Tërnava: Kriminelët serbë nuk kanë vend që të kthehen në polici jo se jo, ata e kanë vendin në burg

Aktuale

Tërnava: Kriminelët serbë nuk kanë vend që të kthehen në polici jo se jo, ata e kanë vendin në burg

Nga: H.O. Më: 15 dhjetor 2022 Në ora: 15:29
Hajrullah Tërnava

Pavarësisht gjendjes së vështirë të krijuar në veri të vendit, Policia e Kosovës duket se po e mban nën kontroll. Madje duke vënë edhe prapa grilave ata që po rrezikojnë sigurinë në vend.

Lidhur me këtë ҫështje ka folur për ‘Bota sot’, eksperti i sigurisë dhe ish-zëvendësministri i MPB-së në qeverinë e Republikës së Kosovës gjatë luftës, Hajrullah Tërnava.

Ai thotë se, situata politike e tendosur nga dorëheqjet e policisë serbe tani në ato pjesë të veriut të Kosovës, ku shumicë e popullatës janë serbët, na e dëshmon se pranë asaj se ata ishin përfaqësues të Policisë së Kosovës dhe u paguanin nga Ministria e Financave të Kosovës, megjithatë ata nonstop ishin nën komandën dhe urdhrat e të ‘mëdhenjve të Serbisë’.

“Këtë gjë po e dëshmon tani kjo situatë e krijuar. Që nga çlirimi i luftës 1998-99 edhe pranë funksionimit të Policisë së Kosovës në atë pjesë, në poste të ndryshme ishin shumica ish-policë serbë. Ato pjesë territoriale të veriut ҫdoherë kanë qenë shumë pak të qeverisura dhe të koordinuara nga institucionet e Kosovës, dhe kryesisht në ato pjesë është zhvilluar në përmasa të mëdha krimi i organizuar në lidhshmëri me atë të Serbisë, dhe ҫdoherë Serbia i ka manipuluar kur situata në bisedimet politike Kosovë-Serbi, për çështje të njohjes reciproke, mund të shkonte drejt zgjidhjes apo që më pak të dëmtohej Kosova. Megjithatë në ato pjesë të veriut janë shkaktuar situata të tendosura, të koordinuara nga Lista Serbe e deputetëve serbë, që e përfaqësojnë popullatën serbe në Kuvendin e Kosovës, dhe këto situata të acaruara shkaktohen në tërësi ashtu si i konvenon Serbisë, sikur tani që kur ju dha urdhëri që ta lëshojnë punën në të gjitha institucionet kosovare në veri. Ashtu edhe vepruan”, thotë Tërnava.

Sipas tij, dëshmia më e mirë për veprime të tilla të braktisjes së punës, ishin mirënjohjet dhe gradimet nga ana e Vuçiqit si kryetar i shtetit të Serbisë, të atyre komandantëve në ato pjesë që iu përgjigjen dorëheqjeve dhe largimeve nga puna e policisë.

“Po ata policë tani janë inkorporuar në planet serbe dhe tani me maska i sulmojnë Policinë e Kosovës dhe krijojnë penikë me përdorimin e armëve eksploduese ashtu si i marrin urdhrat nga shefat e tyre nga Serbia, dhe i sulmojnë policinë e Kosovës, sikur që u plagos njëri nga policët, i cili u shtrua në spital, ku i është nënshtruar shërimit”, thotë ai.

Sipas ekspertit të sigurisë, arrestimi i D. Pantiqit ish-pjesëtar i policisë të MUP-it, na e konfirmon dëshminë se ata policë tani janë në shërbim të shtetit të Serbisë dhe komandat i marrin nga urdhërdhënës nga Serbia. Ata i realizojnë ato urdhra me përdorimin e armëve duke shkaktuar panik te qytetarët, e sidomos kur ata i shkrepin armët dhe plagosin njerëz në këtë rast si policët e Kosovës.

“Në këto rrethana duhet që në ato pjesë të veriut tani të dërgohet një numër i mjaftueshëm i policëve kosovarë, dhe ta mbulojnë të tërë territorin e veriut me pranitë e tyre dhe t’i përdorin autorizimet e tyre ligjore ashtu si e parasheh ligji i Policisë së Kosovës, dhe në mënyrë ligjore të veprohet dhe të luftohet ҫdo dukuri inkriminuese në ato pjesë të veriut, dhe vetëm kështu tani do të ketë suksese në luftimin e krimit të organizuar në ato pjesë të veriut ku me vite të tëra ka qenë shumë i zhvilluar krimi i organizuar, gjë që ky luftim do të dëshmohet me të dhënat në praktikë, duke bashkëpunuar edhe me qytetarë të ndershëm në ato pjesë, sepse ka edhe të tillë qytetarë serbë që janë të stërlodhur nga ato veprime kriminale të deritashme të kriminelëve në ato pjesë, dhe besohet se ata do ta mirëpresin policinë e tanishme, e cila do t’i zhvillojë aktivitetet e tyre ligjore në ato pjesë”, thekson ai.

Tutje, Tërnava thotë se veprimi i policit, i cili e ka shkrep armën ndaj policit shqiptar, është një dëshmi se ai dhe të tjerët që ju nënshtrohen atyre urdhrave të Serbisë, janë nën komandën e të mëdhenjve të shtetit të Serbisë.

“Ata më nuk kanë vend që të kthehen në polici jo se jo, por edhe të jetojnë në Kosovë, sepse ata e kanë vendin në burg. Prandaj Policia e Kosovës tani që është duke i përdor kompetencat ligjore në ato pjesë të Kosovës duke e mbajtur rendin dhe qetësinë atje, duhet të veprojnë vetëm në përputhshmëri të ligjeve të Kosovës, dhe në shërbim të popullit që jeton në ato pjesë të Kosovës”, thotë eksperti Tërnava.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat