LDK shënon 33–vjetorin, dy nga themeluesit flasin për rrethanat kur u krijua dhe për rolin e saj

Aktuale

LDK shënon 33–vjetorin, dy nga themeluesit flasin për rrethanat kur u krijua dhe për rolin e saj

Më: 23 dhjetor 2022 Në ora: 22:13
LDK

U nis nga një grup intelektualësh që kryesisht ishin shkrimtarë. Në këtë datë, 33 vjet më parë, Lidhja Demokratike e Kosovës mbajti Kuvendin Themelues duke u bërë partia e parë në Kosovë që sfidonte sistemin komunist në Ish-Jugosllavi.

Njëri prej 120 themeluesve ishte edhe Milaim Kadriu. Ai thotë se deri te themelimi i LDK-së erdhi nga gazetarët.

“Ideja për themelimin e LDK-së ka ardhur prej Rilindjes. Të parët janë gazetarët e Rilindjes që e kanë hedhur poshtë Lidhjen Komuniste”, tha Kadriu.

Kadriu shton se ndër kontributet më të mëdha të LDK-së është se ka arritur të ndalë luftën në Kosovë në fillimin e viteve ‘90.

“Ende ishte Lidhja e Sllavëve mes veti edhe Kroacia, Bosnja., etj. As Kroacia, as Sllovenia, as Maqedonia, as Mali i Zi, askush nuk e ka mbrojt autonominë e Kosovës… Qëllimi ishte me nis lufta, këtu me fillu edhe ata me i nxjerr Republikat e veta pa luftë. Po mençuria e Rugovës edhe e jona me të, i ikëm luftës në 90’ dhe shpëtuam pa një tragjedi se po të ishim hy, kishim me i pasë në Kosovë 50 Srebrenica”, shtoi ai.

Pjesë e themeltarëve të LDK-së ishte edhe inxhinieri Ramadan Maloku. Nga dita e themelimit të LDK-së, ai kujton një bashkëbisedim interesant me Rugovën.

“Më kujtohet, atë ditë që e themeluam- isha në ndërrimin e dytë. E përshëndeta Rugovën. Thashë përhajer na koftë, jam klasë punëtore. Tha po më vjen mirë shumë që ka pasë guxim një person prej klasës punëtore. Qe një pako cigare, ua shpërndan shoqnisë dhe të fala ju bën”, tha Maloku.

Maloku thotë se në atë kohë me shumë vështirësi e ushtronte aktivitetin politik.

“Non-stop jemi kanë të përcjellun. Merre me mend tash, i ndjeri Bajram Kelmendi, tri herë ja kom qu materialin në Ljubjanë. Kinse shoqja po shkon me u kontrollu, e pështillke materialin”, deklaroi ai.

Që nga vdekja e liderit të saj të parë, Ibrahim Rugovës, LDK-ja është udhëhequr edhe nga Fatmir Sejdiu, Isa Mustafa, e së fundmi udhëhiqet nga Lumir Abdixhiku.

Rezultatin më të mirë në zgjedhjet e pasluftës e ka në vitin 2001 kur ka fituar 45.6 % të votave, kurse rezultatin më të keq në zgjedhjet e shkurtit të vitit të kaluar kur fitoi vetëm 12.7 %.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat