Eurodeputetja gjermane tregon se si mund të votojë pesëshja e BE-së për anëtarësimin e Kosovës në KiE

Aktuale

Eurodeputetja gjermane tregon se si mund të votojë pesëshja e BE-së për anëtarësimin e Kosovës në KiE

Më: 4 janar 2023 Në ora: 12:40
Viola von Cramon

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Kreshnik Ahmeti, dje ka deklaruar se Kosova ka siguruar votat e mjaftueshme në Këshill të Europës, duke thënë se Serbia e ka humbur betejën që e nisi qysh kur Kosova dorëzoi aplikimin për anëtarësim.

“Ne kemi lobuar në disa rrafshe, qoftë diplomatik, qoftë politik, që ta sigurojmë mbështetjen në vota dhe ajo është, pra e kemi siguruar këtë mbështetje. Është siguruar interpretimi e sqarimi ligjor që nuk ka asnjë pengesë dhe kjo është betejë e humbur për Serbinë”, ka thënë dje Ahmeti.

Për këtë çështje ka folur edhe eurodeputetja, Viola von Cramon, e cila tha se sipas asaj që ka dëgjuar, shtetet e BE-së që s’e njohin Kosovën me shumë gjasë nuk do të marrin pjesë në votim.

“Shumë prej tyre në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës me shumë gjasa nuk do të marrin pjesë në votim ose në rastin më të keq do të votojnë kundër. Kjo është ajo që së paku kam dëgjuar”, ka thënë Cramon në një postim në Twitter të politologut boshnjak Jasmin Mujanoviq, i cili tha se është kureshtar për qëndrimin që do të ketë pesëshja e BE-së, si dhe Bosnja e Ukrainë për çështjen e Kosovës.

“Zëvendësministri i Jashtëm i Kosovës ka thënë se qeveria e tij ka siguruar vota të mjaftueshme për t’u pranuar në Këshill të Europës. Kjo do të ishte një arritje e madhe diplomatike e Prishtinës, nëse ndodh.  Nëse ky zhvillim rezulton në një votim formal në Këshill, do të jetë sidomos interesante të shohim se si do të votojnë pesë mosnjohëset e BE-së, por edhe Ukraina dhe Bosnja”, ka shkruar Mujanoviq.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat