Ish-prokurori: Shqipëria mund të bëjë presion kundër “Kobrës”

Aktuale

Ish-prokurori: Shqipëria mund të bëjë presion kundër “Kobrës”

Më: 6 janar 2023 Në ora: 15:40
“Kobra”

Java që po mbyllet ka pasur kryefjalë të kronikës vrasjen e 31-vjeçarit Visart Cengu në Prizren nga Dibran Hoxhaj, i njohur me nofkën “Kobra”. Shokun e Cengut e plagosi.

“Kobra” është pas hekurave, por nisur nga precedenti që gjithmonë ia ka hedhur drejtësisë në Kosovë, kjo ka bërë që familja nga Kukësi që humbi djalin të kërkojë me forcë që drejtësia të vendoset në vend.

Por si mund të ndikojë shteti, Shqipëria në këtë rast? Në lidhje me këtë çështje, “5pyetjet” kontaktoi për një prononcim ish-kreun e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Eugen Beci, i cili tregoi rrugët si mund të bëhet presion nga drejtësia shqiptare për këtë rast.

“Kur ka shtetas shqiptar të dëmtuar, mund të regjistrojë procedim penal edhe Shqipëria. Aq më tepër që pasoja ka ardhur në Shqipëri, personi ka vdekur në territorin shqiptar, në spital.

Prokuroria mund të regjistrojë një procedim në emër të atij personi për të marrë provat, autorësinë dhe pastaj transferohet procedimi ose bie në marrëveshje me dy shtetet që të bashkohet dosja, ose të vazhdojë në vete.

Duke regjistruar çështjen këtu, krijon një lloj presioni drejtësisë andej” tha ai për “5pyetjet.al”.

Arben Basha, Visart Cengu dhe Rufgen Shehu ndaluan për një birrë në lokalin e natës “Kobra” të biznesmenit Dibran Hoxhaj por në fund u konfliktuan për faturën dhe sherri nga grushtet përfundoi te plumbat. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat