EULEX vjen me një reagim zyrtar pas tensioneve në veri, konfirmon sulmin me bombë – ka një thirrje për Qeverinë e Kosovës

Aktuale

EULEX vjen me një reagim zyrtar pas tensioneve në veri, konfirmon sulmin me bombë – ka një thirrje për Qeverinë e Kosovës

Nga: A.M Më: 11 dhjetor 2022 Në ora: 10:29
Foto ilustrim

Situata në veri të Kosovës, gjatë ditës së ndjeshme ka qenë e tensionuar, ku u ngritën barrikada nga serbët lokalë.

Përveç kësaj, edhe u lëshua edhe alarmi i sigurisë, dhe më pas u raportua për disa sulme me shok-bomba, shkruan “Bota sot”.

E për këtë, EULEX-i doli me një njoftim zyrtar për zhvillimet e djeshme në veri.

Përmes komunikatës dërguar medias, EULEX konfirmoi sulmet me shok-bombë ndaj një patrulle vëzhguese.

EULEX dënoi fuqishëm aktet e dhunshme nga personat e armatosur, ku i bëri thirrje institucioneve të Kosovës që autorët t'i sjellin përpara drejtësisë.

Njoftimi i plotë

Sulm me bombë çorientuese ndaj patrullës vëzhguese të EULEX-it

Konfirmojmë se një bombë çorientuese (shok-bombë) është hedhur ndaj një patrulle vëzhguese të EULEX-it mbrëmjen e kaluar (10.12) në afërsi të Rudares. Asnjë zyrtar i Njësisë Policore të Specializuar të EULEX-it nuk është lënduar dhe nuk janë shkaktuar dëme materiale.

Ky sulm, si dhe sulmet ndaj zyrtarëve policorë të Policisë së Kosovës, janë të papranueshme. Ne i dënojmë fuqishëm aktet e dhunshme të kryera nga persona të armatosur në pjesën veriore të Kosovës, përfshirë kundër komunitetit ndërkombëtar.

EULEX-i do të vazhdojë të punojë me vendosmëri për ta mbështetur stabilitetin e Kosovës, në kuadër të mandatit që e ka, si dhe të kontribuojë për sigurinë e popullatës nga të gjitha komunitetet.

Apelojmë te të gjithë ata që janë përgjegjës që të përmbahen nga veprime të tjera provokuese si dhe iu bëjmë thirrje institucioneve të Kosovës që autorët t'i sjellin përpara drejtësisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat