Pse ndërkombëtarët nuk po i bëjnë presion Vuçiqit? Escobar ka një përgjigje për këtë

Aktuale

Pse ndërkombëtarët nuk po i bëjnë presion Vuçiqit? Escobar ka një përgjigje për këtë

Më: 14 dhjetor 2022 Në ora: 12:37
Gabriel Escobar

Situata e krijuar në veri të Kosovës, vendosja e barrikadave dhe deklaratat kërcënuese të Aleksandër Vuciq, ishin vetem disa nga cështjet për të cilat ka folur i dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gabriel Escobar gjatë qendrimit të tij dy ditor në Kosovë.

Emisari Escobar, e tha prerë që Kosova ka garanci të sigurisë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, se barrikadat duhet të hiqen dhe se Asociacioni do të formohet. Por, ka kërkuar që të gjitha çështjet e hapura dhe problematike të adresohen përmes dialogut e jo bojkotit e barrikadave.

Ndërsa kur është pyetur nga Evropa e Lirë, pse presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiqi, nuk është përballur me kritikë publike nga Bashkimi Evropian dhe ShBA-ja për retorikën e tij nacionaliste për çështjen e Kosovës, Escobar tha “absolutisht që është përballur”.

Sipas tij, madje kritikat ndaj Vuçiq kanë prodhura rezultate.

“Absolutisht që është përballur, absolutisht që është përballur. Dhe, ato kritika kanë prodhuar rezultate. Keni parë Serbinë që ka votuar dy herë kundër Rusisë në Kombet e Bashkuara, një herë në Këshillin Evropian për të Drejta të Njeriut dhe ka votuar për ta pezulluar Rusinë nga BERZH-I”, tha Escobar.

“Pra, ata po përballen me kritika dhe, meqë ra fjala, në mënyrën e njëjtë që ne kemi kërkuar nga Qeveria juaj për të përshtatur politikat dhe veprimet e tuaja për të krijuar stabilitet rajonal, të njëjtën gjë ia kemi kërkuar edhe Serbisë. Dhe kemi arritur rezultate. Zgjidhja për letërnjoftimet ka qenë një koncesion i njëanshëm nga Serbia. Dhe, në shumë mënyra të tjera ne kemi marrë koncesion për mënyrën përpara për të krijuar stabilitet rajonal. Prandaj, unë dua të theksoj se në këtë çështje nuk jemi të njëanshëm dhe po kërkojmë një zgjidhje nga e cila fitojnë të dyja shtetet”, tha ai.

Ndërsa sa i përketë asaj se Serbia ende refuzon që të vendosë sanksione ndaj Rusisë, Escobar thotë se duhet ta bëjë këtë, pasi që ka obligime që dalin nga procesi i anëtarësimit.

“Mendoj se ata do të duhej [të vendosin sanksione]. Mendoj se kanë disa obligime që dalin nga procesi i anëtarësimit që të përshtaten me Bashkimin Evropian dhe ky është diskutimi që ata po e zhvillojnë me Evropën. Unë i inkurajoj që ta bëjnë një gjë të tillë”, tha Escobar në REL.

Derisa kur është pyetur nëse do ta hapë këtë diskutim me presidentin Vuçiq gjatë vizitës në Beograd, Escobar deklaroi se: “Po, ne kemi një diskutim të vazhdueshëm me presidentin Vuçiq për nismat rajonale, stabilitetin botëror dhe për integritetin territorial evropian. Dhe, më duhet të them, nuk kemi qëndrime shumë të ndryshme sa i përket asaj që po ndodh në Ukrainë”, tha ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat