Përfundon takimi i Kurtit me Escobarin dhe Lajçakun – emisari amerikan zbardh detaje: Ja çfarë diskutuam

Aktuale

Përfundon takimi i Kurtit me Escobarin dhe Lajçakun – emisari amerikan zbardh detaje: Ja çfarë diskutuam

Më: 13 dhjetor 2022 Në ora: 14:38 Përditësuar në ora: 20:01 më 13.12.2022
Gabriel Escobar

​Escobar thotë se mbështet planin franko-gjerman, kërkon bisedime për asociacionin

I dërguari i posaçëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, është deklaruar pas takimit me kryeministrin Albin Kurti.

Ai ka bërë të ditur se në takim e ka bërë të qartë pozicionin për asociacionin e komunave me shumicë serbe, ndërkohë që temë diskutimi ka qenë edhe propozimi franko-gjerman.

Escobar: Të fillojmë të flasim për zbatimin e asociacionit të komunave serbe

“Ne do të fillojmë të flasim për zbatimin e asociacionit të komunave serbe. Këtë gjë e kam bërë shumë të qartë, kështu që shpresoj se do ta kalojmë këtë krizë në një të ardhme shumë të afërt. Jam shumë i inkurajuar që përfaqësuesi special i BE-së është këtu dhe gjithashtu shpreha mbështetjen time për përpjekjet e tij për të kaluar në propozimin gjermano-francez”, ka thënë ai.

Ndërsa përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak se sonte do të ketë takime edhe me kreun e KFOR-it dhe atë të EULEX-it.

Ai tha se tensionet e krijuara në veri si pasojë e barrikadave të vendosura nga serbët lokalë nuk i ndihmojnë askujt.

Lajçak: Tensionet nuk i ndihmojnë askujt

“Kam pasur një bisedë të gjatë me kryeministrin Kurti. Ne diskutuam një sërë çështjesh, ju e kuptoni që nuk do të zbuloj detaje sepse ky takim është në mes të misionit tim dhe do të vazhdoj nesër në Beograd. Unë do të takoj edhe komandantin e KFOR-it dhe shefin e EULEX-it sonte. Ne do të marrim një vlerësim të situatës në terren dhe do të përpiqemi të gjejmë zgjidhjet e mundshme sepse kjo gjë që ka ndodhur nuk është e mirë. Tensionet nuk i ndihmojnë askujt dhe nuk mendoj se jam i kënaqur me situatën, kemi ardhur në këtë moment dhe nuk dua t’ia drejtoj gishtin dikujt tani, por dua të them se jemi të përkushtuar të bëjmë më të mirën për të gjetur një zgjidhje për këtë situatë”, ka thënë Lajçak.

Lajçak po ashtu bëri ditur se pas vizitës në Kosovë, nesër do të udhëtojë në Beograd ku do të takohet me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Lajçak: Do të jem nesër në Beograd

“Epo, u bë pikërisht një javë që isha këtu për herë të fundit dhe ju thashë sa i lumtur isha që më në fund nuk kemi për tu marrë me kriza dhe afate, që tani mund të fokusohemi në agjendën pozitive për normalizim dhe ja, jam kthyer një javë më vonë dhe prapë kemi të bëjmë me një krizë, kemi barrikada dhe kemi shumë tensione në veri të Kosovës. Dhe për këtë arsye më kërkoi përfaqësuesi i lartë Borrell që të vija. Kjo javë është një javë e rëndësishme. Dje patëm një takim të rëndësishëm të ministrave të jashtëm të Bashkimit Evropian dhe të enjten dhe premten do të mblidhet Këshilli Evropian dhe do të takohen krerët e shteteve të qeverive. Dje ka pasur shumë interes rreth asaj se cila është situata dhe cila mund të jetë zgjidhja, dhe për këtë arsye. Unë jam këtu, dhe do të jem nesër në Beograd për të marrë informacione nga terreni dhe gjithashtu për të provuar të identifikoj mënyrat për të deeskaluar situatën dhe si të kthehemi në gjendjen normale në mënyrë që të vazhdojmë me propozimin”, ka thënë Lajçak. 

“Jo me buldozerë”, Lajçak flet për barrikadat në veri: Do të takohem me KFOR’in dhe EULEX’in

Pas takimit që pati me kryeministrin Albin Kurti, emisari special i BE’së për dialogun, Miroslav Lajçak foli për situatën në veri dhe barrikadat e vendosura nga serbët në atë pjesë.

Lajçak tha se pas këtij takimi, do të takohet edhe me KFOR’in dhe EULEX’in, por tha se mënyra më e mirë për të hequr barrikadat është me marrëveshje politike, jo buldozerë.

“Do të takohem me KFOR’in dhe EULEX’in pas kësaj. Jam diplomat, për mua mënyra më e mirë për të hequr barrikadat është me marrëveshje politike, jo me buldozerë”.

Megjithatë, Lajçak tha se pati një diskutim të gjatë me kryeministrin Kurti.

Ai shtoi se nuk mund të presin që diçka e keqe të ndodh.

“Kemi kriza, barrikada dhe kemi situate të vështirë në veri të Kosovës.  Pata një diskutim të gjatë me Kurtin. Nuk mund të presim që diçka e keqe të ndodhë. Askush nuk është i lumtur me këtë situatë në veri”. 

Në këtë takim ishte i pranishëm edhe i dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar. 

Escobar, pas takimit me Kurtin: E bëra shumë të qartë, e presim implementimin e Asociacionit

Pas takimit me kryeministrin Albin Kurti, i dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar ka thënë se ia ka bërë të qartë pritjen e tij kryeminsitrit të Kosovës që të punohet drejt implementimin të marrëveshjes për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

Escobar ka thënë se gjatë takimit me Kurtin ka thënë se pret angazhim konkret në një të ardhme të afërt mbi këtë çështje.

“Unë e bëra të qartë edhe pritjen time që të fillojmë të flasim për implementimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. E bëra shumë të qartë, prandaj shpresoj që do të shohim angazhim gjatë kësaj krize në një të ardhme të afërt”, ka deklaruar Escobar pas takimit me Kurtin.

Escobar, ka folur shkurt para mediave.

Ai ka thënë se me Kurtin ka diskutuar edhe për nevojën që secili ta mbajë qetësinë në kohë tensionesh dhe të vazhdohet dialogu.

“Diskutuam për nevojën që çdonjëri të jetë i qetë, për nevojën që të vazhdohet dialogu, për nevojën që të fokusohemi te dialogu i lehtësuar nga BE”, ka deklaruar ai.

Gjithashtu, Escobar ka thënë se Kurtit ia ka shprehur mbështetjen e tij që të lëvizë drejt propozimit franko-gjerman.

Filloi takimi i përbashkët i Kurtit me Lajçakun dhe Escobarin

Nisi takimi i kryeministrit Albin Kurti me Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajčák dhe Zëvendës Ndihmës Sekretarin e Shteteve të Bashkuara për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike dhe njëherësh të dërguarin e posaçëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Ndryshe, Gabriel Escobar, dje u prit në takim nga kryeministri Albin Kurti. Në takim u diskutua për situatën aktuale dhe zhvillimet e fundit, veçanërisht në pjesën veriore të Republikë së Kosovës. Escobar dhe ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovneier, dje u takuan me përfaqësues të Listës Serbe. Në takim ishte edhe kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq. Sipas njoftimit të Listës Serbe, ata biseduan për situatën politike dhe të sigurisë

Ndryshe, takimi i djeshëm ishte në kuadër të vizitës së paralajmëruar të këshilltarit të lartë të Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, i cili për shkak se rezultoi pozitiv me COVID-19 e pati të pamundur të realizojë vizitën e tij.

Escobari dhe Lajçaku takojnë sot Kurtin e nesër Vuçiqin

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, do të takohet sot në Prishtinë me të dërguarin amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe të dërguarin e BE-së për dialogun Kosovë - Serbi, Mirosllav Lajçak.

Sipas njoftimit të Qeverisë së Kosovës, takimi pritet të mbahet më 13 dhjetor në orën 17:30.

Escobari dhe Lajçaku do ta takojnë nesër edhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, thuhet në njoftimin e presidencës serbe.

Më 12 dhjetor, kryediplomati evropian, Josep Borrell, ka thënë se i ka kërkuar Lajçakut që të vizitojë rajonin e Ballkanit me qëllim të ofrimit të ndihmës për ulje të tensioneve në veri.

Kurti është takuar me Escobarin edhe një ditë më parë, dhe sipas Zyrës së kryeministrit, palët kanë biseduar për nevojën e heqjes së menjëhershme të barrikadave në veri.

Më të dërguarin amerikan është takuar edhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani, si dhe liderët e partive opozitare në Kosovë.

Deri tani diplomati amerikan nuk ka folur për mediat rreth vizitës së tij në Kosovë.

Bashkë me Esobarin në Kosovë ishte paraparë që të vinte edhe këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, i cili anuloi vizitën në disa shtete të Ballkanit dhe në Bruksel, pasi doli pozitiv me sëmundjen COVID-19.

Vizita e tyre vjen në kohën kur situata në veri të Kosovës - zonë e banuar me shumicë serbe - është e tensionuar.

Gjashtë barrikadat e ngritura më më 10 dhjetor, bllokuan rrugët që çojnë drejt pikave kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak.

Ky veprim i serbëve lokalë erdhi pasi Policia e Kosovës arrestoi ish-zyrtarin serb të këtij institucioni, Dejan Pantiq, nën dyshimet se ka organizuar “sulm terrorist” në zyrat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri të Kosovës. Ndaj u caktua një muaj paraburgim.

Më 12 dhjetor Shtetet e Bashkuara shprehën shqetësim të thellë për situatën aktuale në veri të Kosovës dhe bënë thirrje për çmontimin e menjëhershëm të barrikadave të ngritura në veri të Kosovës nga serbët lokalë.

Të dielen, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se pret që KFOR-i t’i largojë barrikadat nga veriu./REL

Kurti sot takohet me Lajçakun dhe Escobarin

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti do të takohet sot me përfaqësuesit e posaçëm të BE-së për Dialog Kosovë- Serbi, Miroslav Lajçak dhe me Zëvendës ndihmës sekretarin e SHBA-së për çështjet evropiane dhe Euroaziatike, Gabriel Escobar.

Sipas njoftimit të kryeministrisë, takimi fillon nga ora 17:30, ndërsa mediat mund të marrin vetëm pamje në oborrin e ndërtesës së Qeverisë.

Nuk është raportuar temat e diskutimeve, mirëpo pas situatës së krijuar në veri të vendit, mund të jetë kjo arsyeja e takimit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat