Policia serbe provon të heqë barrikadat në Merdare, përplaset me barrikaduesit

Aktuale

Policia serbe provon të heqë barrikadat në Merdare, përplaset me barrikaduesit

Më: 29 dhjetor 2022 Në ora: 00:13
Merdar

Disa qytetarë serbë në anën serbe të kufirit në Merdare kanë vendosur barrikada që nga dita e djeshme.

E megjithëkëtë, Policia serbe sot ka tentuar të heqë barrikadat por që ka hasur në rezistencë të atyre që i kanë vendosur.

Në një video që e ka siguruar media nga vendi i ngjarjes, shihet intervenimi i policisë serbe dhe qytetarët që refuzojnë të largohen nga barrikadat.

Madje, policia ka arrestuar edhe një person që po qëndronte në barrikada që ka shtyrë personat prezent aty që të reagojnë dhe të kërkojnë lirimin e tij.

Në video përveç përplasjeve mes të dyja palëve, dëgjohen edhe një fjalor i brishtë nga ana e serbëve.

Njëri nga personat që u konfrontua me policinë dëgjohet të thotë se po e presin kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti që t’i heqin barrikadat.

“Tani po e presim Kurtin dhe baglat tjera nga Kosova, se si MPB-ja jonë po i merr fshatarin tonë nga Matarolla, po e çojnë në stacion ….”, shprehet ai.

Sidoqoftë, kalimi në pikën kufitare është mbyllur që nga mbrëmë dhe Ministria e Jashtme e Kosovës u ka bërë thirrje qytetarëve kosovarë që kalojnë në atë pjesë të shmangin qarkullimin.

Derisa përfaqësuesit politik i kanë paralajmëruar se mund të hiqen barrikadat pas lirimit të ish-policit Dejan Pantiq.

Presidentja Vjosa Osmani deklaroi në “Rubikon” se heqja e barrikadave është çështje orësh dhe nëse nuk hiqen nga ata që i vendosën, do të hiqen nga Kosova në koordinim me aleatët.

Ndërsa presidenti serb, Aleksandër Vuçiq po qëndron në Rashkë në takim me përfaqësuesit e serbëve të Kosovës.

Edhe zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi deklaroi se barrikadat do të hiqen sot ose nesër.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat