Deklaratat për kthimin e ushtrisë serbe, ministri i Mbrojtjes mesazh Vuçiqit: Kosova ka burra e gra që i dalin zot në çdo kohë!

Aktuale

Deklaratat për kthimin e ushtrisë serbe, ministri i Mbrojtjes mesazh Vuçiqit: Kosova ka burra e gra që i dalin zot në çdo kohë!

Më: 11 dhjetor 2022 Në ora: 15:50
Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj ka reaguar pas deklaratave të zyrtarëve serb, për “kërkesën” e tyre për rikthimin e ushtrisë serbe në Kosovë.

Mehaj ka thënë se deklaratat e Vuçiqit dhe Brnabiqit, me tentim të destabilizimit të veriut të Kosovës janë plotësisht të papranueshme.

“Periudhës së shantazheve, kërcënimit, i ka ardhur fundi. Në Republikën e Kosovës nuk do të lejohet më veprimi i grupeve kriminale serbe që udhëhiqen nga Beogradi, e asnjë formë e ilegalitetit që pengon integrimin e komunitetit serb në veri të vendit, dhe që ka për qëllim sabotimin e institucioneve”, ka shkruar Mehaj në Facebook.

Ministri ka theksuar se tendencat serbe të Rusisë së Ballkanit nuk kanë vend në shtetin tonë.

“Nuk do të ndodhin ngase nuk do të lejohen asnjëherë. Shteti i Republikës së Kosovës në gjithë gjatësinë e vet territoriale ka burra e gra, pjesëtarë të Policisë e të Ushtrisë, që i dalin për zot në çdo kohë, që e duan atdheun e mbrojnë qytetarët e vet”, ka thënë Mehaj.

Ai ka shtuar se në koordinim me aleatët tanë jemi për paqe dhe dialog, aq sa jemi të vendosur për mbrojtje dhe siguri.

Kujtojmë se dje, presidenti serb Aleksandar Vuçiq bëri të ditur se do t’i drejtohet KFOR-it me kërkesë për lejimin e dislokimit të trupave ushtarake dhe policore serbe në Kosovë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat