Osmani nga Kuvendi i përgjigjet Vuçiqit për ushtrinë dhe lëshon paralajmërimin për bandat kriminale në veri

Aktuale

Osmani nga Kuvendi i përgjigjet Vuçiqit për ushtrinë dhe lëshon paralajmërimin për bandat kriminale në veri

Më: 15 dhjetor 2022 Në ora: 07:34 Përditësuar në ora: 12:12 më 15.12.2022
Vjosa Osmani

​Osmani: Veriu mbetet sfidë, bandat kriminale që i financon Serbia do të përballen me drejtësinë

Presidentja Vjosa Osmani në adresimin vjetor para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, duke nënkuptuar presidentin serb Aleksandër Vuçiq, tha se akomodimi i autokratëve nuk është rruga e duhur. Ajo tha se Serbia vijon financimin e bandave kriminale në veri por premtoi se këto të fundit do të përballen me drejtësinë. Osmani shtoi se prezenca e ushtrisë serbe në Kosovë ka marrë fund më 1999 ndërsa siguroi se integriteti territorial i vendit nuk do të preket.

Sipas saj, dialogu duhet të përqendrohet në njohjen e ndërsjellë ndërsa aplikimi për anëtarësim në KiE dhe BE janë ngjarje kulminante. Duke folur për politikën e jashtme, ajo pa përmendur emra tha se Kosova nuk ka më tregtarë kufijsh dhe njerëz që flirtojnë me Serbinë e Rusinë. Ndërsa për sistemin e drejtësisë u shpreh se aty nuk duhet të ketë vend për ata që shantazhojnë.

Pasi lartësoi kontributin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe presidentit Ibrahim Rugova në rrugëtimin për liri e pavarësi, presidentja Vjosa Osmani, që u bojkotua nga partitë opozitare PDK e AAK, përmendi edhe luftën në Ukrainë.

Ajo tha se Kosova e mbështet Ukrainën në luftën e saj për liri ndërsa u shpreh se ata që hezitojnë të mbështesin këtë vend bëhen bashkëfajtorë në krimet e Rusisë ndaj civilëve të pafajshëm.

Osmani: Akomodimi i autokratëve nuk është rruga e duhur

“Kjo luftë dëshmon edhe një herë se akomodimi i autokratëve dhe i atyre që kanë tendenca hegjemoniste asnjëherë nuk është rruga e duhur sepse kjo vetëm i inkurajon ata që të ushtrojnë më shumë dhunë e shkatërrim, më shumë tirani e hegjemoni. Ukraina po e dëshmon sot, ashtu siç e dëshmoi Kosova në vitin 1999 se askush e asgjë nuk mund ta ndalë vullnetin e një populli për të jetuar i lirë.... Prandaj populli dhe shteti i Kosovës i ka qëndruar pranë Ukrainës pa asnjë ekuivokë, ndërkaq kemi miratuar ndaj Rusisë pa asnjë hezitim të vetëm sepse të hezitosh në situata të tilla do të thotë të bëhesh bashkëfajtor në krimet ndaj civilëve të pafajshëm. Nuk mund të ketë neutralitet mes të mirës dhe së keqes. Mes agresorit dhe viktimës. Mes paqes e gjenocidit. Në situata të tilla zgjidhja do të duhej të ishte e qartë për të gjithë. E Kosova ka zgjedhur të qëndrojë në anën e drejtë të historisë”, deklaroi Osmani.

Presidentja u ndal edhe tek situata në veri të vendit të cilën e quajti sfidë por akuzoi Serbinë dhe presidentin e saj, Aleksandër Vuçiq se po financon bandat kriminale në atë zonë.

Osmani: Serbia vijon financimin e bandave kriminale në veri

“Veriu i Kosovës vazhdon të jetë sfidë për shkak të pretendimeve territoriale që Serbia ka ndaj Kosovës e të cilat i shpreh ndaj financimit dhe përkrahjes së strukturave ilegale kriminale. Por, në jemi të vendosur si asnjëherë më parë që të krijojmë siguri e sundim të ligjit në çdo cep të territorit tonë. Bandat kriminale nuk do të mund të mbisundojnë dëshirën e qytetarëve tanë edhe atyre në veri për të jetuar të lirë në atdheun e tyre në Kosovë... Ata do të përballen me drejtësi për veprat penale kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës si dhe për frikësimin e kërcënimet që po ua bëjnë qytetarëve tanë”, vijoi Osmani.

Ditë më parë, Serbia paralajmëroi se do t’i kërkonte NATO-s që të dislokonte 1 mijë trupa policore e ushtarake në veri të Kosovës, duke pretenduar në një nen të Rezolutës 1244 të OKB. Mirëpo Osmani tha se Serbia e di se prezenca e trupave të saj në Kosovë ka përfunduar më 1999.

Osmani: Prezenca e ushtrisë serbe në Kosovë mori fund më 1999

Jemi të gjithë dëshmitarë të kërcënimit të vazhdueshëm të Serbisë ndaj Kosovës, ky kërcënim me përmasa agresioni së fundmi është shpërfaqur nëpërmjet idesë hegjemoniste të vendosjes së trupave ushtarake të Serbisë në Kosovë. Por Serbia dhe udhëheqësi i saj Vuçiq e dinë fare mirë se prezenca e ushtrisë serbe në territorin e Kosovës mori fund një herë e mirë më 12 qershor 1999. Në vitin 1999 kur trupat e NATO-s thyen boshtin kurrizor të idesë hegjemoniste të Serbisë për një Kosovë pa shqiptarë ku shfarosja ishte qëllimi gjenocidal i tyre.”, deklaroi Osmani.

Osmani u shpreh se puna e institucioneve të Kosovës për vendosjen e rendit dhe ligjit në veri të vendit është edhe përpjekje për mbrojtjen serbëve lokalë nga strukturat ilegale të organizuara nga banda kriminale të cilat, sipas saj, kanë për synim frikësimin dhe kërcënimin e tyre.

Presidentja u shpreh se Serbia duhet të kuptojë që Kosova është shtet dhe ashtu do të mbetet ndërsa shtoi se dialogu duhet të përqendrohet në njohjen e ndërsjellë.

Osmani: Dialogu duhet të përqendrohet në njohjen e ndërsjellë

“Serbia duhet ta kuptojë qartë e përfundimisht se Kosova është shtet dhe i tillë do të mbetet përgjithmonë. Se pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme dhe procesi i dialogut duhet të përqendrohet në njohjen e ndërsjellë si garancia e vetme per paqe e stabilitet në rajon. Pavarësisht sfidave ju siguroj që sovraniteti i vendit tonë do të vazhdojë të mbesë i shenjtë e integriteti territorial i pacenueshëm”, tha Osmani.

Osmani e quajti ngjarje kulminante të vitit aplikimin për anëtarësim në Këshillin e Evropës si dhe në Bashkimin Evropian.

Osmani: Aplikimi për anëtarësim në KiE dhe BE, ngjarje kulminante

“Këtë vit kemi ndërmarrë hapa konkret drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës. Anëtarësimi në këtë institucion është moment kulminant i angazhimit të Kosovës për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Dje, ndërkaq nënshkruam aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian, i cili sot i dorëzohet Presidencës Çeke, të cilën dua ta shfrytëzoj rastin ta falënderoj për përkrahjen e jashtëzakonshme për këta 6 muaj. Anëtarësimi në BE është objektiv i yni strategjik, prandaj aplikimi na sjellë një hap më afër realizimit të këtij synimi historik. Në këtë frymë, ne kemi filluar po ashtu diskutimet politike me aleatët tanë për përfshirjen e Kosovës në programin e Partneritetit për Paqe të NATO-s, si hap paraprijës formal i anëtarësimit në NATO”, theksoi presidentja Osmani.

Osmani tha se Kosova asnjëherë nuk ka pasur politikë të jashtme më aktive, më kuptimplotë, më të përgatitur e më të koordinuar. Ajo shtoi se politika e jashtme është e fokusuar në në interesin e Kosovës jo të interesave të ngushta individuale.

Ajo deklaroi se politika e jashtme është në shërbim të plotë e në funksion të forcimit të shtetësisë së Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe konsolidim të Kosovës si faktor kyç i stabiliteti dhe prosperitetit në rajon e përtej.

Osmani: Kosova nuk ka tregtarë kufijsh

“Në fakt më në fund Kosova ka politikë të jashtme por po ju tregoj se çfarë nuk ka Kosova tani. Nuk ka lobim për ndryshim kufijsh, nuk ka pagesa lobistësh për të shtyrë përpara interesa puro individuale. Nuk ka intervista të paguara për të promovuar liderë të caktuar, nuk ka filtrime me Serbinë e Rusinë me qëllim të interesave individuale... Koha e tregtarëve të kufijve ka përfunduar njëherë e përgjithmonë. Sfidat e politikës së jashtme natyrisht që janë të panumërta sepse gabimet kanë qenë të përmasave të mëdha. Tani ne duhet t'i riparojmë këto dëme. Hap pas hapi me durim e me vizion të qartë”, tha Osmani.

Presidentja u shpreh se mbrojtja dhe garantimi i të drejtave dhe lirive qytetare, krijimi i një ambienti të sigurt për të gjithë, si dhe luftimi i dukurive negative është jetik për funksionimin e mirëfilltë të një shoqërie demokratike.

Duke u ndalur të vrasja e grave dhe rastet e dhunës seksuale, Osmani kërkoi angazhim më të madh nga institucionet e drejtësisë, ndërsa foli edhe për domosdoshmërinë e procesit të vettingut.

Osmani: Në drejtësi s’duhet të ketë vend për ata që shantazhojnë

“Në sistemin tonë të drejtësisë nuk duhet të ketë vend për ata që e shfrytëzojnë atë si një trampolinë për t'u pasuruar dhe shndërrojnë shantazhin në mjet për arritjen e qëllimeve e interesimeve të ngushta. Pavarësia dhe integriteti i sistemit të drejtësisë është parim themelor për funksionimin efektiv të tij por pavarësia nuk nënkupton vetëm privilegj çfarëdo qoftë ai, por edhe përgjegjësi dhe llogaridhënie. Mbi të gjitha nuk mund të ketë pavarësi ndaj kushtetutës dhe ndaj ligjeve. Përgjegjësia dhe llogaridhënia vlejnë për të tri shtyllat e pushtetit dhe kjo është garancia e pazëvendësueshme për një demokraci të qëndrueshme”, u shpreh Osmani.

Osmani në fjalimin e saj vjetor para deputetëve të Kuvendit ka folur ndër të tjera edhe për raportet veçanta të Kosovës me SHBA-të duke potencuar se Kosova nuk ka partner më të rëndësishëm sesa Shtetet e Bashkuara prandaj ajo shtoi se këtë aleancë duhet ta trajtojmë si të shenjtë e ta ruajmë e ta kultivojmë përjetësisht.

Në fund, presidentja Osmani deklaroi se ajo vetë nuk do të zmbrapset nga sulmet që i bëhen por do të angazhohet për interesat e qytetarëve.

Osmani: Nuk do të zmbrapsem as atëherë kur më sulmoni për pamjen time

Presidentja Vjosa Osmani gjatë adresimit të saj vjetor në Kuvend ka folur edhe për sulmet rreth pamjes së saj dhe gjuhës seksiste.

Ajo tha se të tillat i dëgjon çdo ditë, por se “nuk do të zmbrapset”.

“Nuk do të zmbrapsem asnjëherë para akuzave sa të turpshme aq edhe qesharake që i dëgjojmë çdo ditë e të cilat dirigjohen nga interesat e klaneve anti-Kosovë. Nuk zmbrapsem as atëherë kur tentojnë të më ngjyrosin me epitete të çdollojshme që sulmojnë pamjen time apo integritetin tim, sepse të parët janë thelbësisht të parëndësishme e sa i përket vlerësimit për dinjitetin e integritetin, të dashur qytetarë, sytë i mbaj përherë vetëm nga ju. Nuk do të zmbrapsem as përpara seksizmit, seksizmit të paprecedentë e të tendencave për të minimizuar rolin e Zyrës së Presidentes, vetëm e vetëm pse në krye të saj është një grua.

Në Republikën tonë askush s’e ka të drejtën e assesi nuk do t’ia dalë – dhe për këtë iu siguroj – për të na heshtur apo frikësuar”, tha Osmani.

Osmani: 50 gra u vranë nga burrat, qasja e tillë e sistemit të drejtësisë inkurajon vrasjen e grave

Në fjalimin e saj vjetor, presidentja e vendit Vjosa Osmani, tha se nuk kemi gra e vajza për të humbur. Ajo tha se nga viti 2010 në Kosovë janë vrarë 50 gra nga burrat. Gjithashtu hodhi kritika ndaj sistemit të drejtësisë, duke thënë se “një qasje e tillë e sistemit të drejtësisë inkurajon vrasjen e grave, inkurajon më shumë dhunë”.

Presidentja Osmani në fjalimin e saj tha se në pesë vitet e fundit u raportuan 14 mijë raste të dhunës në familje, ku prej tyre shumica dërrmuese e viktimave ishin gra dhe vajza.

“Me pandeminë Covid-19, mori hov edhe një pandemi nën hije. Pandemia e dhunës ndaj grave, ky fenomen tashmë duhet të shihet nga prizmi i një emergjence kombëtare dhe si i tillë përbën një prej plagëve më serioze të ditëve tona. Vetëm në 5 vitet e fundit në Kosovën tonë u shënuan mbi 14 mijë raste të dhunës në familje. Nga të cilat në shumicën dërrmuese viktimat ishin gra dhe vajza. Sipas të dhënave nga organizatat për mbrojtjen e grave, nga viti 2010, 50 gra u vranë nga burrat. 50 gra nuk janë më me ne vetëm pse ato ishin gra”, tha Osmani.

Osmani shtoi se ka shumë dhunë pa u raportuar.

“Përballë dhunës nuk duhet të jemi të heshtur”, u shpreh ajo.

Presidentja foli edhe për rastet e dhunimeve seksuale, ku theksoi se në vetëm 5% të lëndëve dënimi ishte në përputhje me ligjin.

“Një qasje e tillë e sistemit të drejtësisë inkurajon vrasjen e grave, inkurajon më shumë dhunë”, u shpreh ajo.

Osmani: Bandat kriminale nuk mund të mbisundojnë dëshirën e serbëve në veri për të jetuar të lirë në Kosovë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani në fjalimin e saj vjetor para deputetëve të Kuvendit, ka theksuar se në çdo ditë të këtij viti ka pasur këmbëngulje që shteti dhe ligji përfundimisht të mos u shërbejë vetëm disave, por të gjithëve.

“Sundimi i ligjit është esencial për funksionimin e çdo shtylle të shtetit. Në fakt është parakusht për një gjë të tillë. Por, siç e dini, të nderuar deputetë, veriu i Kosovës vazhdon të jetë sfidë për shkak të pretendimeve territoriale që Serbia ka ndaj Kosovës e të cilat i shprehë nëpërmjet financimit dhe përkrahjes së strukturave ilegale kriminale.

Por, ne jemi të vendosur që të krijojmë siguri e sundim të ligjit në çdo cep të territorit të vendit tonë.

Bandat kriminale nuk mund ta mbisundojnë dëshirën e qytetarëve tanë në veri për të jetuar të lirë në atdheun e tyre, në Kosovë”, ka theksuar presidentja Osmani.

Sipas saj, bandave kriminale nuk iu pëlqen as vendosmëria e institucioneve që të gjithë qytetarët të jenë të barabartë para ligjit, as zbatimi i ligjit në tërë territorin e vendit.

“Mirëpo le ta kenë të qartë, kjo është rrugë nga e cila nuk devijojmë e nga e cila nuk heqim dorë. Ata do të përballen me drejtësi për veprat penale kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës, si dhe për frikësimin e kërcënimet që po ua bëjnë qytetarëve tanë në veri”, ka theksuar ajo.

“Jemi të gjithë dëshmitarë të kërcënimit të vazhdueshëm të Serbisë ndaj Kosovës. Ky kërcënim me përmasa agresioni së fundi është shpërfaqur nëpërmjet idesë hegjemoniste të vendosjes së trupave ushtarake të Serbisë në Kosovë.

Por, Serbia dhe udhëheqësi i saj Vuçiq e dinë fare mirë se prezenca e ushtrisë serbe në territorin e Kosovës mori fund më 12 qershor 1999.

Më 1999, kur trupat e NATO-s thyen boshtin kurrizor të idesë hegjemoniste te Serbisë për një Kosovë pa shqiptarë ku shfarosja ishte qëllimi gjenocidal i Millosheviqit”, ka thënë ajo.

Ajo ka falënderuar në emër të të gjithë qytetarëve të Kosovës, policinë e Kosovës të cilët pavarësisht sfidave po kujdesen për jetën e të gjithë qytetarëve, si dhe të gjithë zyrtarët e tjerë të sigurisë dhe inteligjencës për punën e tyre në mbrojtje të interesave të vendit.

“Puna e institucioneve të Kosovës për vendosjen e rendit dhe ligjit në veriun e vendit është edhe përpjekje për mbrojtjen e serbëve lokalë nga strukturat ilegale të organizuara në banda kriminale dhe të cilat kanë për synim presionin, frikësimin dhe kërcënimin e tyre.

Kosova është një dhe e tërë, atdhe i të gjithëve, pra edhe i qytetarëve të komunitetit serb, siç është dhe i të gjitha komuniteteve të tjera, ndaj e kemi obligim kushtetues të kujdesemi për ta nga veriu në jug, nga lindja në perëndim të Kosovës”, ka theksuar Osmani.

Osmani e godet Thaçin për fundvit, ja çka i përmend

Presidentja Vjosa Osmani e ka goditur ish-presidentin Hashim Thaçi gjatë fjalimit të fundvitit në Kuvendin e Kosovës.

Shefja e vendit ka thënë se Kosova “asnjëherë nuk ka pasur politikë të jashtme më aktive, më kuptimplote, më të përgatitur e më të koordinuar”.

“Natyrisht që kjo politikë e jashtme është e fokusuar në interesin e Kosovës dhe vetëm të Kosovës, e jo të interesave të ngushta individuale e shpeshherë të paligjshme po u pengon disave jo vetëm në Serbi, por edhe jashtë saj. Kosova nuk ka politikë të jashtme, po thonë ca zëra. Natyrisht që Kosova ka politikë të jashtme. Në fakt, më në fund Kosova ka politikë të jashtme”, tha Osmani.

Më tej, ajo tha se “koha e tregtarëve të kufijve ka perënduar njëherë e përgjithmonë”.

“Por po ju tregoj se çfarë nuk ka Kosova tani. Nuk ka lobim për ndryshim kufijsh, nuk ka pagesa lobistësh për të shtyrë përpara agjenda puro-individuale, nuk ka intervista të paguara për të promovuar liderë të caktuar, nuk ka flirtime me Serbinë e me Rusinë me qëllim të interesava individuale”, tha Osmani.

Në politikën e jashtme, Osmani tha se ka shumë sfida, pasi që “gabimet kanë qenë të përmasave të mëdha”.

Osmani zbulon çka i tha Bideni për Kosovën

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka mbajtur fjalimin e saj tradicional në Kuvendin e Kosovës.

Ajo kishte fjalë edhe për partneritetin e Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

E para e shtetit tregoi se presidenti amerikan, Joe Biden i kishte thënë se “asnjëherë nuk do të ju lejmë vetëm”.

Thotë se edhe sekretari amerikan Antony Blinken ia ka konfirmuar mbështetjen për Kosovën.

Ndërkaq këto ditë edhe emsiari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë se nuk do të lejojnë që në Kosovë të ketë forca serbe.

“Në takimin që kishim në Uashington, sekretari amerikan Blinken rikonfirmoi që partneriteti ynë mbetet i palëkundur. Ndërkaq në bisedat që kisha me presidentin Joe Biden gjatë muajit shtator ai përsëriti përkrahjen e madhe për vendin dhe popullin tonë që më së miri përshkruhet nga fjalët e tij; asnjëherë nuk do të ju lejmë vetëm. Kjo garancë amerikane e përsëritur edhe këto ditë dëshmon që Kosova nuk ka partner më të rëndësishëm sesa Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka thënë Osmani.

Ajo ka shtuar se kjo aleancë duhet të ruhet e të kultivohet.

Osmani i përgjigjet Vuçiqit për ushtrinë: Nuk heqim dorë

Presidentja Vjosa Osmani pranoi se veriu i Kosovës vazhdon të mbetet sfidë.

Në fjalimin e saj të fundvitit në Kuvendin e Kosovës, Osmani tha se kjo situatë është “për shkak të pretendimeve territoriale që Serbia i ka ndaj Kosovës e të cilat i shpreh përmes financimit të strukturave kriminale”.

Osmani tha se “bandat kriminale nuk do të mund ta mbisundojnë dëshirën e qytetarëve tanë, edhe atyre në veri, për të jetuar të lirë në atdheun e tyre, në Kosovës”.

Atyre, tha Osmani, s’ju pelqen zbatimi i ligjit.

“Por le ta kenë të qartë se kjo është rrugë nga e cila nuk devijojmë dhe nga e cila asnjëherë nuk do të heqim dorë. Ata do të përballen me drejtësi për veprat penale kundër rendit kushtetues si dhe për frikësimin e kërcënimin që po ua bëjnë qytetarëve tanë”, tha presidentja.

Shefja e shtetit tha se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq e di mirë se ushtria serbe s’mund të kthehet më kurrë në Kosovë.

“Serbia dhe udhëheqësi i saj Vuçiq e dinë fare mirë se prezenca e ushtrisë serbe mori një herë e përgjithmonë më 12 qershor 1999, kur trupat e NATO-s thyen boshtin kurrizor të idesë hegjemoniste të Serbisë për një Kosovë pa shqiptarë, ku shfarosja ishte qëllimi gjenocidal i tyre”, tha ajo.

Osmani i ka falënderuar policët, zyrtarët e sigurisë dhe ata të inteligjencës për punën që po bëjnë.

Osmani i adresohet popullit: Jeni ju që e bëni këtë vend më të mirë

Presidentja Vjosa Osmani nga Parlamenti i Kosovës po e mban adresimin e saj vjetor. 

Ajo fjalimin e nisi duke falënderuar secilin qytetar për punën dhe angazhimin e tij të përditshëm për ta bërë Kosovën një vend më të mirë.

“Janë njerëzit ata që i bëjnë shtetet, jo anasjelltas”, tha Osmani.

“Janë qytetarët tonë që gjithnjë konfirmojnë se kur krijohen kushtet e duhura suksesi është pothuajse i sigurt. Kjo është dëshmuar në sport, art shkencë e kudo. Kosova fuqizohet gjithnjë e më shumë”.

Osmani tha se këtë vit Kosova u hap për botën me forume e ngjarje të tjera, duke shtuar se kjo dëshmoi se Kosova është vend i rinisë dhe një ambicie të paepur.

Presidentja kujtoi edhe gjeneratat e mëhershme dhe kontributin e tyre për të çliruar Kosovën.

“Ta kthejmë vëmendjen tonë në brezat që s’kursyen asgjë për ta bërë realitet ëndrrën për liri e pavarësi. Presidentin Rugova, që u udhëhoqi Kosovën. Adem Jasharin dhe bijtë e bijat që u rreshtuan përkrah tij”.

Këtu Osmani përmendi edhe të zhdukurit e luftës e gratë e dhunuara.

Ajo tha se këtë vit u angazhua në konsolidimin dhe fuqizimin e shtetit.

“Si presidente e shtetit edhe gjatë këtij viti jam kujdesur që përgjegjësitë e mia t’i ushtroj në interes të qytetarëve dhe konform aspiratave  të cilat populli im i kërkon prej të parës së shtetit”.

Osmani e bindur se po e përmbush obligimin kushtetues: Ushtria e Serbisë s’mund të kthehen më në Kosovë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu, konform Kushtetutës, ka mbajtur adresimin e saj vjetor në Kuvendi para deputetëve.

LDK shkon në Kuvend për adresimin vjetor të Presidentes

Lidhja Demokratike e Kosovës do të marrë pjesë në adresimin vjetor të Presidentes Vjosa Osmani.

Deputetët e kësaj partie janë parë në sallën e Kuvendit, ku për pak minuta pritet të nisë adresimi i Osmanit.

Dy partitë e tjera opozitare, PDK e AAK’ja, kanë thënë se s’do të marrin pjesë në seancë.

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës nuk do të jetë pjesë e seancës së organizuar për fjalimin vjetor të Presidentes Osmani, sepse, siç tha, konsideron se është tërësisht farsë dhe pa asnjë përmbajtje.

“Është një tjetër spektakël i pushtetit, që përmes rregullave formale të raportimit para Kuvendit, të mbulojë dështimin e mospunës së Presidentes. Gjuha jounifikuese, tejet polarizuese dhe përçarëse e presidentes Osmani, apo heshtja kur e ka obligim të jetë në shërbim të çdo qytetari nga frika se mos nuk është në pajtim me partnerin e saj politik, janë shembuj tipikë të një personi që nuk është kredibil ta ushtrojë detyrën shtetërore që aktualisht e gëzon”.

PDK tha se për këto deklarata të tyre kanë shembuj të shumtë, “përfshirë edhe ato të ndërhyrjeve në punësime të familjarëve, shkarkimeve politike dhe mosmbështetjes së punonjësve në sektorin e arsimit, atë të shëndetësisë dhe shërbyesve civilë”.

Grupi Parlamentar i PDK-së vlerëson se” po të mos ishte prirja joparimore e këtij pushteti për të prodhuar performanca të tilla neveritëse mbase këtë ngjarje ky pushtet ka qenë e udhës ta organizojë në zyrat e Vetëvendosjes përballë aktivistëve të kësaj partie, e jo para të deputetëve të Republikës”.

Edhe AAK’ja ka thënë se s’do të marrë pjesë, duke thënë se Osmani ka dështuar në përmbushjen e detyrave të saj unifikuese.

“Presidentja Osmani ka dështuar t’i përmbushë obligimet e saj si presidente e vendit, për të përfaqësuar unitetin e popullit. Në shumicën e rasteve është në shërbim të kryeministrit, në funksion të agjendës së tij. Andaj, Grupi Parlamentar i AAK-së refuzon të marrë pjesë në adresimin e Presidentes së Republikës së Kosovës”, kanë deklaruar nga AAK.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat