Shpërbërja e Rusisë, dhe sovraniteti i Kosovës për “kurban”!?

Aktuale

Shpërbërja e Rusisë, dhe sovraniteti i Kosovës për “kurban”!?

Nga: Idriz Morina Më: 14 janar 2023 Në ora: 13:03
Pamje nga shkatërrimet ruse në Ukrainë, uverturë për shpërbërjen e Rusisë

Shqiptarët po ballafaqohen me një trysni të re ndërkombëtare për arritjen e një marrëveshje me Serbinë. Pavarësisht që trysnia po ushtrohet tek të dyja palët, duket se Serbia nuk është e gatshme të heq dorë nga asgjë. Më saktë ajo po refuzon hapur kërkesën themelore të SHBA-së dhe Kosovës, se marrëveshja përfundimtare duhet ta përfshijë edhe njohjen e ndërsjellët. Madje, tashmë ajo është duke e refuzuar në mënyrë më kategorike edhe mospengimin e Kosovës në procesin e anëtarësimit si në OKB.

Në anën tjetër tashmë është e thënë qartësisht nga zyrtarët amerikan, se Perëndimi e don Serbinë me çdo kusht të jetë në anën e tij, në mënyrë që t’ia pamundësojë Rusisë ta përhap një konflikt të ri në Ballkan, pra jashtë vatrës së vetme europiane, Ukrainës.

Turbulencat politike

Lufta çlirimtare ukrainase e ndihmuar thellësisht nga Perëndimi, aktualisht nuk është duke shënuar përparime, për dallim nga muajt e vjeshtës kur pati një kundërpërgjigje të rrufeshme ukrainase dhe madje pati një turpërim masiv të dytë të forcave ruse, pas debaklit të pësuar për pushtimin e Kievit dhe të gjithë Ukrainës.

Ngadalësimin e luftimeve e kanë paralajmëruar me kohë ekspertët ushtarak perëndimor, duke e lidhur me të ftohtin që mbretëron në Ukrainë gjatë dimrit, dhe vështirësitë që krijon lufta përgjithësisht dhe që sigurisht lidhet edhe me sulmet e pamëshirshme ruse, duke pasur për target shkatërrimin e sistemit energjetik ukrainas, me qëllim të krijimit të pakënaqësisë dhe humbjes së besimit.

Pra, kjo situatë po shkakton turbulenca si duket edhe në politikat e vet Perëndimit, duke e kthyer vëmendjen e tij më shumë se sa duhet ndaj Serbisë.

Kjo situatë po e vështirëson diplomacinë e Kosovës dhe qëndrimet që duhet të ndjekin institucionet, durimin që duhet të tregojnë dhe këmbëngulësinë. Me fillimin e luftës në Ukrainë, edhe unë isha nga mbështetësit kryesor të idesë (ngritjes së hipotezës ndër më të parët), se asnjë marrëveshje me Serbinë nuk do të duhej të arrihej pa fitoren e Ukrainës ndaj Rusisë, përkatësisht zvarritjen e arritjes së saj për të pasur shanse maksimale në ruajtjen e kualitetit aktual kushtetues, sovranist.

Kjo mbështetej në tautologjinë ideologjike serbe, se projeksionet politike të Beogradit janë thuajse të njënjëshme me ato të Rusisë, dhe se Serbia, për shkak të kësaj historie shekullore, nuk do të mund të shkëputej nga Moska, por edhe për shkak të marrëveshjeve dypalëshe sekrete të nënshkruara, duke hedhur paralele me ‘botën ruse’, me projektin ‘bota serbe’!

Edhe analistë eminent amerikan, të cilët kanë pasur vazhdimisht në fokus Ballkanin dhe çështjen e Kosovës, janë mjaft të habitur me mbështetjen që po ia jep Perëndimi Serbisë.

Më të dalluarit në këtë pikë, janë Janusz Bugajski, anëtar i “Jamestoën Foundation”; Daniel Server - Hulumtues në John Hopkins SAIS, dhe ish i dërguar special i Departamentit të Shtetit; Xhozef Eduards profesor në Universitetin John Hopkins etj.

Image
Barrikadat serbe në veri, duke provokuar tension dhe dhunë

Leva që duan t’ia këpusin Rusisë

Mesazhet amerikane për raportet Kosovë-Serbi, të sjellura nga Këshilltari Special i Departamentit të Shtetit Derek Chollet janë bërë publike më shpluar se herë të tjera.

“Ne nuk duam të jemi në një diplomaci krize. Së pari targa, pastaj barrikada, ne nuk duam diçka tjetër javën e ardhshme”, citohet të ketë thënë Chollet gjatë vizitës së fundit.

Ndërsa, duke iu referuar rolit rus, po ashtu ishte i qartë, se çfarë bën Rusia në Ballkan dhe aleancën e shprehur hapur me Serbinë.

Por, sipas këndvështrimit amerikan Serbia tashmë në aspektet kyçe është duke u pavarësuar nga Rusia, por, mbetet Kosova, të cilën çështje Moska po e shfrytëzon, për ta mbajtur Beogradin në anën e saj.

“SHBA-ja e di mirë rolin përçarës të Rusisë, e cila ka deklaruar vazhdimisht mbështetjen e saj për aleatin e saj sllav Serbinë. Çështja ka rënë nën një dritë të re, pasi Serbia, e varur prej kohësh nga energjia ruse, ka filluar të diversifikojë burimet e saj të energjisë dhe ta zvogëlojë atë mbështetje. Kjo e ka lënë çështjen e Kosovës si levën e fundit që Moska ka mbi Beogradin, një aspekt që nuk e ka humbë Uashingtoni”, shkruan Financial Times të mërkurën, i cili medium ka biseduar me Chollet.

Por, përkundër faktit se e ka pranuar që Perëndimi don t’ia heq levën ruse Serbisë (Kosovën), vlerëson se kjo nuk është arsyeja e vetme, që duan t’ia japin “të drejta autonome serbëve në Kosovë, veçanërisht në veri”.

“Një arsye pse ne duam të gjejmë marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është që ta heqim atë levë nga Rusia”. “Unë nuk mendoj se duhet ta mbivlerësojmë këtë levë. . . Është e vërtetë, por e pranoj se nuk është arsyeja pse po e bëjmë këtë”, ka thënë Chollet për Financial Times.

“Serbët përfundimisht do të duhet të pranojnë një nivel të sovranitetit, Kosova duhet t’u japë qytetarëve të saj etnikë serbë autonomi më të madhe, në veçanti një asociacion formal për komunat me shumicë serbe në veri të vendit”, shtoi Chollet.

Por, përkundër zemërgjerësisë së Perëndimit me Serbinë, sipas profesorit amerikan Daniel Server, bisedimet në mes të Chollet-it dhe Vuçiqit nuk ishin të ngrohta, meqë zyrtari i lartë i DASH-it tregon se në takim ka shprehur dëshirën e SHBA-së për marrëdhënie (më të fuqishme) me Serbinë.

Sipas Serverit, mbase tashmë Chollet ka filluar ta kuptojë që Vuçiqi nuk është i përkushtuar për parimet demokratike. Server thotë se mbase Derek Chollet ka filluar ta kuptojë që Aleksander Vuçiq nuk është i përkushtuar për parimet demokratike. “Ndoshta ai (Chollet) ka filluar ta kuptojë A. Vuçiqin se nuk ndan përkushtimin ndaj parimeve demokratike”, ka shkruar në tviter, ndërsa e ka shpërnda postimin e bërë po në këtë rrjet nga Chollet.

Çfarë Perëndimi nuk po sheh në luftën Rusi-Ukrainë apo pas saj?

Me gjasë nëse lexohet më qartë eksperti Bugajski, këto zhvillime në Kosovë janë pasojë edhe e atyre diplomatëve, që sipas tij, nuk po e shohin fundin apo shkapërderdhjen e tretë të Rusisë. Nëse Bugajski është i saktë, atëherë, kjo e komprometon tërësisht ‘idenë e levës së Rusisë” për Serbinë, që është Kosova. Një shtet në shkapërderdhje nuk mund të mbahet në “levën”, Kosovë!

Image
Janush Bugajski me udhëzues shpjegues për shpërbërje e Rusisë

Madje sipas Bugajskit, Perëndimi është duke i ofruar Moskës kompromise, apo siç i quan ai, ‘garanci sigurie’ duke i premtuar paprekshmërinë e territorit.

Janush Bugajski, i cili është prej të paktëve që flet për shpërbërjen e Rusisë, ka parashikuar kolapsin e saj në librin e tij të sapo botuar “Shteti i dështuar: Një udhëzues për arsyet e shpërbërjes së Rusisë”, të cilit i jep jehonë edhe Politico.eu.

Bugajski kritikon qasjen konservative të Perëndimit, që sipas tij, një pjesë nuk janë duke e parë shkatërrimin e Rusisë, që ai e sheh kryesisht si një pasojë të brendshme, por që në kundërshtim me këtë rrjedhë ngjarjesh, ai thotë se ka prej tyre që madje duan të kthehen në status-quonë e pas Luftës së Ftohtë.

“... në vend se të planifikojnë se çfarë do të bëjnë në situata të paparashikuara që mund të përhapen shpejt dhe shumë përtej, apo të shfrytëzojnë de-imperializmin e Rusisë, zyrtarët perëndimorë duket se kanë ngecur në një epokë të dikurshme, duke besuar se mund të rikthehen në status-kuonë e pas Luftës së Ftohtë”, vlerëson Bugajski.

Një nga shkaqet, që po i bën shumicën e liderëve perëndimorë të mbajnë qëndrime konservative është se ata nuk po e shohin perspektivën që krijon, shpërbërja e perandorisë ruse.

“Më në fund Moska po ekspozohet para botës si një qendër perandorake e dhunshme, të cilës po i shterojnë kapacitetet e saja për ta mbajtur vendin të bashkuar. Megjithatë, shumica e liderëve perëndimorë nuk arrijnë ende të shohin përfitimet e shpërbërjes së Rusisë”, thotë ai.

Ai këtë e sheh si një proces normal, pas shpërbërjes së “bllokut sovjetik dhe shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik në fillim të viteve 1990”.

Kjo shpërbërje sipas tij do të vije para së gjithash nga “betejat e elitës për pushtet dhe rivalitetet e intensifikuara midis qeverisë qendrore dhe rajoneve të pakënaqura, të cilat në disa pjesë të vendit mund të çojnë në luftëra civile dhe mosmarrëveshje kufitare”.

Por, sa jemi të gatshëm ne shqiptarët ta kuptojmë këtë shtegdalje, dhe si mund ta mbrojmë sovranitetin tonë!?

Nëse kjo nuk arrihet, atëherë vërtetohet edhe njëherë aksioma shqiptare, se atje diku larg shpërthen, por vjen te ne dhe zbrazet (lufta, e keqja)!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat