Thellohet miqësia: Për tri vjet, Nikos Dendias katër herë në Kosovë

Aktuale

Thellohet miqësia: Për tri vjet, Nikos Dendias katër herë në Kosovë

Më: 20 dhjetor 2022 Në ora: 12:13
Nikos Dendias

Ishte për vizitë zyrtare në Kosovë, në qershor të këtij viti. Por pa kaluar as shtatë muaj, ai vjen sërish në kryeqytetin e Kosovës.

Është ky ministri i Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikos Dendias. Ai vjen sot në një vizitë zyrtare në Kosovë, pasi një ditë më parë qëndroi për një të tillë edhe në kryeqytetin e Serbisë, Beograd.

Ai do të pritet nga zyrtarët më të lartë të shtetit, kurse në aeroport, mirëseardhje do t’i dëshirojë ministrja e Punëve të Jashtme e Diasporës të Kosovës, Donika Gërvalla.

Greqia është një nga pesë shtetet e Bashkimit Evropian që ende nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.

Por, qasja e saj karshi Kosovës ka qenë konstruktive, e sidomos përgjatë viteve të fundit.

Kontaktet e Greqisë me Kosovën kanë shënuar ngritje, sidomos nga viti 2019, kur drejtimin e qeverisë e mori kryeministri Kyriakos Mitsotakis.

Kontaktet e Greqisë me Kosovën filluan të shtohen nëpërmjet ministrit të Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikos Dendias, i cili në këtë post u vendos në korrik të vitit 2019.

Vetëm pak më shumë se një vit pasi mori detyrën, me 9 tetor 2019, Dendias mbërriti në Prishtinë, në vizitë zyrtare.

Në atë kohë, në takim me kryeministrin Avdullah Hoti, Dendias kishte thënë se “Greqia është e përkushtuar që ta ndihmojë Kosovën në rrugëtimin euro-atlantik”.

Gjithashtu, para dy vitesh, në takim me ministren e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj-Stublla, kjo e fundit ishte shprehur se homologu i saj grek, i kishte dhënë mbështetje Kosovës për liberalizimin e vizave, raporton televizioni publik.

Dendias ishte në Kosovë edhe në tetorin e vitit 2020 ku u prit nga zyrtarët më të lartë të Kosovës.

Më vonë, në qershorin e vitit 2021, Dendias kishte ardhur sërish për vizitë në Kosovë.

Ai ishte pritur nga presidentja Vjosa Osmani, kurse në konferencë me homologen e tij, ministren e Punëve të Jashtme e Diasporës, Donika Gërvalla, ministri grek kishte thënë se vizita e tij, shërben për të përmirësuar marrëdhëniet me Kosovën, sidomos ato ekonomike dhe tregtare.

Gërvalla kishte thënë se palët janë pajtuar që Zyra e Kosovës në Athinë, nga një zyrë me status të thjeshtë, të ngrihet në zyrë politike, ndërkohë që një zyrë e tillë greke ka vite që funksionon në Prishtinë.

Kontaktet mes Kosovës e Greqisë, nëpërmjet ministrit të jashtëm grek kanë vazhduar edhe më tej në forma të ndryshme.

Ai ka pasur takime me homologen e tij, Gërvalla si edhe me kryeministrin Albin Kurti edhe gjatë punimeve të samitit “Delfi” të mbajtur në Greqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat