SHBA mirëpresin vendimin e Gjykatës Speciale: Ky vendim nuk është gjykim kundër UÇK-së

Aktuale

SHBA mirëpresin vendimin e Gjykatës Speciale: Ky vendim nuk është gjykim kundër UÇK-së

Më: 17 dhjetor 2022 Në ora: 09:54
Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Ned Price

Shtetet e Bashkuara e kanë mirëpritur vendimin e Gjykatës Speciale ndaj ish-komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa, i cili të premten e 16 dhjetorit është dënuar me 26 vjet burgim për krime lufte.

Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Ned Price, ka thënë duke cituar gjykatën se aktgjykimi  i Mustafës nuk paraqet një kundër UÇK-së dhe se vendimi i marrë nga Gjykata Speciale paraqet një hap që ndihmon drejt garancisë së sundimit të ligjit.

“Shtetet e Bashkuara mirëpresin vendimin në rastin kundër Salih Mustafës, rasti i parë në Dhomat e Specializuara të Kosovës që përfshin akuza për krime lufte. Mustafa, një ish-komandant në njësinë Guerile të BIA-s të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), u dënua për krimet e luftës të ndalimit arbitrar, torturës dhe vrasjes të kryera në një vend të paraburgimit dhe marrjes në pyetje të BIA-s në vitin 1999 dhe u dënua me 26 vjet. Siç e ka thënë edhe trupi gjykues, ky vendim nuk është gjykim kundër UÇK-së apo Kosovës, mirëpo lidhet vetëm me përgjegjësinë penale të të pandehurit. Ne po ashtu e përshëndesim trimërinë e viktimave individuale dhe dëshmitarëve që janë paraqitur, dhe dënojmë kërcënimet dhe frikësimet ndaj tyre. Pa këta individë të guximshëm, drejtësia nuk do të ishte e mundshme”, ka thënë Price në një komunikatë për media.

Vendimi ndaj Mustafës përbën aktvendimin e parë të Gjykatës Speciale lidhur me hetimet për krime lufte në Kosovë.

I njohur si “Komandat Cali”, Salih Mustafa, të premten e 16 dhjetorit, është dënuar nga Gjykata Speciale me 26 vjet burgim për krime lufte në Kosovë.

“Ju shpall fajtor për torturë si krim lufte, ndalim arbitrar si krim lufte, vrasje si krim lufte. Duke qenë se jeni shpallur fajtor për më shumë se një vepër, trupi gjykues ka përcaktuar dënim më 10 vjet burgim për krimin së ndalimit arbitrar, dënim me 22 vjet burgim për torturë, 25 vjet burgim për vrasje të paligjshme. Trupi gjykues ju dënon me vendim të njësuar me 26 vjet burgim”, deklaroi kryetarja e trupit gjykues.

Ndonëse mbrojtja kishte kërkuar lirimin e tij nga të gjitha akuzat, prokuroria kishte kërkuar dënim unik prej 35 vjetësh burgim.

Fillimisht, “Komandant Cali” u akuzua për ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, krime të cilat pretendoheshin të ishin kryer në Zllash të Kosovës gjatë vitit 1999.

Sipas aktakuzës për ndalim arbitrar,  kryegjykatësja ka thënë se të paktën 6 personave u është ndaluar liria në periudhën 1 prill 1999 – 19 prill 1999. Ajo ka thënë se qendra e ndalimit në Zllash është kontrolluar nga Mustafa.

Krahas kësaj aktakuze, ajo e torturës thoshte se të ndaluarit janë mbajtur në kushte çnjerëzore dhe poshtëruese. Sipas saj, pika e trajtimit mizor është mbuluar nga pika e torturës dhe si e tillë, nuk është shqyrtuar më tej.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat