Serbët përfundojnë protestën në veri, këto ishin mesazhet për Kurtin – ja si reagoi Vuçiqi

Aktuale

Serbët përfundojnë protestën në veri, këto ishin mesazhet për Kurtin – ja si reagoi Vuçiqi

Më: 22 dhjetor 2022 Në ora: 10:08 Përditësuar në ora: 13:30 më 22.12.2022
Pamje nga vendi i ngjarjes

Protestuesit në veri i dërgojnë mesazh edhe ambasadorit gjerman në Kosovë

Nga ora 12:00 sot filloi protesta e serbëve në veri të Mitrovicës.

Ndër pankartat që mbajtën në duar ishte edhe një kundër ambasadorit gjerman, Jorn Rohde.

“Rohde, kjo nuk është Gjermania juaj, kjo është Serbi”, thuhej në të.

Po ashtu, përveç një flamuri të gjatë serb që u shpalos në protestë pati edhe pankarta të tjera të tilla: “Me besim në Zot për Krishtlindje”, “President Vuçiq, ne kemi besim te ti”, “Sepse nuk ka kthim nga këtu”, “Drejtësi për Dejanin, Miljanin dhe Slladanin”, ndërsa pankarta e një madhësie më të madhe ishte kundër kryeministrit Kurti.

“Kurti, Kosova nuk është territori juaj, kjo është trashëgimia jonë!”.

Ambasadori gjerman kishte bërë një deklaratë që s’iu pëlqeu aspak qeveritarëve në Serbi.

“Keni barrikada bllokuese dhe nuk mund të lëvizni aq. Ka njerëz në veri dhe do të nënvizoja që ata po vuajnë më së shumti dhe janë bërë një top goditjeje nga politika. Kështu që, tash sidomos, meqë po vijnë Krishtlindjet, këto barrikada duhet hequr sa më parë që të jetë e mundur. Na duhet dialog dhe jo konfrontime. Qeveria ime qëndron sigurisht me Qeverinë e Kosovës për ta depërshkallëzuar situatën. Ata që janë përgjegjës për barrikadat duhet ta mendojnë mirë që po e bëjnë popullatën e tyre të vuajë”, tha Rohde.

Kësaj deklarate i reagoi edhe presidenti serb Vuçiq.

“Z. Rohde është i njohur për deklaratat e tij anti-serbe”, ka thënë Vuçiq.

Ai shkoi edhe më tej sa akuzoi Gjermaninë që po dëshiron të dominojë në Ballkan.

“Përfaqësuesit gjermanë mendojnë se mund të vendosin se çfarë fasule të hahet në Mitrovicë e çfarë në Zubin Potok”, ka thënë Vuçiq, duke u ankuar që Rohde nuk po flet për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Përfundon protesta e serbëve në veri

Ka përfunduar pa incidente dhe e qetë protesta e serbëve në Rudar të Zveçanit.

Pjesëmarrësve aty iu drejtua Predrag Pantiq, djali i policit të arrestuar Dejan Pantiq, duke thënë se babai i tij u arrestua vetëm pse është serb dhe se dalja në barrikada është opsioni i fundit me shpresën për të ndalur, sipas tij, dëbimin politik të serbëve në këtë zonë.

Gjatë kësaj proteste, në mesin e pankartave të shumta, serbët kanë shpalosur edhe një flamur të madh me ngjyrat e Serbisë.

Djali i Pantiqit, policit të arrestuar për sulm terrorist: Ai u arrestua vetëm pse është serb

Predrag Pantiq, djali i policit të arrestuar Dejan Pantiq, i cili u arrestua si i dyshuar për organizim të sulmit terrorist në zyrat e KKZ-së në veri të vendit, ka folur para protestuesve serbë në veri.

Ai ka thënë se babai i tij u arrestua vetëm pse është serb, raporton ekipi i Klan Kosovës nga protesta në Rudar.

“Është fajtor vetëm pse është serb. Populli në babanë tim e pa veten. Panë se nesër në vend të tij mund të jenë ata, fëmijët e tyre apo prindërit e tyre. Prandaj, sikurse në vitet e kaluara, dalja në barrikada është opsioni i fundit me shpresën për të ndalur dëbimin politik të serbëve në këtë zonë”, tha ai.

“Nuk kemi asnjë dëshmi e as sqarim pse është arrestuar një i pafajshëm. Ata i shkelin të gjitha të drejtat e tij si i burgosur. Ne s’kemi asnjë kontakt me të, as e kemi parë e as kemi dëgjuar nga ai. Ata flasin se ai i ka të gjitha të drejtat dhe se është mirë. Por unë i pyes: pse s’i lejohet babait tim një thirrje të na thotë vetë se është mirë? Pse mbrojtësve tanë nuk u lejohet ta vizitojnë?”, tha Pantiqi. 

Bërnabiq: KFOR-i nuk na është përgjigjur ende

Në ditën kur serbët po protestojnë në pjesën veriore të Kosovës, kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, tha të enjten se KFOR-i nuk i është përgjigjur ende kërkesës së Serbisë për të dërguar deri në 1.000 forca serbe në Kosovë.

“Ne presim një përgjigje për këtë kërkesë”, tha Bërnabiq për Televizionin serb Hepi.

Serbia e ka bërë këtë kërkesë duke u thirrur në Rezolutën 1244 të Kombeve të Bashkuara, ndërsa KFOR-i ka thënë më herët se është duke e shqyrtuar atë.

I dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë më 13 dhjetor se SHBA-ja është kategorikisht kundër mundësisë së kthimit të forcave serbe në territorin e Kosovës.

​Protestuesit serbë në Rudarë: Kurti, Kosova nuk është e gjyshit tënd, është e gjyshërve tanë

Qytetarë serbë nga veriu, vende të ndryshme të Kosovës dhe më gjerë, janë tubuar për protestën e paralajmëruar sot në Rudarë, kundër deklaratave të kryeministrit, Albin Kurti dhe ambasadorit gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, në lidhje me barrikadat e vendosura në atë pjesë të vendit.

Përveç flamujve serbë dhe pankartave me mbishkrime të ndryshme, bie në sy njëra parulla me dimensone të mëdha në të cilën shkruan në alfabetin cirilik ,"Kurti, Kosova nuk është e gjyshit tënd, është e gjyshërve tanë".

Vërehen qytetarë duke ardhur vazhdimisht në mënyrë të organizuar dhe nga vise të ndryshme.

Ndërsa protesta akoma nuk ka filluar zyrtarisht. 

Protesta në Rudar hapet duke u shpalosur flamuri i Serbisë

Serbët e mbledhur në afërsi të barrikadës në Rudar, kanë nisur protestën e tyre, organizimi i së cilës sipas përfaqësuesve të të ashtuquajturit “shtabi i krizës së popullit serb nga veriu i Kosovës”, ka të bëjë me deklaratat kryeministrit të Kosovës Albin Kurti.

Protesta në Rudar, e thirrur nga i ashtuquajturi “shtabi i krizës së popullit serb nga veriu i Kosovës”, tashmë ka filluar.

Protestuesit në Rudar të Zveçanit protestën e hapin duke e shpalosur flamurin e Serbisë.

Një autobus me targa të Beogradit i stërmbushur me protestues, pak para nisjes së protestës kishte arritur në afërsi të barrikadës në Rudar.

Sipas përfaqësuesve të këtij shtabi, organizimi i kësaj proteste ka të bëjë me deklaratat e fundit rreth barrikadave nga ana e kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, të cilat i konsiderojnë si kërcënim si dhe të ambasadorit gjerman, Jorn Rohde.

Sipas tyre, Kurti ka bërë thirrje për vrasjen e serbëve në barrikada dhe zhdukjen e tyre, ndërsa ambasadori gjerman me deklaratat e tij po e mbështetë drejtpërdrejt dhe hapur kryeministrin Kurti.

Policia e Kosovës përmes një komunikate ka njoftuar se në protestën e cila është paralajmëruar të mbahet në veri të Mitrovicës do të kujdeset që të ruajë rendin dhe qetësinë publike.

“Sot, në veri të Mitrovicës është paralajmëruar të mbahet një protestë/tubim, andaj lidhur me këtë Policia e Kosovës duke njohur të drejtën për tubime publike përmes protestës paqësore, sipas detyrës zyrtare kujdeset për ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike si dhe detyrave të përcaktuar sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatën e dërguar nga PK.

Policia e Kosovës ka ftuar qytetarët që të kenë vëmendje dhe kujdes, të protestojnë në mënyrë të qetë dhe të mos bien pre e provokimeve.

EULEX po monitoron situatën në veri

EULEX po monitoron nga afër situatën e sigurisë në veriun e Kosovës përmes pranisë së shtuar të pjesëtarëve në terren.

Kështu ka bërë të ditur EULEX përmes një komunikate, ku ka theksuar se duke pasur parasysh situatën e paqëndrueshme të sigurisë në veriun e Mitrovicës, EULEX po e përshtat praninë e tij.

“Jemi duke monitoruar nga afër situatën e sigurisë në pjesën veriore të Kosovës përmes pranisë sonë të shtuar në terren. Pjesëtarët e Polonisë e Njësisë sonë Policore të Specializuar dhe pjesëtarët e Italisë dhe Lituanisë nga Njësia jonë Policore e Specializuar Rezervë nga Forca Evropiane e Xhandarmërisë janë duke kryer patrullime vëzhguese, përfshirë patrullimet në këmbë në Mitrovicën Veriore dhe Zveçan”.

“Duke e pasur parasysh situatën e paqëndrueshme të sigurisë në pjesën veriore të Kosovës dhe vendosjen e barrikadave shtesë, EULEX-i rregullisht e përshtat praninë e tij për ta pasqyruar situatën në terren, si dhe në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe KFOR-in”, thuhet në njoftim.

Bllokimi i rrugëve në veri të Kosovës ka hyrë në ditën e 13.

Që nga e shtuna e 10 dhjetorit, serbët lokalë kanë ngritur barrikada në shenjë pakënaqësie me arrestimin e një ish-pjesëtari serb të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq, për të cilin autoritetet në Kosovë thonë se ka organizuar sulmet ndaj zyrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri.

Forcat e policisë së Kosovës vazhdojnë të jenë të dislokuara në veri.

Që nga 6 dhjetori, në katër komunat në veri të Kosovës – Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – janë shënuar disa incidente të armatosura.

Sulme ka pasur edhe ndaj Policisë së Kosovës.

Ndërkaq, Policia e Kosovës ka njoftuar se të martën në mbrëmje janë dëgjuar dy shpërthime në ‘Lagjen e Boshnjakëve’ dhe te ‘Tre Rrokaqiejt’ në veri të Mitrovicës.

Vuçiq mbështet protestën e serbëve në Rudarë, i fton për ta ruajtur paqen

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka thënë se do të mbështet protestën e serbëve në Rudar, raporton Gazeta10.

Ai ka thënë se përherë është përgjegjës që t’i ftojë ata që ta ruajnë paqen.

Më tej, Vuçiq ka thënë se nuk do të fshihet para fuqive të mëdha.

“Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, sot para protestës së madhe popullore dhe demokratike në barrikadën në Rudar, afër Zveçanit, u tha serbëve në Kosovë e Metohi se do t’i mbështesë gjithmonë dhe se nuk do t’u fshihet të mëdhenjve dhe të fuqishmëve në bota, por se ai do të jetë gjithmonë mjaftueshëm përgjegjës për t’i ftuar ata të jenë të qetë dhe të ruajnë paqen”, shkruan Tanjug.

Ai ka thënë se ky tubim do të jetë i madh.

“Në një adresë video, të publikuar në Instagram, Vuçiq ka thënë se serbët nga veriu dhe jugu dhe nga të gjitha zonat ku jetojnë serbët në Kosovë do të vijnë në protestën e madhe të serbëve nga Kosova”.

Kujtojmë se serbët në veri kanë vendosur barrikada duke bllokuar disa rrugë.

Institucionet e Kosovës dhe ato ndërkombëtare kanë kërkuar heqjen e tyre si dhe uljen e tensioneve. 

Protestat në Rudar, autobusi me targa të Beogradit – i mbushur me protestues serbë

Serbët e veriut tashmë kanë nisur të mblidhen në Rudar ku pritet të mbahet protesta e thirrur nga i ashtuquajturi “shtabi i krizës së popullit serb nga veriu i Kosovës”. Atyre u janë bashkëngjitur edhe serbët të cilët kanë ardhur me një autobus me targa nga Beogradi

Një autobus me targa të Beogradit, i stërmbushur me protestues sapo ka arritur në afërsi të barrikadës në Rudar, ku pritet të nisë protesta e thirrur nga i ashtuquajturi “shtabi i krizës së popullit serb nga veriu i Kosovës”.

Image

 

Protesta pritet të nisë në orën 12:00.

Sipas përfaqësuesve të këtij shtabi, organizimi i kësaj proteste ka të bëjë me deklaratat e fundit rreth barrikadave nga ana e kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, të cilat i konsiderojnë si kërcënim, si dhe të ambasadorit të Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde.

Sipas tyre, Kurti ka bërë thirrje për vrasjen e serbëve në barrikada dhe zhdukjen e tyre, ndërsa ambasadori gjerman me deklaratat e tij po e mbështet drejtpërdrejt dhe hapur kryeministrin Kurti.

Policia e Kosovës përmes një komunikate ka njoftuar se në protestën e cila është paralajmëruar të mbahet në veri të Mitrovicës do të kujdeset që të ruajë rendin dhe qetësinë publike.

“Sot, në veri të Mitrovicës është paralajmëruar të mbahet një protestë/tubim, andaj lidhur me këtë Policia e Kosovës duke njohur të drejtën për tubime publike përmes protestës paqësore, sipas detyrës zyrtare kujdeset për ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike si dhe detyrave të përcaktuar sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatën e dërguar nga PK.

Policia e Kosovës ka ftuar qytetarët që të kenë vëmendje dhe kujdes, të protestojnë në mënyrë të qetë dhe të mos bien pre e provokimeve.

Fillon grumbullimi i protestuesve serbë në Rudar

Lista “Srpska” dhe zyrtarë të tjerë serbë kanë paralajmëruar sot mbajtjen e një proteste në Rudar duke bërë thirrje për pjesëmarrje të serbëve në këtë protestë.

Protestuesit veçse kanë filluar të grumbullohen, teksa janë parë edhe autobusë të organizuar me qytetarë serbë të cilët janë duke ardhur për të marrë pjesë.

I ashtuquajturi shtabi i krizës në veri të vendit, i formuar nga serbët lokalë kanë bërë të ditur se organizimi i kësaj proteste ka të bëjë me deklaratat e fundit rreth barrikadave nga ana e kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, të cilat i konsiderojnë si kërcënim, si dhe të ambasadorit të Gjermanisë në Kosovë, Joern Rohde.

 

Protesta në veri/ Policia del me një njoftim të rëndësishëm për qytetarët

Angazhimet policore në forcimin e rendit dhe sigurisë publike, ofrimi sigurisë ndaj qytetarëve si dhe ndërmarrja e masave policore konform situatës dhe zhvillimeve në veri të vendit, do të vazhdojnë të mbesin ndër objektivat dhe detyrat primare të Policisë së Kosovës.

Sot, në veri të Mitrovicës është paralajmëruar të mbahet një protestë/tubim, andaj lidhur me këtë Policia e Kosovës duke njohur të drejtën për tubime publike përmes protestës paqësore, sipas detyrës zyrtare kujdeset për ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike si dhe detyrave të përcaktuar sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Duke ditur rrethanat dhe situatën e brishtë të sigurisë të krijuar nga grupet kriminale në veri të vendit dhe tendencës për destabilizim të situatës, Policia e Kosovës fton qytetarët që të kenë vëmendje dhe kujdes të shtuar përgjatë thirrjes së kësaj proteste, të protestojnë në mënyrë të qetë dhe të mos bien pre e provokimeve të mundshme, të çfarëdo natyre qofshin ato.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat