Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka thënë se është njoftuar se në rastin e ndodhur Shtërpcë është përfshirë një pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Përmes një postimi në Facebook, ai ka thënë se me rastin po merren organet e drejtësisë dhe se i njëjti do të trajtohet edhe sipas rregulloreve dhe ligjeve në fuqi të Ministrisë.
Ai ka shprehur keqardhje të thellë për rastin dhe u ka uruar shërim të shpejtë të plagosurve.
Postimi i tij i plotë:
Të dashur qytetarë,
tani u njoftova se në rastin që ka ndodhur në Shtërpcë është përfshirë një pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës. Me rastin janë duke u marrë organet e sigurisë dhe drejtësisë. I njëjti do ta trajtohet edhe sipas rregulloreve dhe ligjeve që kemi në fuqi në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Forcës së Sigurisë.
Shpreh keqardhjen më të thellë për atë që ka ndodhur në Shtërpcë. Të plagosurve, u uroj shërim sa më të shpejtë. Raste si kjo janë të izoluara, por si të tilla nuk guxojnë të ndodhin.
Ministria e Mbrojtës dhe Forca e Sigurisë së Kosovës mbeten të përkushtuar për t’i shërbyer qytetarëve tanë pa dallim.