Kush ishin “think tank”-ët e vrasjeve politike / Një atentat dhe një vdekje e dyshimtë me 11 janar!

Aktuale

Kush ishin “think tank”-ët e vrasjeve politike / Një atentat dhe një vdekje e dyshimtë me 11 janar!

Nga: Idriz Morina Më: 11 janar 2023 Në ora: 20:55
Enver Maloku i vrarë 24 vjet më parë në sy të familjes

Sot ishte përvjetori i atentatit të dytë ndaj ikonës së gazetarisë së luftës, Enver Malokut. Derisa gazetarët tjerë rrezikoheshin nga forcat serbe gjatë raportimeve në terren, Enver Maloku ishte i kërcënuar hapur me jetë nga shqiptarët, për shprehjen e mendimit të lirë, institucional dhe atdhetar.

Pavarësisht mburrjes së disave për luftën çlirimtare, ata që porositën vrasjet politike, nuk e kishin mendjen tek liria. Ata po mendonin për pushtetin e ardhshëm. E kishin projektuar edhe pasurimin. Por, disa fatkeqësisht nuk do ta gëzonin plotësisht, pasi u arrestuan, dhe vazhdojnë të mbeten në paraburgim në Hagë, të akuzuar rëndë nga gjykata speciale.

Por, 24 vjet pas, pavarësisht një vërshimi me reagime nga LDK-ja, përkatësisht zyrtar e udhëheqës të sajë, thuajse askush nuk bëri thirrje për drejtësi, gjykimin e vrasësve. Mbase ata edhe mund të besojnë apo të kenë informata se të dyshuarit do të dalin shpejt para drejtësisë apo se ndonjë nga përgjegjësit tashmë është arrestuar, qoftë si urdhërdhënës, qoftë si organizator.

Por, për disa grupe dhe individ, kjo nuk hynte në vlera. Ata kishin përcaktuar, shënjestra të tjera për jetën politike në Kosovë. Vrasjet ose atentatet për ta dorëzuar pushtetin moral, që e kishin ndërtuar me ndihmën e thuaja të gjithë shqiptarëve.

Dyshimet

24 vjet më parë, edhe pse nën okupimin serb rreth 70 gazetarë kishin marrë guximin të marshonin rrugëve të Prishtinës në shenjë proteste për vrasjen e Enver Malokut. E paralajmëruar, e shpallur dhe e provuar në atentatin e parë më 18 korrik të vitit 1998. Në të njëjtin skenar po thuajse, sikurse të ekzekutimit, të pas thuajse gjashtë muajve.

Por, 24 vjet më pas, thuaja asnjë medium e gazetë nuk e kujton seriozisht Enver Malokun, asnjë debat serioz në televizione për figurën e tij, mënyrën e vrasjes, dhe përndjekjes së tij.

Pa hedhur asnjë dyshim tek përfituesit nga lufta, dhe veçanërisht të pas luftës. Atëherë ata po mbrojnë ose po fshehin diçka, sigurisht jo të vogël!

Askush thuaja nuk mund të merret nga ta, sepse emri i Enverit ndodhej i shtati në listën emërore, të atyre që duheshin ekzekutuar, sipas të majtës së asaj kohe, që pretendonte se ajo e vetme po e bënte luftën.

Pas vrasjes së gazetarit Enver Maloku, për shkaqe politike, projektuesit e dhunës dhe përçarjes ndërshqiptare vazhduan me vrasjen e Xhemail Mustafës, njëherit mik dhe këshilltar i presidentit Rugova, pastaj e Shefki Popovës, Bekim Kastratit (2001) dhe e Bardhyl Ajetit (2005).

Më 18 korrik 1998, Enver Maloku i kishte shpëtuar një atentati ndaj tij, në derë të banesës së tij.

Enveri u vra në sytë e fëmijëve, derisa po i afrohej hyrjes së banesës në “Breg të Diellit”.

Enveri ishte i shtati në një listë ekzekutimi të Shtabit të Përgjithshëm, të cilën e kishte siguruar QIK-u dhe që i ishte dërguar me internet kësaj qendre, sipas dëshmisë së mikut të Enverit, Ramadan Muçollit, kërcënimit me vdekje të cilin e kishin lexuar së bashku.

Unë nuk mund të them se e njoha Enverin. Asnjëherë! Por, e njoha nëpërmjet “Informatorit”, emocioneve dhe vlerësimeve që më jepte ai, në rrethana tronditëse të luftës.

Angazhimi, përkushtimi, idetë dhe mesazhet e jashtëzakonshme që përcillte. Padyshim, që vet mbyllja e tij, dëshmoi, se sa i guximshëm ishte Enveri, dhe se çfarë tmerri futi ai atentat, në krahun tjetër, në fakt në shtetin paralel të Kosovës dhe në LDK.

Duket sikur vrasjet politike e kishin një “think tank”, një grup, që ideoi, listoi dhe urdhëroi ekzekutimin e viktimave.

Aktualisht njëri prej atyre që mendohet se mund të ndihmojnë në zbardhjen e vrasjes së Enver Malokut, është Sali Mustafa, i njohur me nofkën Cali, i cili është dënuar me 26 vjet burg nga shkalla e parë e gjykatës speciale.

“Cali”, vlerësohet një nga ‘çelësat për zbardhjen e asaj vrasje.

Miku i Enverit dhe kolegu i gazetarisë, Ramadan Muçolli ka dëshmuar në media se kërcënuesit i kanë folur shqip, i kanë kërkuar që ta braktiste QIK-un dhe bashkëpunimin me Rugovën e LDK-në. Sipas kësaj dëshmie, familja kishte frikë për vrasjen e Enverit, dhe i kishte bërë presion, të tërhiqej, por Enveri kishte zgjedhur “më mirë të vdiste nga një atentat se sa ta vriste vetën për së gjalli, e duke u dorëzuar!”

Image
Imzot Mark Sopi, i ndjerë

“A ishte vdekja e Ipeshkvit Mark Sopi më 11 janar 2006 e natyrshme?”

Më 11 janar, ka ndërruar jetë edhe Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Mark Sopi, që për disa mendohet se ishin rrethana të dyshimta. Habia, dhe dyshimi, sipas një shkrimi të bërë në vitin 2016 nga Nikë Gjeloshi, është se ai mund të jetë helmuar apo t’i jetë hedhur ndonjë substancë e dyshimtë gjatë një takimi zyrtar në Prishtinë.

Habia është se ai do të ndërronte jetë, vetëm 10 ditë para presidentit Ibrahim Rugova, që po dergjej në shtratin e vdekjes, duke vuajtur sëmundjen e kancerit.

Ipeshkvi ishte një mbështetës i parezervë i presidentit Rugova, ndërsa e kishin hedhur bashkë gur themelin e katedrales së Kosovës.

Gjeloshi, ish-aktivist politikë, dhe ish-zëvendëskryeministër në qeverinë e mbiquajtur e Bukoshit, i kërkonte edhe EULEX-it, që ende ishte me kompetenca kryesore në drejtësi, që t’i hapte hetimet.

“Pas takimit të fundit të Ipeshkvit Sopi më përgjegjësit e Komunës, më 11 janar 2006, në Zyrën e të parit të Komunës, Ai, do “ligështohet” dhe po atë ditë në QKUK do të ndërron jetë, përkatësisht vdes”, shkruante avokati Gjeloshi.

“A ishte vdekja e Ipeshkvit Mark Sopi më 11 janar 2006 e natyrshme?”, pyeste Gjeloshi, shtatë vjet më parë.

 

Ps. Një ‘think tank’ mendohet se është një institut politikash apo kërkimesh që projekton apo mbron politika të caktuara, nga financat tek ushtria. Në luftë dhe pas saj nuk kishte një institut të identifikuar, por tashmë ekziston një pasqyrë e mjaftueshme për të kuptuar se kush ishin hartuesit e listave të vdekjes!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat