Lista Serbe akuzon Rashiqin për dyfytyrësi

Aktuale

Lista Serbe akuzon Rashiqin për dyfytyrësi

Më: 11 janar 2023 Në ora: 15:27
Nenad Rashiq

Lista Serbe e ka quajtur ministrin për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq, dyfytyrësh.

Në një reagim të kësaj partie në Facebook thuhet se “Ministri ilegal i Kurtit Nenad Rashiq tregoi se çfarë njeriu me dy fytyra është kur bëhet fjalë për tentimvrasjen e një djali në Shtërpcë në ditën e Krishtlindjeve”.

Në reagimin e Listës Serbe thuhet se fillimisht Rashqi në një deklaratë për mediat në Serbi, e ka quajtur rastin tentimvrasje dhe e ka lavdëruar kryeministrin Albin Kurti dhe institucionet e Kosovës për veprimet e ndërmarra lidhur me këtë rast.

Ndërsa sipas tyre Rashiq në një deklarim tjetër ka thënë se “Deklarata e tij është keqkuptuar”.

“Për shkak të tentimit të drejtpërdrejtë për të minimizuar përgjegjësinë e atij që tentoi t’i vriste Stefanin dhe Milloshin, më vjen mirë që Rashiq nuk ka mundësi që t’i vizitojë ata, pasi do të shtrohej pyetja se çfarë mund tu thoshte atyre kur brenda dy ditëve ndërron deklaratat e tij. Nuk përjashtohet mundësia që nesër Stefani e Milloshi të fajësohen për atë që ka ndodhur”, thuhet në reagimin e Listës Serbe.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat