SHBA dhe BE shtojnë presionin për Asociacionin, Kurti u përgjigjet nga Austria

Aktuale

SHBA dhe BE shtojnë presionin për Asociacionin, Kurti u përgjigjet nga Austria

Më: 12 janar 2023 Në ora: 08:47 Përditësuar në ora: 19:56 më 12.01.2023
Karl Nehammer dhe Albin Kurti

Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti në konferencën e përbashkët me Kancelarin e Austrisë, Karl Nehammer

Ju faleminderit Kancelar Nehammer, për ftesën dhe pritjen tuaj të ngrohtë.

Kjo është vizita ime e parë zyrtare jashtë vendit këtë vit. Dhe ku më mirë të nisim sesa në Vjenën e bukur, në qytetin e kompozitorëve dhe dijetarëve të mëdhenj, dhe për aq shumë arsye të mira, po ashtu një portë ndaj Ballkanit Perëndimor. Jam i kënaqur të jem këtu.

Austria është një mike e ngushtë dhe një partnere e rëndësishme për Kosovën. Ajo na ka ndihmuar në luftën tonë çlirimtare dhe për të siguruar paqe, bashkë me ushtarët austriakë, të cilët, për aq shumë vjet, po shërbejnë në Forcën e NATO-së në Kosovë (KFOR). Po ashtu, Austria, për disa dekada, mbështetë veçanërisht sistemin arsimor të Kosovës.

Jemi mirënjohës për kontributin tuaj në paqe, siguri dhe prosperitet për vendin tonë, si dhe për rajonin.

Prej fillimit të viteve '70-ta deri në fund të viteve '90-ta, Austria u bë shtëpia e shumë prej qytetarëve tanë që shpëtuan nga okupimi dhe lufta. Sot ata punojnë, studiojnë dhe banojnë këtu. Rreth 70 mijë qytetarë të Kosovës banojnë dhe punojnë në Austri, duke shërbyer si ambasadorët tanë, nuk kemi vetëm një, dhe janë ura të gjalla ndërmjet dy vendeve dhe kulturave tona. Jemi shumë mirënjohës për këtë lidhje dhe mezi presim që marrëdhëniet tona miqësore t'i thellojmë dhe zgjerojmë edhe më shumë, në çdo drejtim.

Ky qytet, megjithatë, para më pak se dy dekadash, po ashtu ka qenë dëshmitar i negociatave të vështira dhe kompromiseve të dhimbshme, të cilat rezultuan, në fund, me pavarësinë e Kosovës. Dhe pas një muaji do të festojmë 15 vjet prej shpalljes së pavarësisë. Ne kemi një kushtetutë moderne evropiane, me të drejtat më të avancuara dhe gjithëpërfshirëse për minoritetet, jo vetëm në rajonin tonë, por edhe në Evropë e më tej.

Politikanë, diplomatë dhe aktivistë austriakë e kanë mbështetur Kosovën në kohët kur kemi qenë në nevojë. Dhe sot ata janë një zë i arsyes për Kosovën në institucionet e BE-së. Jemi thellësisht mirënjohës dhe kjo është një dëshmi e marrëdhënieve tona tradicionalisht të mira dhe miqësore.

Duke pasur në krah Austrinë si partner, jemi të sigurt që do të arrijmë qëllime të rëndësishme për Kosovën. Dhe disa nga këto qëllime i kemi ndarë bashkë në takimin e sotëm me Shkëlqesinë e Tij, Kancelarin Nehammer.

Do të vazhdojmë të punojmë në agjendën tonë të reformave, duke e trasuar rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, për të cilin kemi aplikuar para një muaji. Ne vlerësojmë mbështetjen e Austrisë për aplikimin tonë. Bazuar në disa vlerësime të pavarura, Kosova është shteti më demokratik në Ballkanin Perëndimor dhe synimi ynë është që të jemi një pjesë e barabartë dhe plotësisht e integruar e BE-së, jo nëpërmjet rrugës së shkurtër e as derës së pasme, por duke ndërtuar BE-në në vendin tonë, me qytetarët tanë dhe me një BE me të cilën ndajmë jo vetëm një kontinent, por edhe vlerat e sundimit të ligjit, demokracisë, pluralizmit politik, paqes dhe prosperitetit.

Ne aspirojmë të anëtarësohemi në Këshillin e Evropës. Dhe më lejoni t'ju falënderoj, nga thellësia e zemrës, Shkëlqesia Juaj, Kancelar Nehammer, për mbështetjen tuaj për aplikimin tonë. Integrimi i Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe mekanizma të bashkëpunimit është i rëndësisë së lartë për paqe dhe prosperitet për të gjithë Ballkanin Perëndimor.

Kemi folur gjithashtu për agresionin e Rusisë ndaj Ukrainës dhe ia shpjegova Kancelarit Nehammer disa nga ndikimet malinje në Ballkanin Perëndimor përmes akterëve të ndryshëm aty.

Kosova dënoi menjëherë pushtimin dhe agresionin ushtarak të Rusisë në Ukrainë dhe iu bashkua sanksioneve të BE-së kundër Federatës Ruse. Kemi strehuar 12 gazetarë ukrainas, të cilët janë bërë banorë të kryeqytetit tonë, Prishtinës, dhe iu kemi ofruar atyre kushte të punës. Po ashtu, kemi ofruar që të strehojmë deri në 5 mijë refugjatë ukrainas.

E kam njoftuar Kancelarin Nehammer edhe për qasjen tonë konstruktive dhe kreative, dhe sigurisht proaktive, në dialogun me Serbinë. Dialogu duhet të na shpie drejt një marrëveshje për normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve tona, me njohje reciproke në qendër.

Në anën tjetër, e sigurova Kancelarin që me qeverinë tonë reformiste, transparente dhe llogaridhënëse, dhe me fuqinë tonë punëtore të re dhe të talentuar, ka edhe më shumë hapësirë për bashkëpunim të shtuar në investimet ekonomike dhe shkëmbimet tregtare.

Pra, kemi biseduar se si mund të fuqizojmë edhe më shumë marrëdhëniet tashmë të shkëlqyeshme dypalëshe mes Austrisë dhe Kosovës në politikë, në edukim, në ekonomi dhe në kulturë.

Po ashtu kam ftuar Kancelarin Nehammer që këtë vit të vije në Kosovë bashkë me ndonjë nga delegacionet e shumta ekonomike të Austrisë.

Andaj, z. Kancelar, jeni i ftuar. Ju faleminderit shumë.​

Image
Image
Image

 

Kryeministri Kurti u mirëprit në takim bilateral nga Kancelari i Austrisë, Karl Nehammer

Në kryeqytetin e Austrisë, me ceremoni shtetërore të gardës ceremoniale, Kryeministri i Republikës Kosovës, Albin Kurti u mirëprit nga Kancelari i Austrisë, Karl Nehammer për një takim bilateral.

Falënderues për ftesën dhe mikpritjen në vizitën e tij të parë jashtë vendit për këtë vit, Kryeministri Kurti shprehu mirënjohjen e tij për kontributin e Austrisë në paqen, sigurinë dhe zhvillimin e vendit tonë dhe rajonit, dhe për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Republikës së Kosovës.

“Austria është mike e ngushtë dhe partnere e rëndësishme e Kosovës. Na ka ndihmuar në përpjekjet tona për çlirim dhe për të siguruar paqe, së bashkëu me ushtarët austriakë që kanë shërbyer për shumë vite në misionin e NATO-s në Kosovë, dhe për dekada ka mbështetur Kosovën, sidomos në sistemin e edukimit”, tha Kryeministri Kurti.

Ata diskutuan për marrëdhëniet bilaterale tashmë të shkëlqyera ndërmjet dy vendeve dhe mundësitë e rritjes dhe fuqizimit të mëtejmë të tyre në të gjitha fushat, me theks te bashkëpunimi ekonomik dhe shkëmbimi tregtar. Me këtë rast, Kryeministri Kurti e ftoi Kancelarin Nehammer që t’i bashkëngjitet njërit nga shumë delegacioneve ekonomike austriake që do të vizitojnë Kosovën gjatë këtij viti.

Kryeministri Kurti e njoftoi Kancelarin Nehammer për punën e deritanishme të Qeverisë në kuadër të agjendës së saj reformuese dhe të agjendës integruese. Ai po ashtu e njoftoi Kancelarin për qasjen proaktive, konstruktive dhe kreative të Kosovës në procesin e dialogut me Serbinë, duke nënvizuar se dialogu duhet të prodhojë një marrëveshje për normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve me njohje reciproke në qendër.

U diskutua edhe për agresionin ushtarak të Rusisë mbi Ukrainën, dhe për rrezikun e ndikimit malinj të Rusisë në Ballkanin Perëndimor nëpërmjet aktorëve të ndryshëm.

Kryeministri Kurti gjatë qëndrimit njëditor në Austri po ashtu do të marrë pjesë në diskutimin me temë "Ballkani Perëndimor: pjesë qendrore e paqes së qëndrueshme në Evropë", të organizuar nga Akademia Diplomatike e Vjenës, Instituti Austriak për Politika Evropiane dhe të Sigurisë dhe Ambasada e Republikës së Kosovës në Austri. Në këtë vizitë zyrtare, bashkë me kryeministrin Kurti po merr pjesë edhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Harjulla Çeku.

​Kancelari austriak ofron përkrahje për dialogun, mbështet thirrjen e Kosovës për shtim të trupave për siguri

Kancelari i Austrisë, Karl Nehammer, ka shprehur mbështetjen për dialogun Kosovë-Serbi. Ai ka thënë se Austria do të shërbejë si urë lidhëse për dy palët që të arrihet kompromisi dhe të krijohet e ardhmja paqësore mes dy vendeve.

Kancelari austriak pas pritjes së kryeministrit Albin Kurti të enjten, në konferencë të përbashkët për media, tha se përkrahin thirrjen e Kosovës për shtim të trupave të KFOR-it për siguri. Ndërkohë, nënvizoi se do të ndihmojnë Kosovën për njohjen nga pesë vendet e BE-së mos njohëse.

Nehammer: Të gjendet kompromisi në dialog

Të dyja shtetet duhet të gjejnë një lloj mënyre që të ballafaqohen me njëri-tjetrin dhe të krijojnë një të ardhme prosperuese dhe paqësore. Është me rëndësi që partnerët ndërkombëtar të lënë aq hapësirë që dy shtetet mund të vendosin se sa larg duan të shkojnë në negociatat e tyre. Njëkohësisht është shumë e rëndësishme dhe Austria do të jetë gjithmonë e gatshme të ndihmojë që të ofrojë përkrahje ku për arsye të ndryshme nuk mund të gjendet kompromisi në atë moment.

Është e rëndësishëm besoj dhe Austria është partnere e mirë në këtë drejtim për shkak të historisë austriake. Kanë ndodhur shumë gabime në të kallurën tonë historike dhe kemi nxjerr gabimet tona nga ato. Me këtë përvojë historike ne ofrojmë si ndihmë në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Vetëm paqja, siguria dhe prosperiteti mund të sigurohen kur bëhemi bashkë. Nuk varet vetëm nga negociatorët që marrëveshja të jetë e suksesshme, është me rëndësi që të ofrohet koha e mjaftueshme për të gjetur rrugën e përbashkët”, tha ai.

Ai tha se Austria është e gatshme të dërgoi trupa shtesë në Kosovës, nëse kërkohet nga KFOR-i, pas kërkesës së institucioneve kosovare.

Nehammer: Mbështesim kërkesën e Kosovës për rritje të trupave për siguri

“Kryeministri e ka adresuar këtë dhe Austria ofron numrin më të madh të trupave në KFOR si shtet nga jashtë NATO-s. Kemi më shumë se 300 ushtarë që kryejnë detyrat në Kosovë për paqe dhe siguri.

Ne mbështesim thirrjen e Kosovës për rritjen e trupave për siguri më të madhe dhe do të jemi të gatshëm të ofrojmë trupa mbështetës nëse KFOR-i na kërkon këtë gjë”, shtoi kancelari austriak.

Krahas këtyre, ai shprehu mbështetjen karshi Kosovës edhe për perspektivën e saj euro-atlantike, ndërkohë tha se ekziston bashkëpunim i mirë bilateral mes dy shteteve.

Kurti: Asociacioni mund të adresohet te plani franko-gjerman, por në frymën e kushtetutës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë vizitës zyrtare në Austri ka thënë se çështja e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe mund të adresohet në planin franko-gjerman, por në frymën e kushtetutës, ajo s’lejon asociacion njëetnik.

Kurti tha se shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, po insiston që plani franko-gjerman të quhet propozim i BE-së, i mbështetur nga Gjermania e Franca, dhe sipas tij, tani janë në një moment kur po flasin për marrëveshje të normalizimit të marrëdhënieve.

“Më 9 shtator e kemi pranuar këtë propozim dhe besoj se është bazë e mirë ky propozim për të vazhduar tutje”.

“Pra, jemi në një moment kur flasim për një marrëveshje për normalizim të plot të marrëdhënieve në mes Kosovës e Serbisë e aty edhe çështja e asociacionit mund të adresohet, megjithatë sipas Kushtetutës së Kosovës, e cila i ka dhënë shumë privilegje pakicës serbe, në frymën e saj nuk lejon asociacion njëetnik”, është shprehur Kurti.

Tutje, ai tha se në fjalinë e parë të Planit të Ahistarit thuhet se Kosova duhet të jetë shoqëri multietnike.

“Pra, asociacioni njëetnik nuk është në frymën e atij plani ose kushtetutës sonë”, u shpreh Kurti.

Themelimin e Asociacionit po e kërkojnë SHBA dhe BE. Ambasadori i Gjermanisë në Prishtinë, Jorn Rohde ka thënë se pajtohet plotësisht me qëndrimet e zyrtarit të lartë të DASH-it, Derek Chollet se është koha e fundit që të zbatohen të gjitha marrëveshjet e Brukselit me shpejtësi, përfshirë krijimin e Asociacionit në përputhje me Kushtetutën. Rohde ka thënë se ende s’ka ndonjë propozim nga ana e Kosovës për këtë gjë.

Kancelari austriak pas votimit të vizave në PE: Kosova e vendosur të jetë pjesë e familjes evropiane

Komiteti i Parlamentit Evropian për Liritë Civile, Drejtësi dhe Çështje të Brendshme ka votuar pro liberalizimit të vizave për Kosovën.

Kancelari i Austrisë Karl Nehammer, ka folur pas takimit me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti.

Ai në një konferencë për media ka thënë se Kosova është e vendosur që të jetë pjesë e familjes evropiane.

Nehammer theksoi se Kosova ka bërë një rrugë të gjatë dhe të mundishme për të fituar liberalizmin e vizave.

“Kosova e ka vendosur që të jetë pjesë e familjes evropiane. Ka bërë shumë në luftimin e krimit dhe korrupsionit. Dhe kjo ka qenë një rrugë e mundimshme. Ajo çka më gëzon është që ky rrugëtim do të shpërblehet. Ne së bashku me Kosovën do të përjetojmë liberalizmin e vizave në vitin 2024”, tha Nehammer.

I pari i qeverisë austriake theksoi se dyja vendet kanë një lidhje të veçanta mes tyre.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, po qëndron në një vizitë zyrtare në Austri.

Nehammer: Austria mbështet shtimin e trupave të KFOR-it në Kosovë

 

Kancelari i Austrisë Karl Nehammer, ka folur edhe rreth tensioneve në veriun e Kosovës.

Ai tha se mbështet shtimin e trupave të KFOR-it në Kosovës.

Nehammer theksoi se shteti austriak e ka praninë më të madhe të trupave në misionin e NATO-s në vendin tonë.

“Austria e ka numrin më të madh të ushtarëve në KFOR. Kemi diku 300 ushtarë që shërbejnë në Kosovë.

Ne e mbështesim shtimin e pranisë së KFOR-it në Kosovë dhe jemi të gatshëm të dërgojmë trupa shtesë nëse na kërkohet zyrtarisht nga NATO-ja”, tha ai.

“Ne po ashtu jemi të gatshëm t’i mbështesim dyja palët në dialog. Kam besim që dyja palët janë të afta që ta de-eskalizojnë situatën”, theksoi Nehammer.

Këto komente i pari i qeverisë austriake i bëri në një konferencë për media pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

​Kurti pritet me nderime të larta në Austri

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është pritur me nderime shtetërore me rastin e vizitës së tij në Austri.

Kurti u mirëprit nga kancelari i Austrisë, Karl Nehammer për një takim bilateral.

Pas takimit, do të ketë një konferencë të përbashkët për media.

Gjatë qëndrimit njëditor në Vjenë, Kurti, po ashtu do të marrë pjesë në diskutimin me temë "Ballkani Perëndimor: pjesë qendrore e paqes së qëndrueshme në Evropë" të organizuar nga Akademia Diplomatike e Vjenës, Instituti Austriak për Politika Evropiane dhe të Sigurisë dhe Ambasada e Republikës së Kosovës në Austri.

Diskutimi do të fillojë në orën 18:30.

Garda ceremoniale e Austrisë, gati të nderojë kryeministrin Albin Kurti

Garda ceremoniale e Austrisë, në këto momente po bëhet gati që ta presë me ndërimet më të larta shtetërore, kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Pas takimit me kancelarin Karl Nehammer, që do të mbahet prapa dyerve të mbyllura, do të ketë edhe një konferencë të përbashkët për media.

Kjo konferencë do të mbahet në orën 13:00 dhe RTK do të bëjë transmetimin e drejtpërdrejtë të saj.  

Përveç çështjeve të Ballkanit Perëndimor si në aspektin politik ashtu edhe në atë të sigurisë, një ndër temat e këtij takimi mes kryeministrit Kurti dhe kancelarit Nehammer, do të jetë edhe aplikimi i Kosovës për anëtarësim në BE.

Më pas gjatë ditës, kryeministri Kurti, do të mbajë edhe dy ligjerata.

Njëra do të jetë në Institutin për Politike Evropiane e të Sigurisë si dhe një tjetër në Akademinë Diplomatike të Vjenës.

Ndërkohë, para vizitës në Vjenë, kryeministri Kurti ka dhënë edhe një intervistë të gjatë për gazetën më të madhe austriake, Der Standard.

Sa i përket porpozimit franko-gjerman për marrëveshjen Kosovë-serbi, në këtë intervistë, kryeministri Kurti ka rikujtuar se më 18 gusht të vitit të kaluar, pati një takim  me Shefin e Politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell.

“Së pari duhet të negociohet një marrëveshje kornizë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Mendova se ishte e mrekullueshme. Por Vuçiq ka thënë vazhdimisht se nuk është i interesuar për një marrëveshje të tillë kornizë”, deklaroi Kurti.

Sipas tij, Vuçiqi është i interesuar për menaxhimin e krizave, për fenomenin e zjarrfikësit.

Ju ndezni zjarre, pastaj vishni shpejt një xhaketë tjetër dhe thoni, unë mund ta shuaj zjarrin! Tre javë pas këtij takimi, përfaqësuesit e qeverisë franceze dhe gjermane, Emmanuel Bonne dhe Jens Plötner, erdhën me ide që i konsideroj një bazë e mirë për diskutime të mëtejshme, sepse ato kanë të bëjnë me konceptet dhe idetë universale të integritetit territorial dhe sovranitetit, të drejtave të njeriut, pavarësinë dhe demokracinë”.

Kryeministri Kurti ka thënë se në të kaluarën kishte më shumë një ideologji për zgjidhjen e problemeve, një qasje "sui generis" me një oqean detajesh që dekurajonte të gjithë.

Kurti në këtë intervistë ka thënë se në propozimin franko-gjerman,  janë përfshirë disa nga paragrafët e marrëveshjes gjermano-gjermane të vitit 1972.

“Por Willy Brandt shkoi paraprakisht në Varshavë dhe kërkoi falje. Dhe marrëveshja ishte e mundur sepse dy Gjermanitë morën një vend në OKB nëntë muaj më vonë”.

Sipas Kurtit, me Rusinë dhe Kinën, Kosova  nuk e ka një shans të tillë.

------------------

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti sot do të vizitojë Austrinë, ku do të takohet edhe me kancelarin federal austriak, Karl Nehammer.

Bazuar në agjendë, ai do të pritet me nderimet më të larta ushtarake e shtetërore nga kancelari austriak, Karl Nehammer. Kurti do të ketë një takim me dyer të mbyllura me kancelarin e Austrisë.

Më pas, në kuadër të kësaj vizite zyrtare, kryeministri Kurti dhe kancelari austriak, pritet të mbajnë edhe një konferencë për media.

Përveç çështjeve të Ballkanit Perëndimor si në aspektin politik ashtu edhe në atë të sigurisë, një ndër temat e këtij takimi mes kryeministrit Kurti dhe kancelarit Nehammer, do të jetë edhe aplikimi i Kosovës për anëtarësim në BE.

Kurti, gjatë vizitës në Vjenë të enjten, do të mbajë edhe një fjalim i ftuar nga Instituti Austriak për Politikë Evropiane dhe të Sigurisë dhe Akademia Diplomatike e Vjenës. Ai do ta flas për “Kosovën, Ballkanin Perëndimor dhe Bashkimin Evropian’.

Ndryshe kjo vizitë e Kurtit në Austri vjen pas dorëzimit të aplikacionit për anëtarësim në BE dhe zhvillime pozitive rreth vendimit pozitiv për liberalizim të vizave nga ana e BE-së.

Kosova dhe Austria kanë bashkëpunim të mirë në shumë fusha.

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat