Hiqen barrikadat, pas 20 ditësh rifillon qarkullimi i automjeteve në Rudar

Aktuale

Hiqen barrikadat, pas 20 ditësh rifillon qarkullimi i automjeteve në Rudar

Më: 29 dhjetor 2022 Në ora: 13:20 Përditësuar në ora: 17:44 më 29.12.2022
Forcat e KFOR-it në afërsi të barrikadës në Lagjën e Boshnjakëve në Mitrovicë.

​Vazhdon largimi i barrikadave në veri

Në veri po vazhdon heqja e barrikadave të vendosura nga serbët.

Sapo u largua njëri nga tre kamionët e vendosur tek udhëkryqi afër shkollës teknike në veri të Mitrovicës.

Më herët është bërë largimi i barrikadave në Rudare, ndërkohë që pritet të vazhdojë edhe heqja e barrikadave të tjera.

Hiqet barrikada e parë, pas 20 ditësh rifillon qarkullimi i automjeteve në Rudar

Nga barrikada e vendosur në Rudar të Zveçanit, në orët e para të mbrëmjes është larguar dhe kamioni i fundit.

Tashmë një korsi e rrugës është liruar dhe qarkullimi i veturave po bëhet normalisht, sikur shihet në pamjet e medias.

Kamionët që ishin vendosur aty që nga 10 dhjetori janë ndezur dhe larguar nga persona të maskuar. Disa nga ta kanë provokuar gazetarët duke ua drejtuar gishtin e mesëm.

Rrugët kryesore që çojnë drejt Jarinjës dhe Bërnjakut, pikat kufitare që lidhin Kosovën me Serbinë, ishin të bllokuara qe gati tri javë.

Ato ishin vendosur nga grupet kriminale serbe, pas arrestimit të ish-policit Dejan Pantiq, i dyshuar për sulm ndaj zyrave të KQZ-së në veri të vendit.

Pas lirimit në arrest shtëpiak të Pantiqit, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, dje nga Rashka njoftoi se heqja e barrikadave do të niste sot.

KFOR-i mirëpret vendimin për heqjen e barrikadave

Reaguesi i tretë i sigurisë në Kosovë, KFOR, ka thënë se e mirëpret vendimin e mbrëmshëm për heqjen e barrikadave në veri të vendit.

KFOR-i, përmes një reagimi tha se heqja e barrikadave duhet të bëhet shpejt, në mnyrë të sigurt dhe duke shmangur çdo lloj incidenti apo rreziku.

“Të gjitha palët duhet të shmangin çdo retorikë apo veprim që mund të shkaktojë përshkallëzim të mëtejshëm. KFOR-i po monitoron nga afër zhvillimet. Ne mbetemi jashtëzakonisht vigjilentë dhe të gatshëm për të ndërhyrë, nëse është e nevojshme, në përputhje me mandatin tonë të bazuar në Rezolutën 1244 të 1999”, thuhet në reagimin e KFOR-it.

Kujtojmë se mbrëmë, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, lajmëroi se barrikadat në veri të Kosovës do të hiqen brenda 24 deri në 48 orë, pas takimit që ai pati me përfaqësuesit e serbëve të Kosovës.

Franca mirëpret largimin e barrikadave

Franca e ka mirëpritur largimin e barrikadave në veri.

Ministria e Jashtme e këtij vendi me anë të një njoftimi tha se i vlerëson përpjekjet e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara për të arritur këtë rezultat.

MPJ-ja franceze iu bën thirrje palëve që ta vazhdojnë dialogun për normalizimin e marrëdhënieve.

“I bëjmë thirrje autoriteteve serbe dhe kosovare që të vazhdojnë angazhimin e tyre konstruktiv për të ulur tensionet në terren dhe për të shkuar drejt një marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve të tyre në kuadër të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian. Të gjitha angazhimet e marra në kuadër të këtij dialogu duhet të zbatohen”, thuhet në njoftim

Heqja e barrikadave, Borrell: Diplomacia mbizotëroi në uljen e tensioneve në veri

Përfaqësuesi i lartë për politikë të Jashtme dhe Siguri i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka reaguar pas nisjes së heqjes së barrikadave në Rudarë.

Ai ka shkruar se diplomacia mbizotëroi në uljen e tensioneve në veri të Kosovës.

“Dhuna nuk mund të jetë kurrë një zgjidhje. Mirë se vini në lidershipin e përgjegjshëm të presidentit Vuçiq dhe kryeministrit Kurti.”, ka shkruar Borrell në Twitter.

Ai ka shtuar se tani nevojitet përparim urgjent në dialog.

Ndryshe, në Rudareëpara pak minutash ka nisur heqja e barrikadave.

Pak lëvizje afër barrikadës në Lagjen e Boshnjakëve

Për të enjten është paralajmëruar heqja e barrikadave në pjesën veriore.

Por aktualisht nuk ka ndonjë lëvizje të shtuar afër barrikadave.

KFOR-i shihet në afërsi të barrikadës në Lagjen e Boshnjakëve.

KFOR pranë barrikadës në veri

Barrikadat në veri të vendit akoma nuk kanë lëvizur, ndërkohë që situata e përgjithshme e sigurisë aktualisht është e qetë.

Ushtarët italianë në kuadër të KFOR-it po qëndrojnë krejt pranë barrikadës tek udhëkryqi afër shkollës teknike në veri të Mitrovicës.

Një helikopter i KFOR-it po ashtu po vëzhgon situatën nga ajri herë pas here, ndërsa edhe automjetet e EULEX-it janë duke qarkulluar shpesh në këtë zonë.

Burime të KosovaPress-it bëjnë të ditur se për shkak të mosmarrëveshjeve brenda barrikaduesve, barrikadat akoma nuk po lëvizin.

"Ka zhgënjim të madh në mesin e barrikaduesve ndaj kreut të shtetit të Serbisë. Nuk mjafton vetëm lirimi i Dejan Pantiqit, duhet të lirohen edhe Miljan Axhiq e Sllagjan Trajkoviq. Edhe policët shqiptarë duhet të largohen nga veriu, pastaj hiqen barrikadat", kanë thënë këto burime.

Ndryshe, pjesëtarët e Policisë së Kosovës vazhdojnë të patrullojnë nëpër zonat e banuara me popullatë të përzier në veri të Mitrovicës. 

Momenti i largimit të bllokadave në Merdare

Largohen barrikadat, hiqet gatishmëria e shtuar luftarake në Serbi

Sipas portalit Nova.rs, gjendja e gatishmërisë së ngritur luftarake në ushtri, të cilën presidenti Aleksandar Vuçiq e shpalli më 26 dhjetor për shkak të situatës në veri të Kosovës, është hequr.

Si Komandant Suprem i Forcave të Armatosura të Serbisë, Vuçiq urdhëroi më 26 dhjetor që ushtria dhe të gjitha njësitë e MPB-së të jenë në nivelin më të lartë të gatishmërisë luftarake.

Pas kësaj, ushtria transferoi një pjesë të kapaciteteve dhe forcave të saj në zonën rreth Rashkës dhe Kurshumlisë, por nuk kishte të dhëna të sakta se çfarë veprimesh ndërmori shteti.

Vuçiq urdhëroi ngritjen e gjendjes së gatishmërisë luftarake në një situatë kur serbët në veri të Kosovës ishin në detyrë në barrikada, por edhe pas njoftimit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti se do t’i largonin barrikadat nëse KFOR-i nuk e bën këtë.

Por sot, pasi Vuçiq u pajtua që barrikadat të hiqen, për shkak të plotësimit të kushteve të serbëve, u mor vendim për përfundimin e gjendjes së gatishmërisë së ngritur luftarake.

Novica Antiq nga Unioni Ushtarak i Serbisë tha për Nova.rs në atë kohë se rreth zonës së sigurisë tokësore kishte rreth 7500 ushtarë.

“Kjo do të thotë se ushtria kishte nevojë për ushqim për të gjithë 7500 personat. Krahas kësaj kemi pasur lëvizje të njësive të tëra, ndaj shtojini karburantit, mirëmbajtjen e higjienës, të gjitha këto janë shpenzime për shtetin. Janë dhënë miliona dollarë vetëm për ushtrime ushtarake, madje edhe tani nuk duhen më pak para për këtë operacion”, tha Novica Antiq.

Fillon lëvizja e kamionëve në veri

Është lëvizur kamioni i parë i barrikadave në veri të vendit.

Kamioni në fjalë ka qenë në lagjen e Boshnjakëve, ndërsa ka qenë i parkuar anash rrugës – pra s’ka qenë pjesë direkte e bllokimit të rrugës.

Ndërkaq ende nuk kanë lëvizur kamionët kryesorë që e kanë bllokuar rrugën.

Sot është liruar për qarkullim pika kufitare në Merdare, e cila u bllokua dy ditë më parë në pjesën serbe.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat