Zëvendëskryeministrja e Kosovës: Duam paqe, stabilitet dhe ujdi me Serbinë

Aktuale

Zëvendëskryeministrja e Kosovës: Duam paqe, stabilitet dhe ujdi me Serbinë

Më: 11 janar 2023 Në ora: 18:13
Emilija Rexhepi

Të mërkurën arriti në Kosovë.

E brenda ditës këshilltari i lartë i Departamentit Amerikan të Shtetit, Derek Chollet takoi ndaras dyshen shtetërore të Kosovës, Vjosa Osmani e Albin Kurti.

Deklarime për medie nuk pati nga treshja, veçse përmes komunikatave u kuptua se pala kosovare do që ujdia me Serbinë ta përmbajë edhe njohjen reciproke.

“Kosova është e gatshme të vazhdojë, me përkushtim të plotë, të jetë palë konstruktive, e koordinuar me SHBA-të, duke bërë propozime që kontribuojnë në arritjen e një marrëveshjeje të tillë”, tha Presidentja Osmani.

Qëndrimi amerikan karshi kësaj teme nuk u zbulua. Veçse siç kishte njoftuar DASH para takimit, bisedat e Cholletit me liderët kosovarë përfshijnë arritjen e ujdisë, bazuar në njohje reciproke.

Ardhjen e tij në kohën e përpjekjeve të reja ndërkombëtare për të përshpejtuar procesin e normalizimit të raporteve midis Kosovës dhe Serbisë po e mirëpresin në Prishtinë.

Zëvendëskryeministrja e Qeverisë së Kosovës, Emilija Rexhepi.

“Ardhja e Derek Chollet është pozitive për Kosovën. Ne duam paqe, stabilitet dhe ujdi me Serbinë. Kemi nevojë për ardhjen e zyrtarëve amerikanë sepse ata e ndihmojnë Kosovën në këtë proces, siç kanë bërë vazhdimisht deri tash”, u shpreh Rexhepi.

Pala kosovare e ka të qartë se si duhet të mbyllet kapitulli mbi 10 vjeçar i dialogut me fqinjin verior.

“Ideja finale duhet të jetë që Serbia me pranu shtetin e Kosovës”, theksoi Rexhepi.

Rexhepi tha se ende nuk ka informacione nëse në takimin e së mërkurës Kurti – Chollet u diskutua edhe Asociacioni.

“Akoma jam në kabinet. Nuk kam informacione. Asociacioni duhet të diskutohet. Por duhet pasur kujdes me formën. Nuk duhet lejuar një Republika Srpska në Kosovë. Jo Asociacioni monoetnik”.

Në veri të Kosovës muaj më parë shumë zyrtarë të pakicës serbe dhanë dorëheqjen nga postet e tyre shkaku i suspendimit të drejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq.

Në këtë drejtim, Rexhepi theksoi se është e rëndësishme t`i bëhet e qartë një gjë Amerikës.

“Ne zbatojmë Kushtetutën. Serbët janë të barabartë me të gjitha komunitetet tjera këtu dhe se janë të integruar”.

Chollet më herët gjatë 11 janarit qëndroi edhe në Shkup, teksa pas Prishtinës do të niset drejt Beogradit.

Ai po shoqërohet nga i dërguari special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat