Dita e 13-të e policëve të bllokuar në Leposaviq dhe Jarinje, flet kryesindikalisti i Policisë

Aktuale

Dita e 13-të e policëve të bllokuar në Leposaviq dhe Jarinje, flet kryesindikalisti i Policisë

Më: 22 dhjetor 2022 Në ora: 13:55
Foto ilustrim

Kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri ka thënë se policët që kanë mbetur të bllokuar në Leposaviq dhe Jarinje janë në gjendje të mirë shëndetësore.

Në një intervistë, Zeqiri deklaroi se është në kontaktë të vazhdueshëm me policët që gjenden atje.

“Personalisht jam në kontakt direkt me ta përmes telefonit dhe kontaktoj me kolegët që janë në dy lokacione. Sot është dita e 13-të që nuk ka mundur t’iu bëhet ndërrimi, janë duke qëndruar ditë e netë pa ndërrim në Leposaviq dhe në Jarinje, ndërsa në pikat tjera është duke u mbajtur ndërrimi” deklaroi Zeqiri.

Ai tha se Sindikata e Policisë eshtë duke u munduar të gjejë një zgjidhje për të dalë sa më shpejt nga kjo situatë, sidomos për të ndihmuar kolegët e tyre që gjenden në këto dy pika.

“Gjendja e tyre shëndetësore është e mirë, për shkak se jemi në kontakt, kjo është informatë direkte me kolegët që gjenden atje, sepse pak më herët fola me ta. Gjendja morale dhe vullneti i tyre është jashtëzakonisht i lartë, përkundër kësaj zgjatjeje të tepruar apo  jonormale, sepse 13 ditë të qëndrosh në punë pa ndërprerë, sidmos në detyra policore, vetëm vullneti dhe motivi shumë i lartë i atyre kolegëve tanë atje mund ta përballojë këtë.”

Ai thotë se policët e bllokuar në këto dy pika janë të qetë dhe me vullnet shumë të lartë, përkundër vështirësive.

Zeqiri pohoi se policët atje kanë ushqim të mjaftueshëm, veshmbathje të mjaftueshme dhe derivate e pajisje logjistike. Shqetësimi i vetëm është që të gjendet sa më shpejt zgjidhja për ndërrimin e tyre.

“Dua t’i përshëndes dhe t’i përgezoj të gjithë policët që po qëndrojnë atje, për moralin e lartë të tyre, që, përkundër kushteve të vështira, duke qëndruar në objekte dhe lokacione që nuk janë të përshtatshme për ushqim, për gjumë, dhe të papërshtatshme për të mbajtur higjienën personale, edhe pse mjetet e tjera iu kanë dërguar” përfundoi Zeqiri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat