Kërcënimet dhe frikësimet ndaj dëshmitarëve po vazhdojnë! - Askush nuk po lutet për drejtësi për shpirtin e Xhemës, Krasniqit, Enverit....

Aktuale

Kërcënimet dhe frikësimet ndaj dëshmitarëve po vazhdojnë! - Askush nuk po lutet për drejtësi për shpirtin e Xhemës, Krasniqit, Enverit....

Nga: Idriz Morina Më: 17 dhjetor 2022 Në ora: 18:15
Sali Mustafa, gjatë procesit gjyqësor, që në shkallën e parë u dënua për tri vepra me 26 vjet burg

Vendimi i parë i gjykatës speciale për krimet e kryera nga ish-udhëheqës të UÇK-së, ka nxitur një masë të madhe reagimesh. Si gjithmonë, pa e shqyrtuar më thellësisht çështjen nuk kanë munguar të gjitha akuzat e mundshme për gjykatën speciale.

Nuk ka dënim për UÇK-në

Gjykata speciale u krijua me mund të madh, me mbështetje të vetë Hashim Thaçit e partisë së tij PDK-së. Por, kishte edhe një kërcënim tjetër, që nëse nuk do ta themelonte Kosova, këtë do ta bënte bashkësia ndërkombëtare, nëpërmjet OKB-së, dhe pjesë e procesit do të ishte gjithsesi Rusia. Prandaj, gjërat do të bëheshin më keq për Kosovën.

Për LDK-në as që mendohej se dikush nga grupi i saj do të mund të dilte kundër themelimit të gjykatës speciale. Po bëheshin dy dekada (kishin kaluar 17 vjet), që nga vrasjet e para të figurave eminente të saj, dhe askush nuk ishte arrestuar. Dënimi as që vinte në shprehje. Nuk kishte prokurori që të nxirrte para drejtësisë të dyshuarit kryesor.

Tabuja dhe aureola me të cilën propaganda ka mbështjellur hijen e disa komandantëve të UÇK-së, ka çuar në devijimin e mendimit të publikut, dhe heqjen dorë prej një pjese të madhe të tij, për të kërkuar drejtësi.

Kur, së fundi Sokol Halili vrau gruan e tij për shkak të mosmarrëveshjeve që kishin pasur, i gjithë opinioni u ngrit në këmbë. Por, për ata, që dikush i vrau, vetëm pse ishin mbështetës të Rugovës, të institucioneve të Republikës së Kosovës, pak kush po kërkon drejtësi, për ato viktima. Përkundrazi, po duan pafajësi për vrasjet me torturë, përfshirë djegien, për udhëheqësin e grupit, që së bashku kryen ato krime.

Vrasjet politike

Vrasja e kolonelit Ahmet Krasniqi, ishte prej më të bujshmeve. Ai është në prag të organizimit të një fushate të fuqishme kundër Serbisë, dhe po priste edhe disa armatime më të mira, në mënyrë që të zbutej dallueshmëria tepër e madhe me forcat serbe.

Por, në kulm të këtij planifikimi, kundërshtarët e institucioneve të Republikës së Kosovës, së bashku me Shërbimin Inteligjent të Shqipërisë, dhe policinë, kishin organizuar në mënyrë precize, ekzekutimin e ministrit të luftës, Ahmet Krasniqit, natën e 20 shtatorit 1998. Pas tij, një tjetër figurë e rëndësishme do të vritej, në janarin e vitit 1999, pas një atentati të dështuar në gushtin e vitit paraprak. Ai ishte Enver Maloku, shef i Qendrës për Informim të Kosovës (QIK), e cila e informonte jo vetëm opinionin vendor, por edhe bashkësinë ndërkombëtare, pasi zotëronte rrjetin shumë të madh të informimit vullnetar, të degëve e nëndegëve të LDK-së.

Image
Të arrestuar në Hagë, ata që e përkrahën dhe e kundërshtuan formimin e speciales

Vrasjet nuk do të ndaleshin, që kur kishin nisur në vitin 1997 me vrasjen e Ali Ukës, një gazetar, që e kishte publikuar komunikatën e parë të UÇK-së dhe megjithëse përkrahjen e idesë për luftë, sipas të afërmve, ai ishte një mbështetës i madh i Rugovës.

Edhe para vrasjes së Kolonelit, kishin ndodhur vrasje, madje si thuhet brenda llojit, si vrasja e Ilir Konushecit, Behadin Allait e të tjera. Të gjithë i drejtojnë gishtat kah udhëheqësit e UÇK-së, por me zë nuk flisnin asnjë.

Vrasjet politike vijuan thuajse në mënyrë rutinore edhe pas luftës, si ajo e Xhemail Mustafës, Haki Imerit, “Drinit”, Manajt, Behramëve, Rracit, Bytyçit, Dajakut, Kastratit, Ahmetit, Tolajt, Haklajt, Zemajve, Ajetit etj,. një listë që nuk mbyllet as me një qind veta. Sipas LDK-së dhe Sali Berishës shkon edhe në 200 veta, por, marrë në tërësi edhe me përfshirjen e vrasjeve rrethanore, të dëshmitarëve, të ekzekutorëve vetë, të dëshmitarëve të krimeve të dyfishta etj, lista shkon në disa qindra pa dyshim, dhe që zgjatë për rreth një dekadë.

Çfarë mendojnë këta që me çdo kusht ndëshkimet e disa individëve duan t’i shohin si dënim për UÇK-në? Kjo është e pashembullt, askund nuk akuzohet UÇK-ja, dhe kjo është e pamundur të ndodhë, edhe sikur të dënoheshin të gjithë të akuzuarit e sotëm e të nesërm.

Madje, për themelimin e saj është edhe një tregim interesant për Isa Mustafën dhe deputetë të LDK-së, aso kohe, të cilët e refuzonin koalicionin me PDK-në. Isa Mustafa u kishe garantuar se pavarësisht që marrëveshja e parashihte që LDK-ja t’ia siguronte votat Hashim Thaçit për t’u zgjedhur president, ai nuk do të arrinte të zgjidhej. “Kurrë ymri Thaçit, s’ka me ia pru mu zgjedh president, sepse gjykata speciale do ta arrestoje”. Të njëjtën taktik thuhet se e kishte përdorur edhe për t’i bindur, deputetët e LDK-ë, kur Thaçi po votohej për president të Kosovës.

SHBA-të, Gjermania, mbështesin vendimin e gjykatës speciale

Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Ned Price, ka thënë se vendimi i marrë të premten nga Gjykata Speciale, ndaj komandant “Calit”, Sali Mustafës, është një vendim për veprat që ka kryer i dënuari Mustafa, dhe nuk ka të bëjë aspak me UÇK-në, ndërsa e ndihmon Kosovën për të garantuar sundim të ligjit dhe vë drejtësi për viktimat.

“Siç e ka thënë edhe trupi gjykues, ky vendim nuk është gjykim kundër UÇK-së apo Kosovës, mirëpo lidhet vetëm me përgjegjësinë penale të të pandehurit. Ne po ashtu e përshëndesim trimërinë e viktimave individuale dhe dëshmitarëve që janë paraqitur, dhe dënojmë kërcënimet dhe frikësimet ndaj tyre. Pa këta individë të guximshëm, drejtësia nuk do të ishte e mundshme”, ka thënë Price në një komunikatë për media.

Pra, Stejt Departamenti ende është i informuar se ka kërcënime dhe frikësime të dëshmitarëve! Kjo është shume shqetësuese, për ta arrit drejtësinë!

Është e habitshme, se pikërisht një pjesë e madhe dërmuese, veçanërisht e politikanëve, analistëve apo figurave publike, që bëjnë thirrje për amerikanizëm, i dalin kaq ashpër kundër Amerikës.

Gjykata speciale me shumë gjasë nuk do të ishte krijuar, por as nuk do të mund të funksiononte e mbijetonte, pa mbështetjen amerikane.

Përpjekja e fundit për zhbërjen e saj, ishte rrëzimi i koalicionit qeverisës VV-LDK, kur u bën përpjekjet e fundit për një marrëveshje me Serbinë me këmbim territori dhe, që njëkohësisht sipas Riçard Grenellit, ky vetë po negocionte për zhbërjen e gjykatës speciale.

Është e habitshme, se si me sa lehtësi, kësaj here doli kundër vendimit të kësaj gjykate, kryeministri i vendit, Albin Kurti.

Kryeministri nuk është jurist, por duke pasur detyrën më të rëndësishme në shtet, qëndrimet e tij, mund të dëmtojnë proceset integruese të Kosovës, pasi deklaratat e tilla mund të shihen, qoftë si refuzuese ndaj drejtësisë, qoftë si përpjekje për diskreditim të drejtësisë ndërkombëtare të ofruar brenda Kosovës, në gjykatën speciale.

Albin Kurti qartësisht në fushatën e vitit 2019 për zgjedhjet nacionale, kishte premtuar zbardhjen e vrasjeve politike, duke përmendur edhe emra si të Xhemail Mustafës, Bejadin Hallaçit, Ilir Konushevcit etj.

Madje në Kuvendin e Kosovës, deputetja Millaku, e pat akuzuar Kadri Veselin, asokohe kryetar Kuvendi, të përfshirë në porosinë për ekzekutimin e komandant “Drinit”, Ekrem Rexhës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se dënimi ndaj Mustafës është vendim “indinjues”. Sipas tij, është “e papranueshme kur çlirimtarin na e gjykojnë më rëndë se agresorin gjenocidal”.

Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, po ashtu e ka vlerësuar pozitivisht vendimin e gjykatës speciale, duke e konsideruar të rëndësishëm për drejtësinë dhe viktimat: “Gjykim i rëndësishëm që forcon shtetin e së drejtës. Ky është një aktgjykim ndaj një individi për kryerjen e krimeve të rënda të luftës, jo një aktgjykim ndaj UÇK-së. Po aq e rëndësishme është vendosja e drejtësisë për viktimat – s’ka mosndëshkim”.

Për të mos ndodhur dënimet, nuk do të duhej të kishin ndodhur vrasjet!

Është shumë e vështirë që të kontestohen vendimet e gjykatës apo të gjykatësve të speciales, përveç se brenda vetë këtij institucioni!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat