Ekspertët e sigurisë për incidentin në Shtërpcë: Serbët po e përdorin situatën, rasti s’ka të bëjë më motive etnike

Aktuale

Ekspertët e sigurisë për incidentin në Shtërpcë: Serbët po e përdorin situatën, rasti s’ka të bëjë më motive etnike

Më: 9 janar 2023 Në ora: 16:54
Pamje nga Shtërpca

Me 7 janar në komunën e Shtërpcës dy persona mbetën të plagosur si pasojë e të shtënave me armë zjarri.

Personi i dyshuar për plagosjen e dy serbëve në Shtërpcë është pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Kështu bëri të ditur ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj.

Të dielën u mbajt seanca gjyqësore për caktimin e masës ndaj ushtarit të FSK-së.

Gjykata Themelore në Ferizaj, vendosi një muaj paraburgim për të dyshuarin A.K.

Pas këtij incidenti në Shtërpcë është mbajtur protestë por pa incidente.

Protestuesit mbanin pankarta me mbishkrime si: “Shtërpca është zemra e Serbisë” dhe “Ne duam vetëm paqe”.

Krejt këtë situatë të krijuar, njohësi i sigurisë, Avni Islami po e quan të ekzagjeruar.

Islami ka krahasuar këtë incident me një rast tjetër në kohën e Millosheviqit.

 “Ky rast është shumë i ekzagjeruar, drejtësia ende nuk e ka dhënë versionin zyrtarë. Ne ende nuk dimë se çka dhe si ka ndodhur, a ishte rasti në vetëmbrojte apo i ka sulmuar pa paramendim ose mendim. Ky rast ma kujton kohen e Millosheviqit, kur një i ri është rrahur nga vetë serbët dhe u zgjonin në këmbë i tërë pushteti i Serbisë e njëjta po ndodh sot”, u shpreh Islami.

Sipas Islamit, ky incident nuk ka motive etnike.

“Institucionet e Kosovës duhet ta dënojnë por edhe duhet ta presin vendimin e  drejtësisë e jo ta paragjykojnë. Serbia do të bëjë përpjekje më e ekzagjeruar ndoshta edhe deri në Kombet e Bashkuara. Por mendimi im është që nuk ka motive etnike e politike”, u shpreh Islami.

Mendim të njëjtë se serbët do ta përdorin këtë situatë në favor të tyre, e ka edhe eksperti i çështjeve të sigurisë, Nuredin Ibishi.

Ai tha se ky konflikt nisi nga provokimet e grupet të të rinjve.

“Nuk duhet t’i jepet një konotacion që kinse ka të bëjë me një konflikt individual ndër etnik. Serbët filluan ta përdorin këtë situatë me protesta kundërshtime e debate kinse ka pasur qëllime të sulmit ndëretnik por nuk qëndron kjo, nëse kjo kish dashtë me qenë e qëllimshme do të ndodhte diçka tjetër më shumë. Ky është një incident i rastit ata nuk janë njohur dhe ushtari i FSK-së nuk ka qenë në uniformë mirëpo ka qenë një provokim nga grupet e të rinjve ashtu siç është thënë”, theksoi Ibishi.

Njohësi i sigurisë theksoi se kjo situatë është zmadhuar edhe krahas politikës.

“Në Kosovë merr kaheje dhe përmasa të mëdha dhe u zmadhua edhe nga politika. Serbëve nuk mund të ia ndalë askush reagimet por më e mira është që pjesëtari i FSK-së është lajmëruar menjëherë në polici.

Ndaj incidentit në Shtërpcë kanë reaguar të premten edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryeministri Albin Kurti.

Osmani tha se “plagosja e të rinjve 11 dhe 21-vjeçar në Shtërpcë është akt i patolerueshëm” dhe se autori duhet të vihet para drejtësisë.

Ndërsa Kurti tha se është “thellësisht i brengosur për plagosjen e tyre”.

Edhe përfaqësues të tjerë ndërkombëtarë e kanë dënuar incidentin në këtë komunë të banuar me shumicë serbe.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat