Walker: Libri për Reçakun do të jetë përshkrim i përjetimeve të mia

Aktuale

Walker: Libri për Reçakun do të jetë përshkrim i përjetimeve të mia

Më: 11 janar 2023 Në ora: 15:33
William Walker

Ish-ambasadori i OSBE-së në Kosovë, William Walker, është befasuar nga vendimi i qeverisë për t`i ndarë 70 mijë euro për librin e tij.

Ai ka thënë se libri për masakrën e tmerrshme të Reçakut do të jetë përshkrimi i kujtimeve të tij për ngjarjen e cila tronditi boten perëndimore.

“Librin për masakrën e Reçakut po e shkruaj dhe po provoj ta përfundoj para se të shkoj në botën tjetër.” – ka thënë Walker.

Kur është pyetur nga gazeta për vendimin e qeverisë, ish-ambasadori ka thënë se ende nuk kishte dëgjuar për këtë çështje.

“Do të jetë një libër i vetëm, përshkrime të përjetimeve të mia të ngjarjeve në Reçak, të atij krimi. Do të jetë një përmbledhje e asaj”, është shprehur Walker.

Me tej, Wolker ka folur për ndikimet që kishte kjo ngjarje në rrjedhën e ngjarjeve.

“Rëndësia është se Kosova është një shtet i ri në qendër të Evropës dhe nuk mendoj se do ishte bërë ashtu siç u bë nëse masakra e Reçakut nuk do të kishte ndodhur dhe reagimi ndërkombëtar të mos kishte qenë ai që ishte, aq fuqishëm. Solli luftën e NATO’s, që mendoj që askush atë kohë po e mendonte, e cila erdhi më së shumti si rezultat i reagimit pas masakrës së Reçakut”, ka thënë ish-ambasadori amerikan.

Në mbledhjen e sotshme, Qeveria e Kosovës ka ndarë 70 mijë euro për botimin e një libri mbi Masakrën e Reçakut të paraqitura nga perspektiva e ambasadorit William Walker.

Kryeministri Albib Kurti ka thënë se ky libër është mbështetur për shkak të peshës historike.

“Këtë të diel bëhen 24 vite nga Masakra e Reçakut që tmerroi dhe tronditi Kosovën, por edhe e ndërgjegjësoi dhe e alarmoi botën demokratike dhe diplomacinë ndërkombëtare. Para jush keni propozim-vendimin për ndarjen e 70 mijë eurove për hulumtimin, shkrimin, editimin, përkthimin dhe shtypjen e librit të memoareve të ambasadorit William Walker dhe të Masakrës së 15 janarit 1999 në fshatin Reçak dhe peshës historike të kësaj ngjarje”, ka thënë Kurti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat