Flet ministri që e arrestoi Marko Gjuriqin

Aktuale

Flet ministri që e arrestoi Marko Gjuriqin

Më: 14 dhjetor 2022 Në ora: 23:44
Marko Gjuriq

Janë vetëm disa nga rrugët alternative. E përmes tyre, në vitin 2018, Marko Gjuriq hyri ilegalisht në Kosovë.

Por vizita e tij në veri të vendit, nuk do të zgjaste shumë atë ditë.

Kjo pasi Njësiti Special i Policisë së Kosovës, ndërmori një aksion ku e arrestoi, shefin i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën, Marko Gjuriq.

Për ngjarjen që bëri bujë, për herë të parë detajet i ka treguar ish-ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës në atë kohë, Flamur Sefaj.

“Asaj radhe nga Ministria e Punëve të Jashtme është vendosur që mos t’i jipet leja të hyjë në Kosovë, Marko Gjuriqit, për shkak të deklaratave kërcenuese që i jepte atë kohë, ndërsa MPB ka qenë e detyruar nga ligji të bëj ndaljen e atij personi dhe ta bëj dëbimin e tij”, tha Sefaj.

Por, a u përballën me presionin ndërkombëtar për ta liruar Gjuriqin?

“Nuk kemi pas presion për t’i dërguar atje njësitet e policisë, por pas ndaljes së tij, kemi pas presion për ta liruar sa më shpejt, ajo po, ka qenë prezente, po mbrojtja më e mirë e jona ka qenë ligji, që është dashtë ta respektojmë”, shtoi ish-ministri Sefaj.

Gjuriq më pas u transportua në Prishtinë.

E nga këtu, u dëbua për në shtetin serb.

Kur vendi po përballet sërish me barrikadat serbe, Flamur Sefaj thotë se tani Kosova nuk duhet të dorëzohet.

“Duke e marrë parasysh edhe situatën gjeopolitike, pozicionin e Serbisë, ndoshta barrikadat nuk duhet të jenë barrikada para të cilave duhet të dorëzohemi tani. Barrikadat edhe në mënyrë metaforike na kanë kthyer prapa, ndoshta kësaj duhet të qëndrojmë…”, tha ai.

Ish-ministri që tani ndodhet me punë jashtë Kosovës, ka komentuar edhe punën e pasardhësit së tij, Xhelal Sveçla.

“Mendoj që është duke punuar mjaftë mirë, është mjaftë vështirë për të, janë kohë të liga për të, por nuk duhet të dorëzohet, duhet të punoj që policia jonë të jenë të pajisur mirë”, deklaroi Sefaj.

Në fund, Flamur Sefaj ka thënë ka thënë se shteti i Kosovës nuk duhet të lirojë ish-policin serb, Dejan Pantiq.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat