Nimani zhvilloi një sërë takimesh me zyrtarë të lartë të Senatit francez, të ngarkuar me çështjet politike, legjislative dhe të drejtat e njeriut për rajonin e Kosovës dhe Ballkanin Perëndimor, përfshirë nënkryetaren e Senatit Valerie Letard dhe senatoren Laure Darcos, që gjithashtu udhëheq grupin ndërparlamentar të miqësisë ndërmjet Francës dhe Ballkanit Perëndimor.

Kryetarja Caka - Nimani vizitën në kryeqytetin francez e përmbylli me takimin e përbashkët me kryetarin e Gjykatës së Kasacionit të Francës, Christophe Soulard, me të cilin ndërmjet tjerash diskutuan përkitazi me sfidat në procedurat e kontrollit kushtetues dhe interpretimin uniform të ligjeve në të dyja vendet dhe për mundësitë e bashkëpunimit në të ardhmen ndërmjet dy gjykatave, thuhet në komunikatë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat