Analistët: Marrëveshja Kosovë-Serbi, deri në fund të marsit?

Aktuale

Analistët: Marrëveshja Kosovë-Serbi, deri në fund të marsit?

Më: 10 janar 2023 Në ora: 16:46
Foto ilustrim

Zyrtarë të lartë nga SHBA-ja, BE-ja dhe të dërguar specialë të shteteve më të fuqishme evropiane si Gjermania e Franca, gjatë janarit do të qëndrojnë në Kosovë e Serbi. Njohës të procesit të dialogut thonë se këto vizita, po bëhen me shkas dhe synojnë që të përafrojnë Kosovën dhe Serbinë për arritjen e marrëveshjes finale për normalizimin e marrëdhënieve.

Këshilltari i Departamentit Amerikan të Shtetit, Derek Chollet, do të qëndrojë nesër Prishtinë, e më pas do të shkojë edhe në Beograd. Edhe Emmanuel Bonnin, këshilltari i presidentit francez, dhe Jens Pletner, këshilltar i kancelarit gjerman, gjatë janarit do të qëndrojnë në Kosovë e Serbi, me qëllim të përafrimit të palëve në normalizimin e marrëdhënieve dhe arritjes së marrëveshjes finale.

Duke komentuar vizitat që pritet të ndodhin dhe kërkesën e ndërkombëtarëve që Kosova e Serbia të kenë marrëveshje për normalizimin e plotë të marrëdhënieve, profesori universitar, Dritëro Arfidi, thotë për Radio Kosovën se një marrëveshje ndërmjet palëve, mund të arrihet deri në fund të marsit.“Po, një marrëveshje do të arrihet! Pasi po vërehet se situata është jashtëzakonisht e brishtë dhe edhe një incident që mund të ndodhë në çdo kohë mund të shndërrohet në problem politik’, thotë  Arifi për Radio Kosovën.

“Prandaj, pikërisht insistimi i SHBA-së dhe BE-së është që marrëveshja sa më parë të arrihet që të relaksohet situata”.

Sipas tij, zgjidhja e çështjes është pak urgjente edhe për shkak të komplikimeve të luftës në Ukrainë.

Ndërkohë, Valon Murtezaj, profesor i Diplomacisë në Universitetin e Parisit, thotë për Radio Kosovën se marrë parasysh se ka kaluar më shumë se një dekadë nga fillimi i dialogut Kosovë-Serbi, është koha që të arrihet marrëveshja finale ndërmjet dy shteteve.

 “Duke pasur parasysh që procesi i dialogut ka 10-11 vite që ka filluar, tani është koha për të pasur një marrëveshje finale ndërmjet shteteve, e cila pastaj do të ndihmonte Kosovën dhe Serbinë në procesin e integrimit evropian”, thotë  Murtezaj për Radio Kosovën. “Dhe në këtë jam i sigurt që vëmendja e Bashkimit Evropian dhe qeverive të vendeve kryesore të BE-së, do të jetë e fokusuar në këtë drejtim.

Dialogu Kosovë-Serbi, i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, ka filluar në vitin 2011, ku fillimisht diskutoheshin çështje teknike. Më pas, dialogu kaloi në format politike me qëllim kryesor arritjen e marrëveshjes finale për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat